Miratimi në Kuvendin e Shqipërisë i ligjit që mundëson votën e Diasporës edhe pa praninë fizike te kutitë e votimeve, ishte as lajm i bujshëm, as lajm i gëzueshëm, ndonëse ishte lajm i shumëpritur.
Shqipëria është vendi i fundit pluralist dhe tejet i vonuari që ende nuk e praktikon votën e shtetasve të vet me qëndrim jashtë vendit.
Diaspora është një mekanizëm i madh përbërës të cilin as mund ta përkufizojnë as mund ta vënë në lëvizje një, dy, tre a më shumë eksponentë vetmorë të diasporës jonjohës dhe jopërfaqësues të saj, bjerrakohës nënstrehëve të politikave të Tiranës.
E. Rama, në kongresin e fundit të PS, e quajti votën e Diasporës më 2025 mbajtje të zotimit të tij dhënë shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve, në takimet që ai pati sivjet në Athinë dhe Milano.
Kjo falë ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ku mijëra e mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të BE apo më gjerë, do të kenë të drejtën e votës në vendet ku ndodhen.
“Shpreh ndjenjën e respektit më të thellë ndaj atyre mijëra shqiptarëve në Greqi dhe Itali që më dhuruan një energji të jashtëzakonshme, një energji të tillë që të duket çdo mal i kapërcyeshëm dhe çdo horizont i arritshëm”, u shpreh Rama, në kongres duke shpallur objektivin për të arritur 1 milion vota socialiste nga Diaspora më 2025.
Rama e shikon tashmë Diasporën hambar të pafund për të grumbulluar vota për një mandat tjetër.
Zëra socialistësh dhe socialistesh, megjithatë, nëpër studiot e Tiranë dhe në mediat sociale janë ngritur parimisht përsëri kundër këtij zhvillimi të ri, duke shtruar pyetjen: ç’punë kanë ata nëpër botë se kë zgjedhim ne dhe çfarë bëjmë ne këtu në vendin tonë?
Opozita ia njeh vetes fitore votën e Diasporës. E tillë mund të jetë, në fakt, mundësia që iu jepet për të votuar edhe shqiptarëve që nuk kanë marrë ende qëndrim të përhershën në vendet ku kanë emigruar apo edhe atyre të cilët votimet 2025, për shkaqe të ndryshme i zënë jashtë vendit.
Ky është sukses i vërtetë për opozitën. Kjo kategori iu përket shqiptarëve të cilët regjimi i ardhur në pushtet më 2013 i përjashtoi nga puna, iu përket shqiptarëve të cilët u ndeshën me makinerinë shtypëse të regjimit për të mos lejuar traun në Rrugën e Kombit, iu përket shqiptarëve të cilët i mbushën sheshet dhe shetitoret e kryeqytetit kundër jetëgjatësisë së regjimit në pushtet, në mbrojtje të pluralizmit, të demokracisë, në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, në mbrojtje të vlerave kulturore, qytetare dhe njerëzore, iu përket shqiptarëve që mbushnin komisariatet, dhomat e paraburgimeve, sallat e gjykatave vetëm pse protestonin në mënyrë plotësisht të ligjshme. Janë të rinj e relativisht të rinj në moshë, por të gjithë janë veteranë të paepur të luftës për rivendosjen e demokracisë në Shqipëri. Kam shpresë të plotë se kjo kategori është absolutisht e prirur të votojë më 2025 për ndryshime të thella në Shqipëri.
Një tjetër arritje e opozitës është përqëndrimi në KQZ i votës së ardhur me postë nga jashtë, çka e lehtëson infrastrukturën e procesit dhe mbikqyrjen e saj në mënyrë transparente nga mbërritja deri në numërimin e saj.
KQZ-ja tashmë, pa humbur kohë, të përgatisë bazën nënligjore dhe gjithë logjistikën e votës së Diasporës.
Politika nuk e ka dashur votën e Diasporës. Në zgjedhjet e viti 2021 Rama, me pretekstin e pandemisë, ua ndaloi praninë fizike për të votuar shqiptarëve të Greqisë. As opozita nuk tregoi interesim për votën e tyre. E pra, vota e shqiptarëve të Greqisë do të mjaftonte në të vërtetë për ta bërë ndryshimin më 2021.
