Në veprimtarinë shkencore të Dhimitër S. Shuteriqit spikatin thellësia dhe gjerësia. Analizat e tij përfundojnë në sinteza të qëndrueshme, shpesh përfundimtare. Këtë libër, përmbledhje dokumentesh e shënimesh, të shoqëruara me komente për historinë e shekullit XV, për shekullin tragjik të historisë arbërore, autori e përgatiti në vitet e fundit të jetës, kur mendoi se kishte siguruar një material të mjaftueshëm dhe njohuri të sakta për të pasur një vizion pak a shumë të plotë për kohën. Shumica e këtyre dokumenteve, kronikave dhe librave ka fituar vlerat e vërtetësisë shkencore edhe në sajë të punës studimore krahasuese[1] të historianëve tanë të Mesjetës.
Në qendër të shekullit XV qëndronte figura madhore e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Ajo ka ndezur imagjinatën e brezave shqiptarë, sidomos gjatë lëvizjes së Rilindjes Kombëtare, e cila u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912. Me figurën e kryeheroit, Shuteriqi qe i lidhur qysh në moshë të re, sepse për të flitej shumë në librat e autorëve arbëreshë që kishte në bibliotekën e tij i ati, Simon Shuteriqi, Mësues i Popullit. Pastaj gjatë Luftës Antifashiste, në vitet ’40 atë e tërhoqën legjendat e gjalla për Skënderbeun dhe sidomos ato që dëgjonte për Gjorg Golemin në Çermenikë e në vise të tjera lindore të Shqipërisë kur ishte partizan.
I apasionuar pas dokumentit dhe njëkohësisht shkrimtar dhe studiues, ai nisi të grumbullonte qysh në fillimet e punës intelektuale shënime që i radhiti nëpër skeda. Skedat e tij nuk ishin rastësore, ato ishin fryt i një plani konceptual që donte të rrokte me një vështrim tërësor, zanafillën e shkrimit dhe të kulturës shqipe. Këto kërkime dhe studime e futën pastaj detyrimisht edhe në burimet e rrjedhat e historisë së viseve arbërore.
Po ta shohësh veprën e tij të botuar, e cila ka marrë formën e një monumenti për kulturën shqipe, do të dallosh frymën konceptuale që karakterizon pjesën më të madhe të librave të tij : Shkrimet shqipe në vitet 1332 – 1850 (1965) dhe ribotuar disa herë, e që u botua (si veper) postume më 2005, me titull të rikonceptuar nga vetë autori, me lëndën e re që ngjitej edhe 5 shekuj përpara: Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800, me plotësimet që i bëri ai deri në fund të jetës ; Nëpër shekuj letrarë, studime (1973) ; Gjurmime letrare, studime (1974); Moti i madh, postume, (2006) ; Dëshmi parabuzukiane të fjalës shqipe, postume (2010), Aranitët: historia-gjenealogjia-zotërimet, postume (2011) ; Fjalori i Naim Frashërit, postume (2012), etj. Më herët ai kishte botuar: Andon Zako Çajupi (1950) dhe (1957); Kënga e popullit (1955) ; Historia e Letërsisë Shqipe I, Universiteti Shtetëror i Tiranës (1959) ; Këngët e Milosaos, Jeronim De Rada përshtatur në shqipen e sotme (1964) ; Autorë dhe tekste (1977) ; Mbi Barletin dhe shkrime të tjera (1979) ; Naim Frashëri, jeta dhe vepra (1982) ; Historia e Letërsisë Shqiptare që nga fillimet deri te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, kryeredaktor, Akademia e Shkencave (1983) ; Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera (1987). Nga kënga e popullit, Mbledhës të folklorit, 9 Akademia e Shkencave dhe Instituti i Kulturës Popullore (1991) ; Mili e Hajdhia, Zef Skiro (Giusepe Schiro), poemë, përshtatur në shqipen e sotme (1992) etj.
*
Dokumentet për Skënderbeun dhe Aranitin në të vërtetë mbushën dosje të tëra, prandaj Shuteriqi ndërtoi edhe një skedar që ndodhet në dhomën e tij të punës.[2] Nëpër sirtarët e skedarit ka shënime e të dhëna për shumë figura të shquara të kulturës dhe historisë shqiptare, në të cilat përzihen analiza dhe sinteza. Si erudit i madh që ishte, ai kishte mendimin e tij të pavarur, të mbështetur në teza dhe kundërteza, por edhe në përfundime shkencore.
Në librat studimorë Shuteriqi ka shtruar probleme shumë të rëndësishme, duke u futur thellë në historinë e kulturës me një seriozitet të gjithhershëm dhe që e karakterizon edhe këtë tekst. « […] krijimet e tij përcjellin probleme e shqetësime ekzistenciale për vendin e për kombin […] », shkruan historiani Pëlllumb Xhufi (Dr.Prof.) në « Hyrje ».
