I.Hyrje
Sipas sociologut rus, Mihel Bahtinit kulturat dialogojnë midis vete. Ai është i pari që e përdor termin dialog, dialogizëm. Kështu edhe letërsia si pjesë e kulturës vihet në dialogim, apo interkomunikim. Duke pasur parasysh teorinë e Bahtinit, parë nga aspekti i intertekstualitetit mbi principet e ,,pluralizmit kulturor”, natyra e ideve të procesit kulturor lidhet me të gjitha segmentet, duke vënë këtu edhe kontaktet ndërgjuhësore. Këto kontakte vërehen në veprën e njeriut më të madh të letrave në letërsinë shqiptare, Ismail Kadaresë. Kështu: ,,Vepra e Ismail Kadaresë, e përkthyer deri tani në tridhjetë e katër gjuhë, në mbi dyzet vende, sigurisht, i përket mbiletërsisë dhe gjuha kryesore e saj është gjuha ndërkombëtare e letërsisë, konkretisht, është gjuha e metaforave, alegorive, parabolave, është esperantoja e letërsisë moderne bashkëkohore. (Kuçuku, 2005;14).
II.Receptimi i veprës së Kadaresë
Në vitin 1967, romanisti gjerman Hans Robert Jaus, me ligjeratat e tij në Universitetin e Konstancës do të inauguroj estetikën e receptimit, do ta zhvendos rëndësinë e studimit drejt lexuesit-shikuesit e dëgjuesit, konsumuesit, të adresuarit, të cilit i deikohet vepra. Kështu, pra mund të kuptohet se veprat letrare të Kadaresë do ti adresohen jo vetëm lexuesit-shikuesit, dëgjuesit, kosumuesit shqiptar, por edhe atij francez, anglez, gjerman, etj në të gjitha këto gjuhë të përkthyera.
Është shumë i rëndësishëm qëndrimi i Zoran Konstantinoviçit, lidhur me pikëpamjet e teorisë së receptimit, në kuadër të shkencës së letërsisë komparatiste, të cilat i paraqet në librin e tij ,,Hyrje në studimin e letërsisë komparatiste”, 1984. Nga njëra anë duke u nisur nga qëndrimet e veta dhe nga ana tjetër, duke pasur parasysh edhe termin kyç të R. Jausit ,,horizonti i pritjeve”, Zoran Konsantinoviçi thekson fenomenin e aliteritetit të dukurive letrare në procesin e receptimit të tyre. Ky konstatim vjen pasi vërehet një lloj ,,shmangie” e ,,horizontit të pritshmërive” te publiku (pra, të kuptuarit e veprës nga ana e lexuesit) në kushtet e ndryshimit të kontekstit. Konstantinoviçi thotë: ,,Shkrimtati, i cili gjithashtu vjen nga një gjendje e caktuar e përvojave estetike të një publiku-lexuesi, me veprën e vet, i pasuron ato përvoja dhe gjithashtu hap horizontet e pritshmërive të veta. Nga përvojat e pasuruara në këtë mënyrë, poashtu edhe nga horizonti i pritjeve, i cili pastaj zhvendoset, lindin shkrimtar të rinj. Kjo do të thotë se letërsia zhvillohet si një proces dialektik, gjatë të cilit ndryshohen edhe masat estetike, edhe koncepti poetik në përgjithësi”. (Konsantinoviç, 1984;50)
Këto mendime janë të përshtatshme posaçërisht për konstatimin tonë, sepse procesi i receptimit në masë të madhe përcakton prodhimin letrar të shkrimtarit tonë Ismail Kadare. Kështu, vetë receptimi i një vepre, një autori ose një frymëzimi poetik në përgjithësi, sipas disa studiuesëve, mund të jetë i trefishtë: 1) pasiv; 2) produktiv dhe 3) reproduktiv. (Grunëwald, 1987;40-45).
II.1. Receptimi pasiv nënkupton reaksionin ndaj letërsisë, nga ana e lexuesve të rëndomtë, që nuk merren profesionalisht me formën letrare.
