TAIPEI, Tajvan – Duke filluar nga mësimdhënia në një shkollë të mesme në Kinë e deri tek përvoja e tij si anëtar i një komisioni të rëndësishëm të Kongresit mbi marrëdhëniet midis Pekinit dhe Uashingtonit, kandidati demokrat për nënpresident Tim Walz ka patur lidhje prej disa dekadash me Kinën që fillojnë që nga koha e protestave për demokraci të vitit 1989 në sheshin Tiananmen.
Zoti Walz ishte mësues i historisë dhe kulturës amerikane, si dhe i gjuhës angleze në shkollën e mesme Foshan në krahinën jugore kineze Guangdong në vitin 1989, vitin kur qindra mijëra studentë kinezë protestuan kundër Partisë Komuniste Kineze në pushtet në sheshin Tiananmen.
“Kina po hapej dhe kjo ishte arsyeja që shkova”, deklaroi zoti Walz në një intervistë për portalin ‘The Hill’ në Uashington, në vitin 2007. Gjatë mësimdhënies njëvjeçare në Kinë, nxënësit i dhanë nofkën “Fushat e Kinës” për shkak të mirësisë së tij.
Koha që qëndroi në Kinë, ndikoi në përshtypjet e tij për jetën e kinezëve nën Partinë Komuniste.
“Po të kishin një udhëheqje të mirëfilltë, arritjet e tyre nuk do të kishin kufi”, deklaroi ai në një intervistë për gazetën ‘Star Herald’ në vitin 1990, duke e përshkruar përvojën e mësimdhënies në Kinë si “njërën nga gjërat më të vlefshme” për të.
Interesimi i tij për Kinën nuk u ndal aty. Pas kthimit në Shtetet e Bashkuara, zoti Walz dhe bashkëshortja e tij themeluan një kompani të quajtur “Shkollimi përmes aventurave të udhëtimit” për të organizuar ekskursione verore të nxënësve amerikanë në Kinë.
Pesë vjet pas protestave në Sheshin Tiananmen dhe shtypjes së dhunshme të tyre nga qeveria kineze, zoti Walz u kthye në Kinë me bashkëshorten e tij për të kaluar atje muajin e mjaltit dhe me vete morën dy grupe nxënësish amerikanë. Ai dhe bashkëshortja e tij vazhduan të organizojnë programe verore për nxënësit amerikanë në Kinë deri në vitin 2003.
Aktivist për të drejtat e njeriut në Kinë
Pasi u zgjodh ligjvënës në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2007, zoti Walz vazhdoi të përqendrohet në çështjet që lidhen me Kinën. Si ligjvënës në Kongres, ai ishte pjesë e Komisionit ekzekutiv të Kongresit për Kinën, synimi i vetëm i të cilit është të merret me të drejtat e njeriut në Kinë.
Brenda një periudhe të shkurtër, zoti Walz u bë kritik i zëshëm i qeverisë kineze. Ai takoi rregullisht aktivistë të profilit të lartë nga Kina dhe Hong Kongu, përfshirë aktivistin Joshua Wong dhe udhëheqësin shpirtëror të Tibetit, Dalai Lama.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës në vitin 2014, zoti Walz përkujtoi përshtypjet si dëshmitar i protestave të studentëve në Sheshin Tiananmen. “E mbaj mend që u zgjova me 4 korrik me lajmin që kishte ndodhur e paimagjinueshmja”, deklaroi ai.
Ndonëse shumica e amerikanëve në atë kohë vendosën të largohen nga Kina për shkaqe sigurie pas protestave në Sheshin Tiananmen në vitin 1989, zoti Walz tha se ai besonte se ai “ishte një moment i rëndësishëm për të shkuar” në Kinë, ngaqë dëshironte të sigurohej se “ajo që po ndodhte duhej treguar”, si dhe për t’u përcjellë kinezëve mesazhin se bota e jashtme është me ta.
Veç angazhimit me aktivistë nga Kina dhe Hong Kongu, zoti Walz po ashtu propozoi bashkë me ligjvënës tjerë disa rezoluta për çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut në Kinë, përfshirë rezolutat që kërkonin lirimin e nobelistit kinez Liu Xiaobo dhe aktivistit Huang Qi. Ai po ashtu ka nënshkruar në cilësinë e garantuesit Deklaratën për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Hong Kong në vitin 2017.
Në njërën nga deklaratat e tij si ligjvënës në vitin 2016, zoti Walz theksoi rëndësinë e “dialogut konstruktiv” me Pekinin për të siguruar “mbrojtjen e kulturës tradicionale të Tibetit dhe ekologjinë e brishtë të tij.”
“Shtetet e Bashkuara u themeluan mbi idenë e lirive universale dhe unë besoj se duhet të vazhdojmë të nxisim qeverinë kineze që të mos ua kufizojë lirinë fetare tibetianëve”, deklaroi ai.
Politika e jashtme
Krahas të qenit kritik i zëshëm për të drejtat e njeriut në Kinë, zoti Walz gjithashtu ka shprehur shqetësim rreth përpjekjeve të Kinës për të zgjeruar praninë e saj në Detin e Kinës Jugore në vitin 2016, duke iu referuar planeve të Pekinit për të ndërtuar ishuj artificialë në ujërat e kontestuara, si dhe ka kundërshtuar përpjekjet e Uashingtonit për të zvogëluar buxhetin ushtarak.
Përkundër qëndrimit të tij të palëkundur për të drejtat e njeriut në Kinë dhe pranisë ushtarake, zoti Walz ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me Kinën. “Unë nuk jam në kategorinë e njerëzve që mendojnë se me Kinën duhet patjetër të kemi marrëdhënie armiqësore,” deklaroi ai në një intervistë për portalin ‘Agri Pulse.’
“Mendoj se duhet të qëndrojmë të palëkundur rreth asaj që Pekini po bën në Detin e Kinës Jugore, por ka shumë fusha të tjera bashkëpunimi ku mund të punojmë,” shtoi zoti Walz.
Disa analistë thonë se lidhjet e thella të zotit Walz me Kinën dhe e kaluara e tij në diplomacinë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara mund t’i ndihmojë dyshes demokrate të marrin vendime të informuara për politikën e jashtme, sidomos në çështjet që lidhen me Kinën.
“Mendoj se shumë njerëz që janë të shqetësuar për politikën e jashtme amerikane në këtë pjesë të botës, janë të lehtësuar me përzgjedhjen e tij si kandidat demokrat për nënpresident, për faktin se në këtë kombinim është dikush që është i informuar, që ka jetuar në rajon dhe që nuk e fillon nga e para përsa i përket politikës së jashtme amerikane në Azinë Lindore,” deklaroi profesori i shkencave politike Lev Nachman nga Universiteti Kombëtar i Tajvanit.
Ai tha se përmes përshtypjeve njerëzore që zoti Walz ka ndarë me publikun për kinezët, tibetianët dhe banorët e Hong Kongut, guvernatori i Minesotës mund t’i japë më shumë nuanca debatit për Kinën në Shtetet e Bashkuara.
“Ai mund të artikulojë nevojën për të kritikuar autoritarizmin e Kinës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në pjesë të ndryshme të botës në një mënyrë që nuk i përçmon kinezët, si dhe duke mos mbështetur retorikën e frikës që mbizotëron aktualisht në Shtetet e Bashkuara kur flitet për marrëdhëniet mes dy vendeve ,” deklaroi zoti Nachman për Zërin e Amerikës.