Puna e tij kërkimore u ngjan kërkuesve të arit. Duke e zgjeruar rrethin e veprimtarisë së tij krijuese, autori u zhyt thellë në histori, sepse dija e tij e gjerë kërkonte shumë hapësirë. Njohja me dokumentet autentike për Shqipërinë e frymëzoi Shuteriqin të shkruante edhe disa tregime historike për figura si Marin Barleti, Pjetër Budi, Dhaskal Todri, Dora d’Istria, Ismail Qemali e të tjerë. Ndër më të shquarit prej tregimeve historike është Ditët e sprasme të Gjorg Golemit. Disa tregime të tjera u përdorën për skenar filmash si : Udha e shkronjave, kushtuar Dhaskal Todrit, Nëntori i dytë, kushtuar Ismail Qemalit dhe Shpalljes së Pavarësisë, Baltrave të Myzeqesë, kushtuar Tefta Tashkos…
Qysh në vitin 1965, Shuteriqi, kishte botuar në revistën Studime Historike, shkrimin : « Aranitët : Emri dhe gjenealogjia ». « Me Gjergj Aranitin familja e Aranitëve arriti kulmet e lavdisë. Gjergji, vjehrri i ardhshëm i Skënderbeut dha i pari sinjalin e kryengritjes së madhe antiturke në Shqipëri. Më 1443 me sulmin kundër turqve në Maqedoni ai « i çeli rrugën kthimit të Skënderbeut për t’u vënë në ballë të qëndresës së madhe shqiptare » (Moti i Madh, f. 9).Pa atë qëndresë emri shqiptar mund të ishte shuar dhe identiteti ynë mund të ishte shkrirë apo edhe të ishte zhdukur.
Për të krijuar kontekstin historik të veprës çlirimtare të Gjergj Kastriotit, ai i ngjiti kërkimet gjer në vitet 1379-1380 kur nis inkursioni i parë turk në Shqipëri dhe i shpuri ato më tej, pas vdekjes së Skënderbeut, deri më 1479, kur ndodhi Rrethimi i dytë i Shkodrës. Kështu, me një shekull historie që jetonte në 1400 e ca dokumente e shënime, ai e ndieu se mund t’i përmblidhte ato në një libër.
Leximi, qëmtimi dhe krahasimi i dokumenteve sidomos për luftërat e Skënderbeut, ishte një punë tërheqëse, shpirtërore për Shuteriqin. Pastaj erdhi libri i Barletit Historia e Skënderbeut, përkthyer në shqip nga Kristaq Prifti dhe Henrik Lacaj. Dokumentet që kishte siguruar nëpër Biblioteka dhe arkiva si dhe shënimet apo komentet krahasuese, ishin një pasuri që nuk duhej të humbiste. Prandaj ai zuri t’i hidhte me makinë shkrimi më 17 janar 1993, datë përkujtimore e vdekjes së Gjergj Kastriotit. Në « Parathënie » ai shkruan :
« Një ditë të vitit që kaloi thashë :
Bëj një punë tani në shkurtim të urëve : sistemoje këtë skedar. Do të rijetosh, në këtë thyerje të ditës, madhështinë e diellit që bie. Diell qe Skënderbeu… Ka aty mësime realizmi, qëndrese, krenarie » (f.10).
Vizioni i tij është largpamës. Me punën e tij, edhe si akt fisnikërie, ai shenjtëronte figurën më të madhe historike të kombit, të vërtetuar e të rivërtetuar tashmë disa herë. Është e kuptueshme, ai ishte bir i një prej familjeve patriote të Elbasanit. I ati i tij, Simoni, kishte krijuar klubin patriotik Afërdita më 1908 ; qe sekretar i Kongresit Arsimor të Elbasanit, 1909 ; ishte një ndër mësuesit e parë të Normales etj., dhe e kishte shkruar me dorën e vet telegramin që i dërguan Ismail Qemalit në Vlorë patriotët e Elbasanit më 1912. Duke u mështetur te jetëshkrimi i tij, mund të veçojmë edhe se Shuteriqi ishte nip i Kostandin Kristoforidhit, i cili ka shkruar ndër të parët vepra shkencore për gjuhën shqipe : Gramatika e gjuhës shqipe (1882) dhe Fjalori i gjuhës shqipe, që u botua në Athinë më 1904. Pastaj, lidhjet rrethanore të familjes Shuteriqi me Mihal Gramenon, Foqion Postolin, Luigj Gurakuqin, Sotir Pecin, Aleksandër Xhuvanin e të tjerë, lanë gjurmë të forta në personalitetin e tij.
Këtë libër Shuteriqi e titulloi Moti i Madh, ashtu si e pati quajtur poeti i mërguar De Rada kohën e Skënderbeut. Dokumentet e shekullit të lavdishëm e të përgjakshëm XV, nisin në vitin 1379 me një dokument që autori i vë numrin 1, kur vdes në Shkodër Balsha I dhe pastaj vjen komenti i tij i qartë me një shqipe të rrjedhshme, elegante : « I vëllai, Balsha II (1378-85), që i zuri vendin, u bë më i shquari i kësaj familjeje feudale » (f.13).
Radhitja e dokumenteve ëshë bërë sipas kronologjisë, kjo është e natyrshme, por nxjerrja në pah e elementeve kryesore të tyre me shembuj, komente dhe krahasime, sjellin jehonën e kohës kur u shkruan. Lexuesi « sheh » historinë që ecën me skenat e saj të pamëshirshme : pushtime, vrasje, djegie, shkatërrimet.
4 : 1380, verë. Inkursioni i parë turk, në tokat shqiptare ngjet në zotërimet e Gjin Zenebizit, në viset çame. Ushtrinë osmane e komandonte Shahin Beu ose Lala Shahini. Hron. Joanninon 23. (f.13).
15 : 1384. Turqit përsëritën sulmet mbi viset shqiptare. Timurtashi sulmoi Artën. Gjin Bua Shpata thirri në ndihmë të vjehrrin, Thoma Preljuboviçin. Hron. Joanninon 27. Bozhori, BB 29. Pulaha, në StH 1/1968, 128. (f.18)
16 : 1384-5. Pikturohet kisha e Sh. Athanasit, e ndërtuar nga Muzakajt, në Kostur. Macedonia 415.
35 : 1388. Turqit depërtojnë gjer në Vlorë, Durrës, Lezhë. Fillon kështu pushtimi i Shqipërisë së Jugut. HShq I 241. (f.19).