II.2. Receptimi produktiv (prodhues) vepron nëpërmjet letrarëve që krijojnë një vepër të re letrare, në themelet ose nën ndikimin e veprave të tjera letrare, filozofike, psikologjike, bile edhe të veprave të artit figurativ. Kështu vepra e Kadaresë do të jetë model për krijuesit e ardhshëm të letërsisë shqiptare , si edhe të asaj evropiane dhe më gjërë. Ali Podrimja thotë: ,,të gjithë ne jemi ulur në sofrën e Kadaresë dhe kemi shfrytëzuar thërime”. Nga ana tjetër, meqenëse, veprat e Kadaresë janë të përkthyera edhe në shumë gjuhë të botës, poashtu shërbyen si model edhe për shumë krijues të letërsive të ndryshme evropiane dhe botërore. Si për shembull ,,nga Kadareja është frymëzuar edhe shkrimtarja spanjolle Suzana Fortes, për romanin ,,Dashnori shqiptar”, që është përkthyer në polonisht dhe italisht”. (Kuçuku, 2005;191).
II.3. Receptimi reproduktiv (riprodhues) pëbëhet nga mbishkrime, komente, ese letrare dhe lloje të tjera të reagimeve të kritikëve ose gazetarëve, të cilët, në një far mënyre, marrin pjesë në ndërmjetsimin e veprës letrare dhe publikut. ,,Vepra e Kadaresë ka gjithëmon një madhështi tronditëse, prandaj është mjaft ndikuese dhe nxitëse. Për të shkruajnë dhe debatojnë si specialistët (kritikët, shkrimtarët, studiuesit, akademikët, publicistët), ashtu edhe lexuesit, që nga profesorët e degëve të ndryshme deri tek letërsidshësit e zakonshëm. Dalja e saj, në të gjitha vendet, e kanë shoqëruar qindra artikuj kritik, që janë botuar në gazetat qendrore nga më të njohurat, në gazetat letrare lokale, në revistat letrare dhe joletrare, ndërkohë që janë shkruar edhe njëzetë e dy libra studimorë, prej të cilëve tetë në frëngjisht, trembëdhjetë në shqip, një në holandisht. (Kuçuku, 2005;191). Midis këtyre me rëndësi të veçantë janë artikujt dhe studimet e shumtë të shkrimtarit dhe studiuesit të shquar Alain Bosquet, të kryetarit të Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës Alain Plantey-it, të Maurice Druon-it, sekretar i përherëshëm i kësaj Akademie, të akademikëve François Nourrisier dhe Henri Amouroux, të kritikëve francez Eric Faze, Andre Clavel, Gilles Bandérier, mendimet e shkrimtarit të mirënjohur frëng Julien Gracq dhe atij amerikan Xhon Apdajk, etj.
Këto pjesë janë marrë nga libri ,,Kadare në gjuhët e botës”, (Ismail Kadare në tridhjetë e pesë gjuhë) të Bashkim Kuçukut, Onufri, Tiranë, 2005.
III. Qasja e kritikës letrare evropiane ndaj veprës së Kadaresë
Vepra e Kadaresë është bë objekt studimi edhe i shumë studiuesëve të letërsisë evropiane dhe botërore në përgjthësi. Çdonjëri prej tyre do të ketë qasje të ndryshme ndaj studimit të veprës së Kadaresë. Kështu, disa do të merren me qasjen e brendshme, kurse disa me qasjen e jashtme. Pokështu disa studiues do të merren edhe me vlerat estetike.
III.1. Qasja e brendshme
Qasja e brendshme lidhet me strukturalizmin, pra me strukturën e brendshme të tekstit letrat. Strukturalizmi ishte drejtimi më ekspansiv i shkencave humanistike në shekullin XX. Edhepse, fillimi i tij kushtimisht pranohet se ka të bëjë me paraqitjen e Linguistikës së përgjithëshme të Ferdinand de Sosirit (1857-1913), veçanërisht më 1916, meqenëse si përfaqësues më kulmor merret Klod-Levi-Strosi (lindur 1908), që duhet ta pranojmë se drejtimi i quajtur poststrukturalizëm është një lloj ,,mutacioni” i strukturalizmit. Kështu, kufiri i paraqitjes së strukturalizmit mund të trajtohet faza pas Luftës së Parë Botërore. Strukturalizmi do të dominoj pothuajse gjtë gjithë periudhës kohore të shekullit XX. Pra, strukturalizmi në teorinë e letërsisë, parasëgjithash do të zhvillohet nën ndikimin e dy impulseve të fuqishme, që vijnë nga linguistika strukturale dhe antropologjia strukturale. Ky inspirim njëkohësisht do të jetë edhe përcaktues që do ta mundësoj dinamikën e zhvillimit të këtij drejtimi.