Në shpjegimin për miratimin e ligjit për votën e Diasporës u përmend ndihmesa e saj nëpërmjet remitancave, të cilat kanë zbutur varfërinë në Shqipëri, më tepër, pra, si mirënjohje dhe jo si domosdoshmëri, meqë Diaspora është një minierë e pafund burimesh njerëzore të tillësh që janë rritur dhe formuar kryesisht në Perëndim apo të tjerësh që janë lindur, rritur dhe formuar kryesisht në Perëndim, ndërkohë që në vetë Shqipërinë këto burime janë shterrur shumë dhe janë ndotur shumë.
Kushtetuta në fuqi gjithmonë ua ka njohur të gjithë shtetasve shqiptarë, kudo që ndodhen të drejtën e votës. Politika deri në ndryshimin që iu bë Kodit Zgjedhor nuk ua kishte lejuar, pra, ua kishte mohuar këtë të drejtë. Ligji i miratuar nga vota e PS-PD synon t’ua mundësojë votën edhe nga largësia shtetasve shqiptarë jashtë kufijve të vendit.
E. Zaloshnja, duke i bërë jehonë ligjit të sapomiratuar, shënon se, më 2023, në Shqipëri në listën e zgjedhësve ishin 3.65 milionë shtetas shqiptarë në moshë për votim, nga të cilët 1.95 milionë banonin në vend dhe 1.7 milionë banonin jashtë vendit.
Duke pyetur veten sa do të jenë ata nga Diaspora që do të votojnë më 2025, E. Zaloshnja përgjigjet se vetëm 600 mijë do të jenë të interesuar të votojnë. Edhe kjo, megjithatë, është një shifër përmbysëse ndaj vendimmarrjes në kutitë e votimit në Shqipëri dhe në jetën shqiptare.
Takimet e dështuara të Ramës në Athinë dhe Milano, kryekreje dështimi i takimeve të paralajmëruara prej tij në Mynih, në Londër e në Prishtinë tregoi se Diaspora vetë nuk është e interesuar dhe shqiptarët jashtë vendit në përgjithësi nuk janë të interesuar për statusquonë në Shqipëri.
Varet, pra, sa është e interesuar politika në Shqipëri, përkatësisht faktorët e saj, për t’u realizuar ndryshime më 2025. Diaspora Shqiptare është e interesuar për ndryshime të thella sa më rrënjësore, asosh që e kthejnë vendin në shinat e pluralizmit, të demokracisë, të shtetit ligjor, të integrimeve sa më të shpejta dhe sa më solide perëndimore.
Pjesëmarrja e Diasporës Shqiptare në votimet e vitit 2025, pra, varen jo aq nga vetë ajo, sa varen nga hapësira që do t’i krijohet asaj për të kryer misionin që i është mohuar. Diaspora Shqiptare, ndërkohë, është e vendosur që të përkrahë, me mjetet e saj, të gjitha zhvillimet në Shqipëri, të gjithë faktorët në Shqipëri, të gjithë faktorët shqiptarë që janë të interesuar për të njëjtat vizione.
Nga ana e saj, opozita në Shqipëri iu ka premtuar shqiptarëve se do të shkojë në zgjedhjet e reja parlamentare me qeveri teknike, të cilën nuk do ta kryesojë E. Rama.
Është koha, sot më shumë se kurrë, që opozita ta mbajë premtimin e saj. Një opozitë që i mban premtimet, ngjall besim të madh dhe shpresë të madhe se do t’i mbajë ato edhe kur të vijë në pushtet.
Qeveria teknike pa E. Ramën e mundëson vërtet një pjesëmarrje sa më masive të Diasporës Shqiptare në votimet e vitit 2025.
Të mos harrojmë se vota e Diasporës Shqiptare po mundësohet, siç po shpresojmë, në një kohë kur në Shqipëri ende vota e lirë nuk është e garantuar, kur vota në Shqipëri është gjithnjë më e blerë, më e vjedhur, më e grabitur.
Diaspora Shqiptare nuk dëshiron të shndërrohet në kurrfarë kafshate të përbindëshave të pushtetit në Shqipëri.
Siç shihet, edhe në një parashtrim me pak rreshta, janë gjithato temat që hap çështja e votës së shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë.
Diaspora Shqiptare në muajt e ardhshëm ka një luftë të vërtetë përpara deri në përmbushjen e misionit të votës së saj.