95 : 1400, rreth. Emri Arbër, Arbëri, përfshin mbarë vendin edhe Janinë e Artë, sipas kronikës së Tokojve. Çabej, në StF 1/1979, 46-7 (f. 29).
110 : 1402, 8.V. Në Shkodër, Drisht e Lezhë ka rënë murtaja, që kishte rënë dhe në Peloponez (në Modon). Po aty 118. (f.31).
Po të vihet re, Shuteriqi sjell edhe ngjarje të tjera, të nxjerra nga dokumentet e kohës.
150 :1406, 2. VI. Gjon Kastrioti ka dërguar në Venedik ambasadorin presbiter Vukatanin (Vulcata), të cilin papa e rekomandon veçanërisht. Ai është ambasador edhe i zotërinjve të tjerë të anëve të Shqipërisë (partium Albanie). AV. III 1197. (f.31).
« Është dokumenti i parë që dimë se flet për t’anë e Skënderbeut » (f. 37).
Autori këtu hedh dritë mbi një të vërtetë orientuese. Pastaj vjen një sqarim i plotë për dokumentin me numër 153, të vitit 1407 që lidhet me një ankesë të Gjonit, të atit të Skënderbeuet drejtuar Sinjorisë për të ruajtur disa famulli të Peshkopatës së Arbrit […] :
« Dihet se Sh. Mëria e Ndërfandës në Gëziqin e sotëm, ishte një qendër e princave të Arbrit të shekullit XIII-XIV. Aty kemi gjetur mbishkrimin që flet për ta (shih në StH 3/1967, 131-158, ku e botojmë atë mbishkrim) ». (f. 38).
Këtu është rasti të riflitet për zbulimin shumë të rëndësishëm të tij në Mirditë, kur shkoi të punonte në bazë. Si ndodhi që « aristokrati » i letrave shqipe, me studime franceze zgjodhi një vend të largët dhe mbase të pazhvilluar për kohën ? Sigurisht, formimi i tij kulturor kërkonte që ai të shkonte në një zonë të panjohur për të. Ai arriti t’i zbulonte mbishkrimet mesjetare mes gurëve të një kishe të rrënuar, se ishte përherë në kërkim të gjurmëve të asaj periudhe që ishte e mjegulluar edhe për shumë vende të zhvilluara të Europës. Dija e gjerë dhe kureshtja shkencore, bashkoheshin me frymën atdhetare që dallonte të gjitha punët e Shuteriqit e që i dhanë frytet e veta edhe me disa punime të rralla për historinë e shtetit të Arbrit dhe të Aranitëve si dhe për historinë e lëvizjeve kulturore-fetare dhe herezinë mesjetare shqiptare, ashtu siç e thekson edhe historiani Pëllumb Xhufi. Studime të tilla janë themelore për kulturën dhe historinë.
207 : 1413-14. […] Ka autorë që mohojnë vajtjen e Skënderbeut peng që fëmijë. Midis tyre Pastor, Hist. e papëve, bot. fr. 1888, II 399, shkruan : « krejt në të kundërtën, Skënderbeu e kaloi gjithë rininë e tij në malet e vendit të vet » (Jireacek, GB 368, sipas Noli 97, sh.88. Dhe veçanërisht Noli, në HS të tij anglisht të vitit 1947, 29. […]. (f.49).
Në dokumentin e mësipërm, autori sjell shembuj të ndryshëm për një problem të pandriçuar mirë deri atëherë, lidhur me jetën e Skënderbeut.
271 : 1420, 25. II. Letër përcjellëse, dhënë nga Gjon Kastrioti tregtarëve venedikas që vinë në skelën e tij, […] Thalloczy-Jireacek, Zwei Urkund, 146. Vendi ku u bë kjo shkresë nuk shënohet.
Sqarimi i mëtejshëm i Shuteriqit : Gjoni zotohet në emrin e tij e të djemve, të cilët duhet t’i ketë në shtëpi. (f. 62).
428 : 1437, 8. VI. Sipas kronistëve osmanë, këtë vit shqiptarët u hodhën në kryengritje […].
443 :1438. Theodhor Korona Muzaka, në kryengitje që nga viti i kaluar… ; ai u thye nga Turhan Pasha, i cili erdhi me një fuqi të madhe… Myzeqeja u rrënua. Turqit bënë një piramidë me kokat e shqiptarëve të vrarë. Ata vranë të pesë djemtë e Vlash Muzakës, të cilëve ua thyen kockat me çekan. Biemmi 236. Hopf, Chron. 286. Gegaj 52-3. HShq. I 248, bot. Prishtinë. (f.101).
499 : 1443, 3, XI. Huniadi i mundi turqit në Nish. Është koha kur Skënderbeu e braktis kampin turk. Hammer, bot. fr. XVII 286, jep si datë të arratisjes së tij 10 nëntorin.
500 : 1443, 28. XI. Skënderbeu « u shpall zot i principatës së pavarur të Kastriotëve… », HShq. I 274…
Në vitin 1443, në defterin e Sanxhakut të Arbërisë 835H, mungojnë ndryshimet…Kjo tregon se në Shqipëri shumica e krahinave ishin të lira… Pra, Skënderbeu e gjeti të përgatitur vendin mirë për aksionin e tij.
510 : 1444, 2. III. U mblodh Kuvendi i Lezhës.