Pra, studiuesit evropian te disa artikuj veprës sëKadaresë do t’i qasen përmes semiologjisë strukturale, duke u lidhur me figurat-personazh që formojnë rrjetin e kodeve narrative. Roman Jakobsoni, diskursin e definon përmes metinomisë dhe sinekdokës, kurse sipas Venko Andonovskit, metinomia është e plota e të plotës dhe sinekdoka pjesa e të plotës, që do të thotë se prej sinekdokës derivojnë figurat. Kështu në veprën e Kadaresë kemi derivimin e figurave të shumëta: simboli, metafor, ironia, alegoria, parabola, oksimoroni, etj. Te këta artikuj, pra bëhet dekodimi i figurave, sipasas semiologjisë strukturale. Si për shembull te artikujt: ,,Realizimi i përpikktë, begatia e simboleve”, Michel Metais, Le Monde, 30.6.1972; ,,Rrëfim me simbole të tejdukshme”, D. S. Lire, septemre, 1990; ,,Ironi gryese, frymë e fuqishme epike”, ,,Ironia therëse për një aparat zyrtar Kafkaesk”, Luzerner Neueste, Nachrichten, 27.2.1992; Anne Derville, La Vie de Paris, 9.11.1989; Figura (alegoria) e ëndrrës te ,,Pallati i ëndrrave”, Gilles Banderier, Revu Luxembourgeoise de Litterature, Genelal et Comparee, 1992/2, p.16-26; ,,Parabolla e ferrit totalitar”, Jean Palestel, Liberation, 25.10.1990; ,,Parabola jashtëkohore”, Florence Ferry, Politis, 19.11.1992; etj.
Këto pjesë janë marrë nga libri ,,Kadare në gjuhët e botës”, (Ismsil Kadare në tridhjetë e pesë gjuhë) të Bashkim Kuçukut, Onufri, Tiranë, 2005.
III.2. Qasja e jashtme
Për të arritur deri te qasja e jashtme, pra te interpretimi na mundësojnë teoritë e poststrukturalizmit (dekonstruktivizmit). Dekonstuktivizmi është mënyra e leximit të tekstit filozofik, (kështu edhe letrar) që e fillon filozofi francez Zhak Derrida (1930-2004). Padyshim, mund të thuhet se përfundimisht paraqitja e postststrukturalizmit si rymë u inaugurua nga Zhak Derrida me referatin ,,Struktura, shenja dhe loja në diskursin e shkencave humanistike”. (kumtesë shkencore, Baltimoro, 1966). Kjo paraqet një provokim në shkencat humanistike. Kështu, që nga viti 1966, Derrida e zhvilloi lëvizjen, procesin dhe strategjinë e dekonstruksionit. Sipas tij, dekonstruksioni nuk është analizë, kritikë apo përkthim, por nuk është as edhe akt operativ. Në fakt dekonstuksioni është krijuar dhe zhvilluar si instrument josistematik dhe operativ, si strategji, tendecë brenda korpusit të kritikës së Derridasë apo diskursit filozofik të tij, për prezencën e metafizikes apo logocentrizmit, që gjithëmon sipas tij janë iluzione. Procesi dhe logjika e dallimit që lidh/la differance, logjizohet me prezencën e gjurmës. Loja me gjurmën (gjurmë joprezente/prezente) që Derrida në kontinuitet e vëren dhe e interpreton, pra i mundësohet përmes logjikës interpretative dekonstuksioniste-shtojca.
