Franca i ka bërë thirrje Kosovës të premten të vetëpërmbahet nga ndërmarrja e ndonjë “veprimi tjetër të njëanshëm”, i cili mund t’i përshkallëzojë edhe më shumë tensionet në veri të vendit, pas synimeve për rihapjen e urës mbi Ibër.
Reagimi i Francës vjen pasi autoritetet e Kosovës i kanë ndërmarrë disa veprime gjatë kësaj jave në veri të vendit, pjesë e banuar me shumicë serbe, të cilat janë kundërshtuar nga Serbia dhe serbët e Kosovës, si dhe nga bashkësia ndërkombëtare.
“Franca e dënon fuqishëm rritjen e papritur të veprimeve të njëanshme të autoriteteve kosovare në veri të vendit, të cilat prekin jetën e përditshme të komunitetit serb”, thuhet në një njoftim Ministrisë së Jashtme të Francës.
Të enjten, autoritetet kosovare kryen inspektime në urban mbi lumin Ibër në një fazë testimi para rihapjes së synuar të saj, ndërsa në fillim të javës ato i mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të rihapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut me shumicë serbe.
Vendet e QUINT-it – pjesë e së cilit është Franca bashkë me Shtetet e Bashkuara, Britanin e Madhe, Gjermaninë dhe Italinë – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.
Sipas Francës, veprimet e autoriteteve kosovare i rrezikojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, “që është parakusht për realizimin e perspektives evropiane për të dyja vendet”.
Ndërkohë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, paralajmëroi përsëri se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.
Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.
Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
KFOR-i tha të premten se “nuk duam të spekulojmë për ndonjë skenarë në të ardhmen” nëse institucionet e Kosovës i kërkojnë që të largojë praninë e saj nga ura mbi lumin Ibër. REL