Shuteriqi krijon një narracion historik dhe e bën tekstin sa më konkret për të realizuar qëllimin e veprës së tij : të transmetojë sa më saktë e rrjedhshëm ngjarjet përmes dokumenteve e citimeve burimore :
Barleti shkruan se në Kuvend morën pjesë : Gjergj Araniti, Andrea Topia, Nikollë Dukagjini (të tre kishin qenë në ballë të kryengritjeve të viteve ’30). Andrea kishte me vete dhe të birin, Kominin. Nga Dukagjinët ishte edhe Pali (Nikolla kishte marrë një vajzë të Aranitit) … Në Kuvend ishte Gjergj Strez Balsha (nip i Skënderbeut nga një motër). Aty ishte edhe Stefan cërnoviçi i Malit të zi (të cilit Skënderbeu i pati dhënë një motër). Nga Veriu ishin gjithashtu Lekë Zaharia, Pjetër Spani (me të katër djemtë e tij, Aleksin, Bozhidarin, Vruon e Mirkon), Lekë e Pjetër Dushmani (bashkë me fisnikë fqinjë të tyre). Nga Jugu, Theodhor Korona Muzaka i Beratit. …
Mbi Kuvendin e Lezhës flet edhe Muzaka (Hopf, Chron. 274-5 ; pas tij edhe Frëngu, bot. 1539, 8. Lavardini, bot. 1597, 37, shkruan se atje Skënderbeu u zgjodh mbret i Shqipërisë (Scanderbege esleu roy d’Albanie) … Cuniberti 35 e vendos mbajtjen e Kuvendit në pranverë 1444. Cvetovka, La bataille des peuples, Sofje, 1971, 293, thotë se aty morën pjesë përveç Cërnojeviçit të Malit të Zi « edhe përfaqësues të komuneve të lira serbe, zëdhënëse të vullnetit të popullor ». […]. (f. 116, 117, 118).
518 : 1444, verë : Skënderbeu thyen të parën ushtri turke që sulltan Murati II dërgoi kundër tij (f. 119).
Ka pra, një besimtari patriotike në punën e Shuteriqit si arkitekt i një libri që pas shumë vitesh pune për grumbullimin e lëndës, ka kërkuar zotësinë e tij edhe për ta ndërtuar atë që sot mund të krahasohet me një katedrale.
545 : 1445, 10. X. Beteja e Mokrenës.
Ekspedita turke që dërgoi Murati kundër Shqipërisë, … ishin 9000 vetë, këmbësorë dhe kalorës. Skënderbeu ua kishte vënë pritën në « një luginë të ngushtë… e që ishte e vetmja rrugë kalimi për barbarin » : Barleti, Biemmi, Cutolo, Gegaj, Noli. (f. 129).
Në tekst, ashtu si e kemi thënë, herë pas here ka edhe dokumente të tjera të kohës, që autori i ka hasur gjatë kërkimeve për atë periudhë, si :
552 : 1446, përpara. Një anonim Grek, në një panegjerik mbi Manuel dhe Jani Paleologun VIII, i quan shqiptarët ilirë. « Tani i gjithë ai vend (Epiri) banohet në grupe të vegjël nga arbëreshët, popullsi ilire. Kjo popullsi është nomade dhe bën jetën e mjeruar ». Bozhori, BTB 318 (f.131).
634 : 1450, V. Rrethimi i parë i Krujës. (f.155).
Për këtë ngjarje flitet në shumë kronika të epokës si dhe në studime e libra dhe autori bën një përmbledhje duke përmendur : Kemal, Saddedin, Neshri, Sollakzade, Halkokondila, Kritobuli dhe kuptohet Barleti me librin e tij, Biemmi, Stefano Magno, Fallmerayer, Noli gjithashtu me Historia e Skënderbeut (1947), Marinesco, Cutolo, Gegaj dhe të tjerë. « […]
Sulltani që « të nesërmen » i dërgoi Vranakontit, mbrojtësit të Krujës lajmëtarë që të dorëzonte qytetin, duke i premtuar se mund të largohej i lirë bashkë me rojen e me gjithë sendet, duke i falur edhe 200 mijë aspra…Vranakonti nuk pranoi…Krujën, sipas Barletit, Skënderbeu e boshatisi me kohë nga njerëzit… Ai la atje 2 mijë burra për të mbrojtur qytetin. Midis tyre kishte italianë, gjermanë, francezë…
Skënderbeu qëndroi jashtë kështjellës, me rreth 8 mijë, midis të cilëve shumë kalorës. Ai veproi sidomos që nga Mali i Tushemishtit (sot Mali i Skënderbeut) … duke e sulmuar armikun në befasi… Si komandantë Skënderbeu kishte me vete Mojsiun…Tanush Topinë…dhe Gjergj Strezin (Balsha).
Turqit kishin 160 mijë ushtarë…e mbajtën të rrethuar Kështjellën rreth pesë muaj dhe pastaj u tërhoqën…sipas Jireacek, GS II 193, « Skëndrebeu u bë një nga burrat më të famshëm të kohës ».
Halkokondila (Bozhori, BB 55-7) i kushton vëmendje Rrethimit të Parë të Krujës… « Shqiptarët treguan një rezistencë që nuk shprehej » … Huniadi e mori vesh lajmin nga Gjergj Brankoviçi … Fallmerayer shkroi se me Rrethimin e parë të Krujës « mbaronte akti i parë i dramës së madhe shqiptare ». (f.155, 156, 157, 158).
Libri Moti i Madh ngjan si një rrëfim mes zhurmave e flakëve të një lufte të tmerrshme. Aty ndihet fuqia e shkrimit që sjell të gjallë kohën dhe ngjarjet si mjet shpëtimtar kundër harresës.
655 : 1451 fillim. Murati i dytë (ai vdiq në shkurt) qorron Stefanin, të birin e Gjergj Brankoviçit, me gjithë një vëlla të Stefanit. Babinger, Ende Aranit, 33.
Murati i kishte ata kunetër, duke pasur për grua motrën e tyre Marën. (f.164).
