Në Mitrovicë të Veriut ka nisur debati për hapjen e urës mbi lumin Ibër, që po kundërshtohet nga serbët lokalë dhe bashkësia ndërkombëtare.
Në debat po marrin pjesë përfaqësuesit e kësaj komune dhe ata të Qeverisë së Kosovës. Por, sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, pjesëmarrës në debat janë një numër i vogël i qytetarëve serbë dhe se shumica e të pranishmëve janë asamblistë komunalë, përfaqësues të OSBE-së dhe mediave.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se ura do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë, që do të kontribuoi në lehtësimin e kontakteve të qytetarëve në jug dhe veri.
“Tashmë është absurd vazhdimi i mbajtjes mbyllur të urës. Hapja nuk është dhe nuk do të jetë kundër askujt”, tha ai në nisje të debatit.
Disa qytetarë serbë, të pranishëm në debat, thanë se nuk është e nevojshme që të hapet ura dhe mjafton që ajo të jetë e hapur për këmbësor.
Ata po ashtu u ankuan për praninë e madhe policore në veriun e banuar me shumicë serbe.
Ndërkaq, Jeta Tela nga Ministria e Punëve të Brendshme tha se ky institucion është i përkushtuar që të rrisë bashkëpunimin mes policisë dhe komunitetit në këtë pjesë të Kosovës.
Serbët protestojnë në Mitrovicë të Veriut kundër hapjes së urës mbi Ibër
Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe dhe Qeveria e Kosovës, pavarësisht kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë se synon ta hapë atë për lëvizjen e automjeteve.
Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në korrik bëri të ditur synimin për hapjen e urës.
Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Për hapjen e urës, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në kuadër të dialogut, por ura vazhdon të jetë e hapur vetëm për këmbësorë.
Çfarë parasheh marrëveshja e Brukselit për urën mbi Ibër?
Në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, Kosova dhe Serbia më 2014 u pajtuan për hapjen e urës mbi lumin Ibër për trafik. Parashihej i ashtuquajturi revitalizim i urës, me qëllim të heqjes të të gjitha barrikadave dhe funksionalizimit të urës.
Barrikadat e para mbi urë u vendosën nga serbët lokalë në vitin 2011, për të kundërshtuar shtrirjen e autoritetit të Kosovës në veri të vendit.
Më 2014, barrikadat u zëvendësuan me mbjelljen e pemëve, që autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut, të udhëhequra nga Lista Serbe e quajtën “Parku i Paqes”.
Ky park u hoq në vitin 2016, pas çka ura duhej të hapej për trafik. Kosova dhe Serbia të njëjtin vit ranë dakord për një plan të ri zbatimi, që synonte tejkalimin e mosmarrëveshjeve rreth interpretimeve të ndryshme të konkluzioneve të mëparshme.
Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës duhej të ndodhte në janar të vitit 2017. Megjithatë, punimet për revitalizimin e urës përfunduan vetëm në qershor të vitit 2018. Në këtë projekt u investuan 1.5 milion euro.
Ura ende nuk është e hapur për automjete, por vetëm për këmbësorë.
Asamblistët e Kuvendit të Komunës së Mitrovicë të Veriut në prill të vitit të kaluar miratuan vendimin për hapjen e urës mbi Ibër, i cili më pas iu dërgua Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Nënkryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, në fund të majit tha se për zbatimin e këtij vendimi tani janë përgjegjëse institucionet qendrore, KFOR-i dhe Bashkimi Evropian.
Ai theksoi se me këtë vendim duhet të bien dakord edhe autoritetet lokale në Mitrovicën e Jugut.
*Lajmi është duke u përditësuar