Pasardhësit e fisit Koleka, kanë të gjithë të drejtën ligjore që ja jep sistemi për të kërkuar pronat e tyre. Themi të drejën ligjore, pasi atë morale e kanë humbur që kur paraardhësi i tyre iu bashkua persekutorëve të shtresës, e cila të vetmin faj të saj, kishte se ishte pronare apo shtresë e pasur dhe e mesme.
Vetëm se kur kjo e drejtë implikon dhe kryeministrin e Shqipërisë, i cili me anë të ligjeve dhe vendimeve është përfitues direkt i një prone me origjinë të dyshimtë atëherë kjo nuk është me një e drejtë, por vepër penale. Një kryeministër s’mund të zhdukë kuadrin ligjor të 25 viteve për një çështje sepse ajo bie ndesh me interast e tij. S’mund të sajojë një ligj dhe vendime që pranojnë çdo lloj letre si vërtetim që provon se paraardhësit e tij kanë qenë pronarët ligjorë të pronave dhe janë shpronësuar nga sistemi komunist. Nuk mund të bëjë as regjistrim nga fillimi të sipërfaqeve siç ndodhi me ligjin 20/2020 ku përfituesi më i madh është ai por kjo është punë e tjetërkujt. Ne na mbetem të themi ato çfarë shohim.
Kështu vendimin e gjykatës të vitit 2019 ligji 133/2015 është përmendur rreth 28 herë, dhe si referencë tjetër është marrë vendimi i qeverisë më numër 222 i cili është përmendur plot 13 herë në gjykatë. Ironikisht ja se çfarë shkruhet në vendimin e gjykatës “Nën këtë frymë, duke reflektuar mbi padrejtësistë e atij sistemi, ligjvenësi, nisur nga metodat arbitrare të përdorura nga organet shtetërore të asaj kohe në cënimin e në shkeljen e të drejtave të pronësisë ish pronarëve, jo pa qëllim parashikoi qartazi rinjohjen e së drejtës se pronësisë jo vetëm për pasuritë e marra mbi bazën e akteve të shtetëzimit, të shpronësimit, apo të konfiskimit, por edhe për ato pasuri të mara pa të drejtë në forma të tjera, duke iu referuar këtu rasteve kur në mënyrë arbitrare dhe në mungesë të një akti formal, e drejta e pronësisë iu mohua këtyre subjekteve.
Në këtë kuptim, nisur nga ky prezumim, pra nga fakti i njohur botërisht i arbitraritetit të atij regjimi duke u mohuar të drejtën e pronësisë edhe në mungesë të një akti formal, pamundësia e subjektit të shpronësuar për të disponuar aktet formale prej të cilave u është cënuar dhe shkelur e drejta e pronësisë, nuk mund të shërbejë si arsye për t’a konsideruar të paplotë kërkimin e këtyre subjekteve për njohjen e së drejtës së pronësisë”.
Pra, sipas arsyetimit të gjykatësit, ligjvënësi na paskërkash bërë një ligj dhe ca vendime për të vënë në vend padrejtësistë e atij sistemi. Kështu qoftë dhe ne po e marrim të mirëqenë faktin se Spiro Kolëkës dhe vëllait të tij, ai sistem i ka rënë në qafë.
Koleka në vitet 1945-1946
Në redaksi ne disponojmë fletoret zyrtare të vitit 1945-1946, ku kemi marrë me radhë të gjitha konfiskimet apo shpronësimet e bëra gjatë kësaj periudhe. Emri i Spiro Kolekës del në vendimet e Kongresit të Përmetit, ku ai është emëruar si ministër i punëve botore në qeverinë e asaj kohe, ose Kryesia e Këshillit Nacional Çlirimtar që u formalizua në vitin 1945 (faksimile). Menjëherë pas kësaj, del ligji i konfiskimeve, ku në nenin 10 të saj përcaktohet se si veprohet me pasuritë e privatëve. Për ilustrim, kemi parë rastin e konfiskimit të pasurisë së Safet Butkës në Kolonjë i shpallur i vdekur, ku Këshilli i asaj kohe ka regjistruar me përpikmëri të gjithë pasurinë e regjistruar. Në këtë vendim përcaktohen qartë kufijtë, tokat troje apo tokë bujqësore, kullotat etj etj. Më ironikja është se Ministria e Punëve botore ishte përgjegjëse dhe për administrimin e pasurive të Shoqërivetë huaja, si gjermane apo italiane të cilat kishin braktisur vendin pas marrjes së pushtetit nga ana e komunistëve. Natyrshëm lind pyetja. Si ka mundësi që një ministër i asaj kohe ta ketë lënë pasurinë e tij shkel e shko, sa sot mos i gjendet asngjë gjurmë dhe detyron më pas pinjollin e tij kryeministër të hartojë ligje të posaçme që kjo pasuri të njihet si të ishte mall pa zot? Sado i tmerrshëm të ketë qenë ai regjim duhet ti njohim meritën, që çdo individi që i ka sekuestruar pronën ka lënë së paku një gjurmë se ku ka përfunduar kjo pronë. Fjala vjen në fletoren zyrtare jepej dhe masa e sekuestros për personin në fjalë. E njëjta gjë ka ndodhur si me ata që dënoheshin nga regjimi, si me pronarët e mëdhenj të tokave, apo dhe me kulakët që konsideroheshin të tillë kur kishin më shumë se 5 hektarë tokë…
Ligji 20/2020
Pasi e ka marrë pronën në gjykatë, siç e shpjeguam në shkrimin e parë, kjo në bazë të ligjeve që ka bërë si i ka dashur dhe manovrave me institucionet vendore ZVRPP dhe ATP, në vitin 2020 lipset nevoja për t’i regjistruar. Vendimi është marrë më 3 shkurt 2019, ndërsa fill pas kësaj lajmërohet ngritja shtetërore e Kadastrës në mars të atij viti. Nga ana tjetër duket se sikur ky vendim gjykate i është dhënë më pas Artan Lames, në atë kohë i sapoemëruar drejtor i ASHK, i cili pa kaluar as viti duket se i lë në tavolinë Ramës ligjin tjetër atë 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”. Ligji u miratua me shumicë të thjeshtë në parlament më datë 5 mars të vitit 2020 në një kohë kur vetëm 9 ditë më pas Rama do fuste Shqipërinë në karantinë për shkak të COVID-19. Nga ligji i Lames, çështja Koleka do përfitonte nga neni 7,8,9, 10,11,12,13 që kanë të bëjnë me mënyrën e trajtimit të regjistrimit të pronësisë mbi tokën. Pra një ligj kryekëput preferencial si në ligjin e parë.