663 : 1451, 26. III. Traktati i Alfonsit V me Skënderbeun, i nënshkruar në Gaeta… (f.166, 167, 168).
Komenti : Me traktatin me Alfonsin, Skënderbeu bëri vërtet « një hap taktik ». Ai angazhoi kështu për luftën kundër turqve, përkrah tij, një fuqi të madhe.
670 : 1451, 23. V. Alfonsi i shkruan Skënderbeut, se po i dërgon 100 këmbësorë dhe 2 oficerë. Skënderbeu quhet i « madhnueshëm », « zot i Krujës, i devotshmi ynë i dashur ». Radoniç 45, Shih edhe Marinesco 46-7, sh 3.
Korrespondenca midis dy palëve është shpeshuar pas nënshkrimit të Traktatit të Gaetës. (f.170)
677 : 1451. Kritobuli i Imbrosit, në « Historia e Mehmetit II », shqiptarët i quan vazhdimisht ilirë. (f.173).
689 : 1451-69. Garnizoni aragonez qëndroi në Krujë gjer pas vitit 1468. Noli, Sc 49 (f.175).
705 : 1452, 21. VII. U zhvillua beteja e Modricës, sipas Biemmi 293-4, që pranon HShq. I 296. Turqit u thyen…
735 : 1453, 29. V. Mehmeti II merr Kostantinopolin ; Hammer, bot. fr. XVII 262.
Mehmeti donte ta tejkalonteAleksandrin e Madh, ta bënte Stambollin qendër të një monarkie universale, të vetme. Ai marshoi drejt Lindjes, ky drejt Perëndimit. Babinger, Maometto 608-9. (f.187).
Kur autori ka zbuluar dokumente të reja, i emërton ato me shkronja alfabeti pas numrit përkatës, Për shembull :
740 : 1453,18. IX. Senati i Venedikut i shkruan Skënderbeut. Janë të kënaqur nga çfarë u shkruan konti i Shkodrës…
740/a : 1453, 25. IX. Pal Gazulli e Theodor Jafet-i, ambasadorë të Skënderbeut, janë në Raguzë….
740/b : 1453, 30. IX. Papa lëshon një bulë për kryqëzatë kundër turqve…
740/c : 1453. (f.189). .
763 : 1454, 14. VI. Alfonsi dërgon në Shqipëri « këshilltarin e mëkëmbësin » e tij, Ramon de Ortafa… Letra i drejtohet « të madhnueshmit e të fortit burrë Gjergj Kastriotit, i quajtur Skënderbe… » (f.194).
798 : 1455, 26. VII, Shqiptarët u thyen keq nga turqit në Berat. Barleti shkruan gjatë për këtë në Lib. VIII të HS 323-52.
Personazhet historike i kanë dhënë formë dhe emër çdo kohe. Këtu autori bën një ndërhyrje të gjatë rreth katër faqe, pa iu larguar burimit, ashtu si ndodh në raste të tjera. Disa dokumente janë të kohës kur u zhvillua ngjarja. Ai analizon elementet e tyre të përbashkëta dhe mospajtimet :
Në faqen 208 lexojmë : HShq. I 277, bot. Prishtinë, vë re se, pas disfatës së Beratit « Alfonsi hoqi dorë përfundimisht nga ndihma ushtarake. Venediku « gjeti » rastin për të eliminuar Skënderbeun « duke kujtuar se tashmë i erdhi fundi rezistencës shqiptare » (edhe Raguza e gjente situatën të humbur), Hopf. Griech. II 134. Venedikasit « vrapuan të merrreshin vesh me turqit ose të siguronin strehim për feudalët shqiptarë, që u prishën me Skënderbeun… (f.204-208).
Përsëri dokumenti më poshtë që ka lidhje me ngjarjen e kobshme të Beratit, është sintezë e shumë burimeve të shkruara në atë kohë dhe më vonë.
799 : 1455, VII. Duke lënë turqit të kalonin kufirin nga Dibra dhe të vinin të shpëtonin Beratin, ku ishte rrethuar garnizoni i tyre. Mojsi Golemi e tradhtoi Skënderbeun…
Marinesco 101, thotë se : Venediku i nxiste zotërit shqiptarëe, që të ngrinin krye kundër Skënderbeut … (f. 209, 9).
Në disa dokumente, Skënderbeu del njëkohësisht strateg lufte dhe politikan, ndaj autori kujdeset që në paraqitjen e dokumenteve të tilla, pavarësisht nga shkurtimet e domosdoshme, të ruhet ideja.
830 : 1456, 8. IV. Skënderbeu që nga Lezha, i shkruan kardinalit të Fermos…Veten e quan « dominus in Albania ». Turku, « thonë » se është « duke u derdhur me 14 mijë, ose kundër nesh, ose kundër Danubit ». Po të marrë rrugën drejt Danubit, shqiptarët do t’i bien pas shpine. Po të vijë këndej, shqiptarët do të rezistojnë. « Të gjithë e dinë se, sikur të hiqej dorë nga plani » (i një fushate kundër turqve, që kishte proklamuar papa një vit më parë 15. V. 1455), « kjo është e dëmshme për fenë e krishterë ». (f.216).
855 : 1456, 14-22. VII. Huniadi fiton betejën kundër turqve në Beograd. Hammer, bot. fr. XVII 268.
Huniadi do të vdiste pas një muaji. (f.225).
894 : 1457, 9. VI. Papa i dërgon Skënderbeut ndihmë 200 ushtarë, ushqime, armatime, duke premtuar dhe të tjera (që nuk i dërgoi). Ai ka marrë 2 letra nga Kastrioti. I shkruan : « Emri yt i lumtur është i përhapur në të gjithë popujt katolikë, për gjithë këto punë të mira që ke kryer për këtë fitore të shkëlqyer » … (Rainaldi, Radoniç. Burime historike. (f.234).
