Françesku u drejton një letër kandidatëve për meshtari, veprimtarëve baritorë si dhe gjithë të krishterëve, për të nënvizuar “vlerën e leximit të romaneve dhe të poezive, në rrugën e pjekurisë personale”, sepse librat krijojnë hapësira të reja shpirtërore, pasurojnë, ndihmojnë për të përballuar jetën dhe të tjerët. Veprat letrare janë një lloj “palestre ku mund të stërvitemi”, shkruan Papa, dhe e ndihmojnë bariun “të hyjë në dialog të frytshëm me kulturën e kohës së tij”
R.SH. – Vatikan
Një libër i mirë të pasuron mendjen, të ngrohë zemrën, të stërvit për jetën. Kështu shkruan Papa Françesku, që mori laps e letër për t’i bërë priftërinjtë e ardhshëm, por edhe “të gjithë veprimtarët baritorë” dhe “çdo të krishterë”, të kuptojnë “vlerën e leximit të romaneve dhe poezive në rrugën e pjekurisë personale”. Me “Letrën për rolin e letërsisë në formim”, shkruar më 17 korrik dhe botuar sot, 4 gusht, Papa synon të “rizgjojë dashurinë për leximin” e, mbi të gjitha, “të propozojë ndryshimin rrënjësor të ritmit” në përgatitjen e kandidatëve për meshtari, në mënyrë që t’i jepet më shumë hapësirë leximit të veprave letrare. Për shkak se letërsia mund të “edukojë zemrën dhe mendjen e bariut” për “ushtrimin e lirë dhe të përvuajtur të arsyetimit të vet” dhe për “njohjen e frytshme të pluralizmit të gjuhëve njerëzore”. Mund të zgjerojë edhe ndjeshmërinë njerëzore, që të çojë në “hapjen shpirtërore. Për më tepër, detyra e besimtarëve, dhe e priftërinjve në veçanti, është “të ‘prekin’ zemrën e njeriut bashkëkohor, në mënyrë që ta prekë e ta hapë zemrën përpara shpalljes së Zotit Jezus”, dhe e gjithë kjo na mëson se ” kontributi që mund të ofrojnë letërsia dhe poezia mund kenë vlerë të pashoqe”.
Efektet e dobishme të leximit
Në tekst, Françesku para së gjithash nënvizon efektet e dobishme të një libri të mirë, i cili, “shpesh në mërzinë e pushimeve, në vapën dhe vetminë e disa lagjeve të shkreta”, mund të jetë “një oaz që na distancon nga zgjedhjet e tjera, të cilat nuk janë të mira për ne”, dhe që, në “çastet e lodhjes, të zemërimit, zhgënjimit, dështimit, dhe kur as në lutje nuk jemi ende në gjendje të gjejmë qetësinë e shpirtit”, mund të na ndihmojë për të kaluar çaste të vështira dhe të kemi pak më shumë qetësi”. Sepse ndoshta “ai lexim na merr për dore drejt hapësirave të reja shpirtërore” që na ndihmojnë të mos mbyllemi “në ato pak ide” obsesive, të cilat më pas “na zënë në kurth në mënyrë të pashmangshme”. Njerëzit iu kushtuan më shpesh leximit “përpara pranisë së pafundme të mediave, rrjeteve sociale, celularëve dhe pajisjeve të tjera”, vëren Papa, i cili thekson se në një produkt audiovizual, edhe pse “më i plotë”, “diferenca dhe koha për ‘pasurimin’ e rrëfimit ose interpretimin e tij, zakonisht zvogëlohen”, ndërsa me leximin e një libri “lexuesi bëhet shumë më aktiv”. Një vepër letrare është “tekst i gjallë dhe gjithmonë frytdhënës”. Ndodh që “ gjatë leximit, lexuesi pasurohet me atë që merr nga autori”, dhe kjo i krijon mundësi ta lulëzojë pasurinë e vetvetes”.
Kushtojini kohë letërsisë në seminare
Nëse është pozitive që “në disa seminare, fiksimi me ekranet – dhe me lajmet e rreme helmuese, sipërfaqësore dhe të dhunshme – kapërcehet dhe koha i kushtohet letërsisë”, leximit, bisedës për “libra, të rinj apo të vjetër, që vazhdojnë të na thonë shumë gjëra”, kujton Françesku, në përgjithësi, “në rrugën formuese të atyre që marrin përsipër shërbesën e shuguruar” nuk ka hapësirë të përshtashme për letërsinë, që shikohet si “shprehje e vogël e kulturës, e cila nuk do t’i përkiste rrugës” së përgatitjes dhe, rrjedhimisht, të përvojës konkrete baritore të priftërinjve të ardhshëm”. “Ky mendim nuk është i mirë”, thekson Papa, ai çon në “një formë varfërimi serioz intelektual dhe shpirtëror të priftërinjve të ardhshëm”, të cilët nuk kanë “mundësi të privilegjuar, pikërisht përmes letërsisë, të hyjnë në zemrën e kulturës njerëzore e sidomos, në zemrën e njeriut”. Sepse, në praktikë, letërsia ka të bëjë “me atë që secili prej nesh dëshiron nga jeta” dhe “hyn në marrëdhënie intime me jetën tonë konkrete, me tensionet e saj themelore, me dëshirat dhe kuptimet e saj”.