Atëherë kur Zhak Derrida dhe Rolan Bardi në vitin 1966, përhapën idenë e freskët për poststrukturalizmin në SHBA, Mishel Fuko e botoi njërën nga veprat shkencore të tij ,,Fjala dhe gjërat”. (Foucault, 1966). Nëse sot e lexojmë me kujdes këtë libër, do të shohim se paraqet konfliktin midis strukturalizmit dhe poststrukturalizmit. Tema e saj ka të bëj me historinë e ideve shkencore që lidhen me periudhën midis shekullit të XVI dhe XIX, kurse metoda e diskursit të analizës shkencore, me të cilën Fuko shërbehet këtu, gjithënjë e më tepër na kujton mënyrën e mendimeve të njohura, që i hasim te veprat e Klod Levi-Strosit, i cili si psh. e ka thyer diskursin e njësive elementare që e quan ,,rrëfyes” (énoncés), mirëpo shkon gjurmëve për fshehjen e ligjshmërive të cilat i drejtojnë ata diskurse, e sidomos pjesëmarrja e tyre si mendime të formave të përgjithëshme të pavetëdies të cilat i quan ,,epistema” (Épistémé). Termi epistemologji është përdorur gjithashtu njgajshëm si Klod Levi-Strosi ,,struktura e mendjes”. Mishel Fuko, përveç tjerash vazhdon që mos ta mbyll hulumtimin e vet vetëm sipas qasjes së brendshme, por gjithëashtu, i hulumton relacionet midis diskursit dhe të vërtetës jashtëgjuhësore (korrospodimit, ressemblances). Kështu pas tre viteve ai e botoi librin ,,Arkeologjia e dijes”(1969) dhe këtu i sqaron strategjitë e pranuara te ,,Fjala dhe gjërat”.
,,Atyre preformansave të dendura verbale, vetëm se më duhet t’u mundësohen analizat e niveleve të ndryshme që mund të jenë si varianta të mundshme. Duhet të thuhet se krahas metododës linguistike…të strukturimit…ekziston mundësia të vendoset një përshkrim specifik i rrëfimit, shprehja e tij paraqet rregullat e vetive të diskursit.” (Fuko,1998,214).
Zhan Bodrijar (1929-2007) i njohur si teoricien i simulacionit, respektivisht teoricien i indiferencës dhe hipertelosit, posthistoire në vend postmoderne. Në studimin e tij Simulakrumi dhe simulacioni (1985), Bodrijar mendon se dallimet sot nuk qëndrojnë dhe se janë ,,funksionale implozimet gjigante të kuptimeve të ndryshme, të cilat kalojnë në indiferencë universale”. (Welsch, 1993; 159). Këtu është fjala për tezën që kritikon dallimet, se krijimi i dallimeve është dialektik dhe kontroproduktiv. Krijimi i dallimeve dialektike është modus i krijimit të indiferencës. Gjithënjë sipas Bodrijar-it, dialektika e diferencave përfundon me indiferencën. Në funksion të tezës se diskurset ndërthuren, ata nuk kundërshtohen, pra, ata simulojnë. Simulohet demostrimi i realitetit përmes imagjinatës, së artit me anti-artin, i estetikës me anti-estetikën. Reliteti sendërtohet përmes komunikimit, vihet në funksion retroja fiksionale e realitetit, definohet kosmosi i simulimit, pra, i simulimit universal.
Sipas këtyre teorive, gjuha e veprës letrare paraqet botën e përcaktimeve dhe pikëvështrimeve, me një fjalë, tërësinë e formave dhe përmbajtjeve në proprcionalitet. Në këtë mënyrë do të shohim se do të trajtohen artikuj të shumtë për veprën e Kadaresë nga kritika letrare evropiane. Si për shembull artikujt: ,,Shqipëria ose viset e shpirtit”, Alain Bosquet Lettres etrangeres, Botimet Fayard, 1987; ,,Vrasës me jakë A LA MAO”, Andre Clavel, Journal de Geneva, 21.11.1989; ,,Mes xhuxhëve dhe gjigantëve”, Edgard Reichmann, Le Monde, 14.01. 2000; ,,Himni i shumëkuptueshmërisë”, Alain Bosquet, Le Quotidien de Paris, 12.10.1990; ,,Romanet epikë më të bukur të shekullit”, Claude Jennoud, Sidimanche, 7 tetor 1990; ,,Më afër qiellit”, Nicole Zand, Le Monde, 25.09.1992; ,,Ripërtrirja e miteve”,Alain Bosquet, Le Figaro Litteraire, 7.09.1992; etj.