898 : 1457, verë. Isak pasha dhe Hamza Kastrioti janë nisur kundër Skënderbeut, shkruan Barleti. …U mundën turqit. Fjala është për betejën e Albulenës. Hamzai u kap. Skënderbeu urdhëroi të mos e vrisnin, por e dërgoi në burg në Napoli). Piu II e ka ngritur shumë lart këtë fitore. Për këtë betejë flasin edhe kronistët osmanë. (f.237).
Autori sjell dokumente që tregojnë se Skënderbeu mendonte edhe për njerëzit e thjeshtë që përballeshin me luftën, jo vetëm për luftëtarët. Nuk janë të pakta rastet kur ai i kërkon sulltanit paqe për 3, 5, apo edhe 10 vjet.
1078 : 1462. 4. II. Në Raguzë merren vendime për pritjen e përcjelljen e Skënderbeut, si dhe për shpenzimet. Në dorë do t’i jepen një mijë perperë. Radoniç, 230. (f.280).
1087 : Skënderbeu blen grurë në Trani. Ducellier në Etudes Balk. 1/1978, 64, sh. 91… (f.284).
1204 : 1465. Barleti, HS 445-66 përshkruan të 3 ekspeditat që bëri kundër Shqipërisë turku më 1464-5.
Shuteriqi bën një përmbledhje :
Pasi theu ushtrinë e Sheremet beut në afërsitë e Ohrit më 1464, vitin që erdhi ai theu edhe Ballaban pashën në Vajkal (në fushën e sotme të Bulqizës) dhe Jakub Arnautin në Kashar (Tiranë) ; Jakubi u vra…
Kur Mehmeti II mori Kostandiopolin, Ballabani ishte ngjitur i pari në muret e kishte hyrë brenda… (f. 312,3,4,5).
1247, 1466, verë. U zhvillua fushata e madhe e Mehmetit II kundër Shqipërisë, duke rrethuar Krujën e duke ndërtuar kështjellën e Elbasanit. […]
Këtu autori bën një panoramë të situatës : Barleti shkruan se Mehmeti vuri njerëz që ta zhduknin Skënderbeun me helm ose me hekur…Krujën e mbronin shqiptarë dhe italianë… Rrethimin ia bëri Ballabani. Skënderbeu sulmonte çdo ditë nga jashtë kampin e sulltanit. Mehmeti duke parë se po kishte humbje të mëdha, vendosi të largohej për Bizant e la aty Ballabanin…
Skënderbeu u nis për Romë për të kërkuar ndihma. Ndihmat qenë aq të vogla, gjë që « nuk mund të zihet në gojë pa u skuqur çdo i krishterë nga turpi », shkruan një autor i kohës.
Dhimitër Frëngu, historiani tjetër i Skënderbeut, që ishte atë kohë (1466-7) arkëtar i tij, në kap.36 të veprës së tij, bot. 1539, shkruan se papa i dha Kastriotit « vetëm 3 mijë dukat » që iu doëzuan Dhimitrit vetë ; « Skënderbeu, i cili pak u turbullua nga kjo gjë (…) u kthye shëndoshë e mirë në vendin e vet » … (f. 324,5).
1258 : 1466. Letër e sulltan Mehmetit II dërguar të birit, Bajazitit :« Të pafetë shqiptarë – zoti i shfarostë », shkruan sulltani, « kishin shpërthyer në kryengritje », duke « shkelur marrëveshjen » (e paqes që ai kishte me ta). […] Një ndër komentet e Shuteriqit : Kjo letër e rrallë e Mehmetit, duhet të jetë e vitit 1466 dhe ndofta u dërgua nga Shqipëria… (f.330).
1312 : 1467, 1. V. Nga Baroli (Barleta), i shkruajnë mbretit të Napolit se Skënderbeu me 16 mijë vetë, gjendet në kampin e tij (duket pranë Lezhës) që përditë shtohet, se « shqiptarët rendin te ai (che li Albanesi concorreno a luy). Ballabani duke sulmuar… « u plagos vetë nga një ushtë në grykë (et epso farito da una lanzata ne la gola), prej së cilës vdiq ». Atij, « katër ditë më parë i ishte kapur i vëllai në një fshat dhe i kishin prerë kokën » (et decapitato). Pall, Rapporti it.-alb. 84. (f.344).
1354 : 1468, 17. I. Vdiq Skënderbeu i sëmurë fare pak ditë në Lezhë, me ethe. Autori jep disa ndryshorë me mospërputhjet e dokumenteve apo librave për vitin e vdekjes. […] :I pari që e dha të saktë vitin e vdekjes së Skënderbeut, është autori bizantin Sfrances, që e vendosi në « janar 6976/1468 » (Bozhori, BB 108). Strances-i, bashkëkohës i heroit, jetoi në vitet 1401-78. […] Sipas Frëngut, kap. 40, Skënderbeu vajti në Lezhë për nevoja të shtetit të tij dhe të Venedikut, që të shkatërrohej kështjella e rindërtuar në Valmi : « Scanderbeg venne in Alessio per certi bisogni del stato suo et… ». Pastaj vjen komenti i Shuteriqit : Si arkëtar i Kastriotit, Frëngu duhet të qenë mirë i informuar atë kohë dhe ka të ngjarë të ketë qenë pranë tij, kur heroi vdiq.