Librat, shokë udhe
Duke kujtuar vitet e mësimdhënies së tij në një shkollë jezuite në Santa Fe, ndërmjet viteve 1964 dhe 1965, Papa, si mësues i letërsisë, tregon se studentët duhej të studionin El Cid, ndërsa ata “kërkonin të lexonin García Lorca-n”. “Kështu vendosa që ata të studionin El Cid në shtëpi dhe gjatë mësimeve të diskutoja për autorët që u pëlqenin më shumë nxënësve”, kujton Françesku, duke shtuar se ata preferonin “vepra letrare bashkëkohore”, por se “duke lexuar këto gjëra, që i tërhiqnin në çast fitonin shije më të përgjithshme për letërsinë, poezinë, për të kaluar më pas te autorët e tjerë”, sepse “në fund të fundit, zemra kërkon më shumë dhe secili e gjen rrugën e vet në botën letrare”. Në këtë drejtim, Papa pohon se i do “artistët tragjikë, sepse ne të gjithë mund t’i ndjejmë veprat e tyre si tonat, si shprehje të dramave tona”. Papa paralajmëron se nuk duhet “të lexohet diçka me detyrim”, se duhen zgjedhë leximet “me çiltërsi, habi, fleksibilitet”.
Për të takuar Jezusin e mishëruar
Sot, për t’iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme etjes së shumë njerëzve për Zotin, në mënyrë që të mos përpiqen ta shuajnë atë me propozime tjetërsuese ose me një Jezu Krisht pa korp, besimtarët dhe priftërinjtë, në shpalljen e Ungjillit, duhet të angazhohen që “të gjithë mund të takohen me një Jezus Krisht të mishëruar, të bërë njeri, të bërë histori”. Nuk duhet të harrojmë kurrë “korpin” e Krishtit”, porosit Papa, “atë korp të krijuar nga pasione, emocione, ndjenja, histori konkrete; ato duar, që prekin dhe shërojnë; shikimet që çlirojnë dhe inkurajojnë, mikpritjet, faljen, guximin: me një fjalë të vetme, dashurinë”. Për këtë arsye, vëren Françesku, “një njohje e kujdesshme e letërsisë mund t’i bëjë priftërinjtë e ardhshëm dhe të gjithë veprimtarët baritorë edhe më të ndjeshëm ndaj humanizmit të plotë” të Krishtit.
Zakoni i të lexuarit ka rezultate pozitive
Në letër, Papa thekson edhe pasojat pozitive që lindin për studiuesit nga “zakoni i të lexuarit”, i cili ndihmon “për të përvetësuar një fjalor më të gjerë”, “për të zhvilluar aspekte të ndryshme” të inteligjencës së dikujt”, “gjithashtu nxit imagjinatën dhe krijimtarinë”, “të lejon të mësosh të shprehësh rrëfimet tuaja në një mënyrë më të pasur”, “përmirëson aftësinë për t’u përqendruar, zvogëlon nivelet e përkeqësimit kognitiv, qetëson stresin dhe ankthin”. Konkretisht, leximi “na përgatit të kuptojmë dhe, si rrjedhojë, të përballemi me situata të ndryshme që mund të krijohen në jetë”, vazhdon Françesku, që më pas kujton se “në lexim ne zhytemi në personazhet, shqetësimet, dramat, rreziqet, frikën e njerëzve që i kanë kapërcyer në fund sfidat e jetës”. E me Borges-in mund të shkojmë aq larg sa ta përkufizojmë letërsinë si “dëgjim i zërit të dikujt”.
Ngadalëso, medito, dëgjo!
Letërsia shërben “për ta jetuar në mënyrë efektive jetën”. Nëse “vështrimi ynë i zakonshëm ndaj botës “zvogëlohet” dhe kufizohet për shkak të presionit” të angazhimeve të ndryshme personale dhe “madje edhe shërbimi-kultik, baritor, bamirës bëhet “thjesht diçka për t’u bërë”, rreziku është ai “i rënies në efikasitet që banalizon aftësinë dalluese, varfëron ndjeshmërinë dhe redukton kompleksitetin”. E kështu në “jetën tonë të përditshme” duhet të mësojmë “të distancohemi nga ajo që është e menjëhershme”, këshillon Papa, “të ngadalësojmë, të meditojmë dhe të dëgjojmë”, gjë që mund të ndodhë kur ndalojmë për të lexuar një libër. Ne duhet të “rikuperojmë mënyra mikpritëse, jostrategjike të lidhjes me realitetin”, na duhet “distanca, ngadalësia, liria” për qëndrimin ndaj realitetit, me fjalë të thjeshta.
Ne kemi nevojë “të rifitojmë mënyra mikpritëse, jostrategjike të lidhjes me realitetin”, kemi nevojë për “largësinë, ngadalësinë, lirinë” për qëndrim ndaj realitetit, me fjalë të thjeshta, e letërsia na lejon, të “stërvitim shikimin tonë për të kërkuar dhe për të zbuluar të vërtetat e njerëzve dhe të situatave”, gjë që “na ndihmon të shprehim praninë tonë në botë”.
Për më tepër, Papa këmbëngul: “Duke lexuar një tekst letrar ne shohim me sytë e të tjerëve, zhvillojmë “fuqinë empatike të imagjinatës”, “zbulojmë se ajo që ndiejmë nuk është vetëm jona, është universale dhe kështu edhe njeriu më i braktisur, nuk ndihet vetëm”.