Dom Ndré Mjedja, prifti katolik jezuit, teolog, shkrimtar, gjuhëtar, deputet i Parlamentit shqiptar dhe poeti lirik i shquar Kombit shqiptar, ka ndërruar jetё si sot, më 1 gusht 1937.
Injac Zamputi, (Shkodër 1910 – Tivoli, Itali 1998) shkrimtar, historian, studiues, eseist, përkthyes dhe bashkëpunëtori i vjetër i Dom Ndre Mjedës, ka shënuar në kujtimet e tija se Mjeda është emëruar si mësues në Kolegjën Saveriane të Shkodrës, në qershorin e vitit 1933, kur ai (Zamputti) ishte sekretar i Kolegjës Saveriane. Zamputi ka kujtuar në shkrimet e tija një dëshmi interesante se si Profesori Dom Ndre Mjeda interesohej, veçanërisht, për nxënësit e dalluar, të cilët kishin shfaqur shkëndija të talentit poetik, por jo vetëm, gjatë shkollimit të tyre. Një prej këtyre nxënësve ka qenë Mons Dr. Zef Oroshi (1912-1989), mik dhe ish-udhëheqës i komunitetit katolik shqiptaro-amerikan, i nderuar dhe i respektuar nga mbarë komuniteti shqiptar në Amerikë, pa dallim feje a krahine.
Monsinjor Zef Oroshi fliste shpesh, me mirënjohje dhe me respekt të madh, për mësuesit e tij, sidmos për Dom Ndre Mjedën por edhe për At Gjergj Fishtën. Shpesh edhe shkruante mbi kujtimet e tija për ta në gazetat dhe revistat e diasporës anti-komuniste shqiptare të asaj kohe në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë.
Në një shkrim përkujtimor botuar në revistën Jeta Katolike Shqiptare, (tetor-dhjetor, 1977), organ i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, Drejtor Përgjegjës i të cilës ishte ai vet, Dr. Zef Oroshi ka kujtuar mësuesin e tij Dom Ndre Mjedën, me rastin e 40-vjetorit të kalimit të tij në amshim. Duke shkruar për talentet e ndre Mjedës, Dom Zef Oroshi ka shkruar se mendjehollësia e Mjedës së ri i ka shtyrë të parët e (urdhërit jezuit) që ta dërgonin atë të studionte në universitetet më të mira të Evropës, si në Austri, Itali, Gjermani, Francë e Poloni, ku përveç se kreu studimet e larta për filozofi e teologji me, “suma cum laude”, Ndre Mjeda, “pasuroi mendjen e squet të tij me gjuhët dhe me letërsitë e këtyne vendeve, por edhe njohuri mbi klasikët, që ai aq fort i dashuronte”, ka shkruar Mons Zef Oroshi, për ish-mësuesin e tij, Dom Ndre Mjedën.
Tre kolosë të Shqipërisë: Dom Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta (dy
mësuesit e Monsinjor Dr. Zef Oroshit), me Luigj Gurakuqin
Megjithëse, ndër të gjitha të mirat mendore e jetësore që i ofronte atij bota perëndimore e qytetëruar dhe e lirë, Mjeda: “Kurrë nuk harroi vendin e vet, Shqipërinë. Asaj i këndoi, me plot afshin e zemrës me poezitë e rinisë së vet, botuar në “Juvenilia”, “sende rinie” – kur Atdheu gjëndej ende nën thundrën e aziatikëve”, ka vërejtur Dr Zef Oroshi në shkrimin e tij në vitin 1977, me rastin e 40-vjetorit të kalimit në amshim së Dom Ndre Mjedës.
Autori, pjesëmarrës në protestën para OKB-së në Nju Jork, 1973 — me Monsinjor Dr. Zef Oroshin, organizuesin e protestës kundër vrasjes makabër të At Shtjefën Kurtit, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Kur është kthyer në Shqipëri, vazhdon kujtimet e tija, Dom Zef Oroshi, Ndre Mjeda ka dhënë mësim në gjuhë dhe letërsi shqipe në kolegjin e famshëm Saverjane të Shkodrës. Si meshtar ai ka shërbyer në disa famulli të Malësisë së mbi-Shkodrës, duke përfunduar në Kukël. Ndre Mjeda ishte themeluesi i Shoqërisë Letrare “Agimi”, ndërkohë që në Kongresin e Manastirit ka luajtur një rol kyç, ndërsa ishte ndër krongresistë më aktivë, ka shkruar Dr Zef Oroshi. “Por çka e ban emnin e Ndre Mjedës të pavdekshëm”, nënvijon Dr, Zef Oroshi, “Ashtë pena e tij si poet, mjeshtër klasik i vjershërimit shqip, si prozator dhe sidomos si gramatolog, ndër më të thellët që ka pasur Shqipëria për shumë kohë. Studimet dhe hulumtimet e tija në çështje gramatikore të shqipes kanë qenë vendimtare”, thekson ndër të tjera, Dom Zefi, duke cekur veprimtarinë dhe aftësitë letrare të Dom Mjedës.
Përveçse shkrimtar dhe poet mjeshtër, Dr. Zef Oroshi e cilëson ish-mësuesin e tij Ndre Mjedën edhe si, “udhëheqësin e paharruar të shkollës së përmendur, ‘Kolegja Saverjane’, drejtuar nga Jezuitët e Shkodrës por duke e cilësuar Mjedën edhe si njërin prej Rilindasve më të flakët dhe më të hershmit e Kombit Shqiptar. Qe zgjedhë edhe deputet i Shkodrës, pothuajse kundër vullnetit të tij”, ka shkruar Dr. Oroshi.