Duke qenë edhe sjellës i dokumenteve që i shtohen kulturës shqipe dhe historisë së saj, Shuteriqi shkruan : Këto kohët e fundit është bërë i njohur humanisti prej Kotorrit të Dalmacisë, Martin Segoni, cili ka lënë një jetëshkrim fare të shkurtër të Skënderbeut dhe disa tekste me interes të veçantë për kohën. Segoni jetoi në Kosovë, u doktorua në Padova më 1475, kur atje jetonte Beçikemi dhe me sa duket edhe Barleti… Për ne, ka shumë të ngjarë që Segoni të ishte shqiptar (f.357, 8, 9, 360).
1383 : 1474, verë. Sipas autorit italian Gjergj Marula (1431-94), i cili shkroi një relacion mbi Rrethimin e Parë të Shkodrës nga turqit më 1474, duke u informuar nga të rraskapiturit shqiptarë që erdhën atje, turqit u dukën përpara Shkodrës në maj 1474.
1393 : 1476-8. Rrethimi i Katërt e i fundit i Krujës : Një ushtri e madhe erdhi atëherë në Shqipëri, e komanduar nga Ahmet bej Evrenozi. Krujën e mbronin forcat shqiptare dhe venedikase. Qyteti u dorëzua nga uria më 16. VI. 1478, me kusht që të rrethuarit të largoheshin lirisht. Sullltani
1401 : 1478-9. Rrethohet për së dyti herë Shkodra dhe u dorëzohet turqve. Dokumenti më i rëndësishëm mbi këtë rrethim është libri i vogël i Barletit, i botuar në Venedik më 1504, në janar, « De obsidione Scodrensi ». Shih bot. 2 shqip, përkth. H. Lacaj, Tiranë 1967.
Barleti shfrytëzon kujtimet e veta dhe të bashkëkohësve. Ai thuajse ka mbajtur një ditar të rregullt, me data fakte dhe imtësi. Vetë mori pjesë në mbrojtjen e qytetit, me sa duket si komandant ushtarak, megjithëse nuk ishte më shumë se 18-20 vjeç. […] :
Më 14. V, nisi rrethimi. Më 15. VII. sulltani dha urdhër që të sillej pranë ledheve një sasi e madhe balistash e katapultash… Arkitekti i qytetit dhe komandanti i artilerisë, Danieli, kishte ngritur « nga të dy anët e qytetit » disa makina që i thyenin ato mjete sado të forta të armikut…Më 19. VII. Mbetën të vrarë kapedani i ushtarëve italianë, Frano Patavini, fisniku shkodran Llesh Begani, pastaj italiani Françesk de Santo Skorbaro, shqiptarët Nikollë Gradisklavi e Nikollë Begani, shkodranë… Përleshje e madhe qe më më 19. VII. …Sulltani, i tërbuar, dha urdhër « të mos mbesë asnjë shkodran » … Kur pa ai se qyteti nuk u muar, dha urdhër që të mos pushojë goditja me artileri. Pirgjet u rrafshuan përtokë. « U bë kërdi e madhe nga çdo anë dhe gropat u mbushën me gjak » …Sulltani vendosi për një sulm « krejt të ri ». Ditën e hënës së re, 5 ditë pas betejës së fundit, turqit zunë t’i ngjiten kodrës. Hoxhallarët nisën të këndonin. Bartolemeu kontrolloi mirë qytetin bashkë me Nikollë Monetën, komandantin e kalorësve « shumë i zoti në artin ushtarak » shkodran (ky, sipas Barletit, HS 76, pati luftuar krah Skënderbeut e Lekë Dukagjinit më 1467, kur u vra Ballabani). Sulmi turk qe i tmerrshëm… Qëndrim po aq burrror patën edhe gratë… pjesa më e madhe e ushtarëve përbëhej nga qytetarët dhe nga djelmoshat fshatarë … U dalluan vëllezërit Jakob e Monçin Moneta, komandantë shkodranë…Thirrja ishte : « Mos i lëshoni në zgjedhë e në robëri familjet e atdheun tuaj ». Luftën Barleti e quan « lufta e drejtë » … Komandanti Vlash Humoi (familje fisnike e njohur) u hodh mbi stom, kështu dhe i nipi i Jakob Monetës, Luka. Turqit u thyen. Sulltani humb çdo shpresë e jep urdhër për tërheqje. Ai ka lënë 30 mijë të vrarë… U vendos të merren kështjellat përreth. Por bombardimi i kalasë së Shkodrës do të vazhdonte…
Më 2. VIII u sulmua Zhabjaku… Më 27.VIII u pushtua Drishti i rrafshuar…Më 2. IX, 300 rob të zënë atje turqit erdhën e i therën në sy të të rrethuarve, nën muret e në Shkodër. Më 8. IX u nis kundër Lezhës pasha i Rumelisë ; qyteti u dogj …Kishin vdekur 3 mijë vetë nga të rrethuarit e Shkodrës, ushtarë e popull… Flor Jonima u mbushi mendjen atyre që mbetën gjallë (rreth 1500) që të mërgohen e të mos qëndrojnë nën zgjedhë.
Dhe kështu « shkodranët lanë qytet e atdhe » (…) edhe thonë, – shkruan Barleti, i cili dëshmon në këtë mënyrë, tërthorazi, që nuk u tërhoq bashkë me popullin, – se ku me vela e ku me lopata, dolën (nga Buna) në det të hapët », derisa arritën në Venedik, pa u ndalur kundi. (f.372, 3, 4, 2).
Barleti e mbyll tregimin, shkruan autori, duke iu drejtuar dogut, të cilit i kushtoi veprën : « Për madhninë e Venedikut ata (shkodranët) do të kalonin ditë të bardha e të gëzueshme » (…). Në fakt, komenton Shuteriqi, kur shkruante historiani, fati i tyre ishta ende i vështirë, siç tregojnë dokumentet e kohës. Shumica vuanin. Dhe kjo ishte një arsye kryesore përse e shkroi Barleti veprën e tij mbi Shkodrën, që të tërhiqte vëmendjen e dogut vetë dhe të autoriteteve venedikase mbi hallet e të rraskapiturve shqiptarë. Në parathënie ai shkruante : « Nuk mjafton t’ua qajmë hallin të vuajturve, po duhet edhe t’u japim dorën e t’u lehtësojmë vuajtjet… ». (375).