Skema
Skema është fare thjeshtë dhe korruptive. Duke qenë se mungon dokumenti ligjor dhe ATP s’mund ta siguronte një tillë atëherë ajo merr një vendim për rrëzimin e çështjes, pa bërë asnjë lajmërim për plotësim dokumentacioni, pa kryer asnjë lloj hetimi administrativ siç ka konkluduar gjykata dhe me këtë vendim trashëgimtarët i drejtohen gjykatës me dokumente hartografike të bëra rishtazi apo dokumente mbështetëse. Nga ana tjetër kjo VKM ka shfuqizuar dhe VKM e vitit 2010 që kishte kritere goxha më të rrepta në plotësimin e dokumenteve. Fjala vjen, në VKM-në e këtij viti pas vendimit të gjykatës në rast se kishte pretendime ky vendim i bashkëngjitej dokumentacionit dhe bëhej një hetim tjetër administrativ. Ndërsa në VKM dhe ligjin e Ramës, vendimi i gjykatës pavarësisht rrethanave është i detyrueshëm të zbatohet nga ATP. Pjesa tjetër është vetëm formalitet. Edi Rama troç dhe qartë ka bërë një ligj nga i cili përfituesi më i madh është vetë ai. Se sa i zhytur është ai në këtë histori, kjo i përket organeve ligjzbateuese ta hetojnë. Faktet janë aty, ligjet në fletoren zyrtare, tokat dhe kullotat e Vunoit nuk kanë lëvizur. Pyetja që duhet t’i bëhet SPAK është: A kemi të bëjmë me “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm”, dhe a do fillojë ky institucion një hetim për kryeministrin Edi Rama dhe gjithkënd që është përfshirë për rrëmbimin de 22.4 hektarëve tokë në Vuno?
Tjetër VKM që favorizon Edi Ramën
Por nuk mbaron me kaq. Në dhjetor të apo atij viti, miratohet dhe VKM që duket sikur legalizon çdo falsifikim të dokumentacionit të pronave që është bërë përgjatë këtyre viteve. Dhe nga kjo VKM, çështja e 22.4 hektarëve të Ramës në Vuno favorizohet thuajse në të gjithë draftin e saj, madje me këtë VKM, Kadastra merr përsipër që të rregullojë dhe mangësitë hartografike të pronave, dokumentet pa vula përkatëse e të tjera me radhë. Madje në bazë të kësaj VKM-je, ASHK nuk zhvillon asnjë hetim administrativ mbi mënyrën e sigurimit të akteve, por thjeshtë kthehet në regjistruese të tyre. Sa për ilustrim ja se si shprehet neni 11 në pikën 1 të kësaj VKM-je, “Nëse zbatimi i neneve 7, 8, 9 dhe 10, të këtij ligji, bie në kundërshtim me një vendim gjyqësor të formës së prerë, të nxjerrë përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, zbatohet vendimi gjyqësor. Këtu përfshihet edhe rasti kur gjykata ka vendosur detyrimin për regjistrimin e AMTP-së. Sipërfaqja që regjistrohet është ajo sipas madhësisë dhe pozicionit të përcaktuar në dokumentacionin hartografik të vendimit gjyqësor. Nëse sipërfaqja në këtë dokumentacion rezulton më e madhe se ajo e shprehur në AMTP, përfituesit i regjistrohet pronësia mbi të gjithë sipërfaqen, sipas vendimit gjyqësor, pa detyrim pagese për sipërfaqen shtesë”.
Pra Rama me atë vendim që ka marrë, i del e drejta që sipas kësaj VKM-je të marrë gjysmën e tokave të Vunoit ( me shumë gjasë synohet plazhi i Gjipesë), dhe ASHK s’mund të bëjë gjë tjetër vetëm se ta regjistrojë?