Dom Ndre Mjeda
Dom Zefi shënon në artikullin e tij – një fakt interesant nga veprimtaria e Mjedës, që nuk ka të bëjë as me gjuhën, as me letërsinë, ndërsa shkruan se: “Për t’i dhënë një hov bujqësisë përparimtare, Dom Ndre Mjeda qe i pari që solli plorin e çelikt në Shqipëni”.
Dom Zef Oroshi vazhdon rrëfimin e tij për Dom Ndre Mjedën duke shtuar se Mjedës i ka takuar të jetonte gjatë në dhena të huaja dhe zemra i shkrumbohej për Atdheun e largët e të robëruar. Mallin për Atdhe ai e skaliti, qysh i ri në “Juvenilia”, duke filluar me, “Vaji i Bylbylit”, botuar që në vitin 1887 dhe me “Andrra e Jetës”, ku ai këndon jetën e fshatarit e të malësorit shqiptar, ka shkruar Dr. Zef Oroshi, për veprat e mësuesit të tij. Duke vazhduar se me sonetat klasikë, “Lissus” dhe “Scodra” (Lezha e Shkodra) ku, përmes historisë së lashtë të ktyre dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme, “lumnitë historike dhe legjendat e paraardhësve ilirë, me mbretërit, Bardhylin e Agronin dhe me mbretëreshën Teuta.”
Monsinjor Dr Zef Oroshi vlerëson, në artikullin e tij të botuar në revisten Jeta Katolike Shqiptare në dhjetor të vitit 1977, me rastin e 40-vjetorit të kalimit në amshim të poetit, se, me këto vepra, megjithëse të shkurta, Mjeda naltësohet si poeti më klasik ndër të gjithë poetët shqiptarë…por megjithë këtë, ai Nanën Shqipni e ka gjithmonë para sysh, me qëllim për të drejtuar rininë e asaj kohe, kah, “udha e atdhedashunisë së çiltërt, siç kanë veprue gjithmonë, për vendin e tyre, njerëzit e mëdhej”, ka shkruar Dom Oroshi.
Dom Zef Oroshi është shprehur në vazhdim, se e ndjen veten të nderuar dhe të privilegjuar që ka pasë për mësues, këtë mjeshtër zëmadh të gjuhës sonë, si dhe për ndikimin e tij, për dashurinë ndaj Gjuhës Shqipe. “Dom Ndre Mjeda ishte personalitet i përsosur në ndenje e sjellje. Në klasën e tij mund të ndihej miza tue fluturue. Kur na lexonte ndonji pjesë artistike klasike ose bashkohore, sidomos poezi me art të lartë, skuqej në fytyrë, aq fort e ndjente shijen e artit…Megjithëse nuk ishte i idhët me kurrkënd, pak ose aspak i qeshej fytyra e tij e gjanë me musteqe të trasha e të dendura, e kryetullac, trup i lidhur me naltësi mesatare. Ishte kritik i pamëshirshëm në pikëpamjen e artit të shkrimit, por gjithmonë me dinjitet e arsye, pa përulur kënd, kurrë.” thrkson Oroshi në shkrimin e tij në kujtim të mësuesit të vet.
Dom Zef Oroshi e ka mbyllur shkrimin në kujtim të mësuesit të tij të nderuar duke hedhur hipotezën se para se të vdiste, përflitej në atë kohë, se Dom Ndre Mjeda, i ndikuar nga shkrimtari latin Virgjili, mund të ketë djegur dorëshkrimet e tija të shumta.
“Ndonëse pushon në amshim, ai gjithnjë flet.” (Defunctus Adhuc Loquitur”.
Dom Zef Oroshi kujton se Dom Ndre Mjeda ndërroi jetë papritmas në gushtin e verës së viti 1937. Në varrimin e tij, radhët e gjata të studentëve të tij shkodranë dhe mbarë qyteti i Shkodrës soll[n në supet e krahëve të tyre arkivolin e tij neper të gjitha rrugët kryesore të qytetit, para se të vendosej në pushimin e fundit, në Aramaj. “Mjeda vdiq, por shkolla e tij mbetet e pavdekshme”, ka përfunduar kujtimin e tij Monsinjor Dr. Dom Zef Oroshi në artikullin e revistës — Jeta Katolike Shqiptare, (tetor-dhjetor, 1977), organ i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane – kushtuar Dom Ndre Mjedës, mësuesit të tij të paharrueshëm teologut, shkrimtarit, gjuhëtarit, deputetit e poetit shqiptar, që ka ndërruar jetё si sot, më 1 gusht 1937.
Frank Shkreli
—————————————————————————
Ndre Mjeda
Liria
Poezi Shprese
O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni:
A shndrit rreze lirie n’ato maja;
mbi bjesh’ t’thepisuna e n’ograja,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?
A keni ndie ndikund, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj?
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni!
“Lirim, lirim!” — bërtet gjithkah malsia.
A ka lirim ky dhé që na shkel kamba,
a veç t’mjerin e mblon anemban’ robnia?
Flutro shqipe, flutro kah çelet lama,
sielliu maleve përreth që ka Shqipnia,
e vështroje ku i del lirimit ama.
Por nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria:
Lodhun prej hekrash që mizori e njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënia.
E kqyre: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t’Atdheut; fshehtas shëtiti
kasoll’ për kasoll’ rreth buneve e soditi
frymë të re tue zbrazun për gjithkah, hija
e Skanderbegut. Që ndër djepa rritin
nanat e Hotit djelmënin’ ushtore
e idhnim n’armikun nëpër gji iu qitin.
E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.