*
Teksti i Shuteriqit përfundon me dokumentin numër 1409, viti 1479, kur ra Shkodra, kështjella e fundit e qëndresë heroike të Shqiptarëve, dhe kështu me rënien e Shkodrës, ra krejt Shqipëria. Reja e zezë e pushtimit e errësoi horizontin anë e kënd viseve arbërore. Identiteti shqiptar i vuan ende pasojat e rënda të robërisë që zgjati thuajse pesë shekuj.
Pavarësisht nga kryengritja shqiptare e vitit 1481 me të cilën u bashkua edhe i biri i Gjergj Kastriotit, Gjoni, që shqiptarët e zgjodhën princ e udhëheqës të tyre (ata korrën një fitore kundër turqve dhe kapën të gjallë Sulejman Pashën që kishte rrethuar Shkodrën 3 vjet më parë), ushtria osmane, më e madhja e kohës, vazhdonte ta forconte rendin e saj në Shqipëri. Më 1485 Gjon Kastrioti u rikthye në Itali.
Duhet të ndalemi edhe njëherë te « Parathënia » e Shuteriqit, e cila është si një testament :
« Dhe ti, lexues, që do ta shfletosh këtë libër, në se do të ketë fatin të botohet ndonjëherë, më fal të metat, cilatdo qofshin, dhe mungesat. Ndërsa unë e di se je duke lexuar diçka « edifikuese », për ndërgjegjen e kombit. Do të më ndjesh pranë vetes, tek të pëshpëris :
E sheh se sa të egër kanë qenë bota me ne, sa të pabesë, sa të pafytyrë ? E sheh se sa të duruar kemi qenë ne, sa të paepur ? E sheh sa i kemi dhuruar botës […] ? (f.11).
*
Vepra e Shuteriqit mbetet si një gur i madh e i qëndrueshëm në ndërtesën e kulturës kombëtare.
Librin, që përbën një formë të veçantë ligjërimi shkrimor, autori e përgatiti për botim më 1993, por atëherë as bëhej fjalë që të botohej ; elementë të së djathtës ekstreme shkruanin pareshtur kundër figurës së tij. Ka ndonjë gazetë që riboton edhe sot ndonjë nga ato shkrime, dhe ç’është e vërteta, ky gjest ka bërë gjithnjë efekt të kundërt, i ka sjellë shumë dëme personit që e ka shkruar.
Përmes thurimës me dokumente historike, dëgjohet edhe një thirrje patetike dhe dramatike njëkohësisht, e cila nxit, jo kërkim të kohës së humbur, por një apologji të historisë tragjike shqiptare për ta parë të ardhmen me optimizëm. Vetëm kështu vepra e brezave që sakrifikuan jetën për lirinë, transmetohet me përgjegjësi historike.
Në tekst shprehet në mënyrë metaforike edhe lëvizja shkrimore që niset nga fakti dhe hulumton brendësinë, ai tregon edhe një pasion duke paraqitur kështu unin e një shkrimtari të lidhur fort me fatet e atdheut. Prandaj, kjo vepër e Shuteriqit është një ndërmarrje e pakrahasueshme, që nuk mund të ketë imitatorë. Ai ka realizuar me këtë libër edhe një punë që lidhej me vertikalitetin e veprimtarisë së vet. Disa libra të tij janë libra jete ! Ai i ka mbajtur dorëshkrimet e tyre në duar deri në fund të jetës për t’i plotësuar sa më shumë. Kjo gjë ishte shndërruar në ligj të punës së tij.
Pasuria e tekstit lidhet, së pari, me punën e palodhur dhe ndriçuese që bënte përherë Shuteriqi. Por, origjinaliteti dhe veçanësia e tij qëndron te kërkimet e paepura rreth identitetit kombëtar. Libri i përgjigjet kredos së tij : që të jetë bindës dhe i përkryer në çdo punë. Para së gjithash, një tekst i tillë me dokumente dhe komentar mbetet një vepër e fuqishme, sepse hedh dritë mbi figurën më të madhe të historisë sonë, mbi Gjergj Kastriotin. Përveç interesit shkencor, teksti paraqet edhe një interes tjetër kapital për zhvillimin e mendimit të përparuar, sepse rreshtohet me veprat që ndikojnë për forcimin e ndërgjegjes kombëtare.
[1] Studimi krahasues është një shqyrtim që vë përballë dy ose më shumë dokumnte ose vepra për të përcaktuar pikat e ngjashme ose ndryshimet. Në ditët tona ai është shkencë më vete në letërsi, por ushtrohet në çdo fushë të shkencës, në filozofi, në histori dhe në studime shoqërore.
[2] Autorja e këtyre radhëve ka dërguar në Bashkinë e Tiranës dhe një tjetër në Ministrinë e Kulturës një dosje për kthimin e dhomës së tij të punës në muze që para më shumë një viti e gjysmë ; dhoma-muze të tilla që kërkojnë pak shpenzime dhe administrohen nga Bibliotekat Kombëtare, ka kudo në botë (ato hapen për publikun një herë në javë me një punonjës të bibliotekës). Unë kam kërkuar që edhe skedari i tij, puna e një njeriu, e krahasueshme me punën e një institucioni të tërë, duhet të vendoset në Bibliotekën Kombëtare, në sallën shkencore që të përdoret nga studiuesit e rinj.