Këto pjesë janë marrë nga libri ,,Kadare në gjuhët e botës” (Ismail Kadare në tridhjetë e pasë gjuhë) të autorit Bashkim Kuçukut, Onufri, Tiranë, 2005.
III.3 Efekti estetik
Duke e pasur parasysh definimin e letërsisë, sipas Zherar Zhenetit: ,,letërsia është artefakt me efekt estetik ku dimenzioni estetik ja përcakton vlerat”, atëherë do të shohim se te disa artikuj të studiuesëve të ndryshëm evropian, trajtohen edhe vlerat estetike të veprës së Kadaresë. Në veprën e Ismail Kadaresë vin në shprehje grotesku si kategori estetike.
Grotesku është kategori estetike që ka funksion të rëndësishëm në rivlerësimin e realitetit objektiv-kriza shoqërore dhe kulturore. Nëse fizicienti ka mësuar të lidh dy elemente të kundërta: ujin dhe zjarrin, artisti bashkëkohor ka mësuar të lidh tragjikën dhe komikën në një projektim inovativ, groteskun modern, që është potenciali më i eksploruar estetik në shekullin e XX. Konstatimi që potenciali estetik i groteskut është i eksploruar në letërsinë dhe artin e shekullit XX (është funksional edhe në veprën e Kadaresë), sepse njeriu në kuadër të realitetit objektiv, nuk mundet në mënyrë aktive ta ndjek absurdin e mekanizmave shoqëror e që në mënyrë direkte ta definoj fatin e botës. Në botën e kaosit, njeriu don të zhvilloj aktivitetet e veta humane dhe gjithëashtu don të jetë i vetëdijshëm për dimensionet e apsurdit të gjërave. Vetëdia njerëzore është e pamundur të funksionoj pa një lojë paradoksale artistike, pa fiksion. Sipas Kafkës, pra: ,,ne nuk jetojmë në ekzistencë, por në teorinë e ekzistencës”. Në shekullin XX, kategoria estetike grotesku do të shfrytëzohet si procedim stilistik dhe vizion estetik nga shumë artistë, por edhe do të bëhen përpjekje të shumta për definimin teorik të groteskut. Kur është fjala për studiuesit e letërsisë shqiptare, duhet përmendur se janë dy estet të njohur: Alfred Uçi dhe Afrim Rexhepi, të cilët janë marrë kryesisht me groteskun në veprën e Kadaresë. Alfred Uçi groteskun në veprën e Kadaresë e trajton në kontekst të procedimeve stilistike, pra, si figurë në kontekst stilistikoroletrar, kurse Afrim Rexhepi groteskun në veprën e Kadaresë e trajton si formë, që përbëhet prej dy segmenteve me katër skaje: tragjkja dhe komikja/e bukura dhe e shëmtuara. (Më gjërësisht, shih në vëllimin e Alfred Uçit Estetika e groteskut I, II, III dhe VI, Tiranë, 1999 dhe librin e Afrim Rexhepit, Estetika e lojës-grotesku te Kadareja, Shkup, 2008.). Gjithashtu edhe disa studiues evropian në mënyrë të spikatur do ta trajtojnë groteskun në kuadër të veprës së Kadaresë. Këtë e hasim te disa artikuj, që do ti paraqesim në vijim: ,,Dhe kaq e stërmadhe sa që grotesku përfton përmasa kozmike. Nëse prej një kohe të gjatë, Garcia Marquez-i ka fshikulluar delirin e tiranëve latino-amerikan, autori i romanit ,,Koncerti”, sapo ka vënë në skenë një version tjetër të marëzisë dhe të fantazmit gjakatar, këtë herë nga e Diellit që Lind. Çka të njgjall frikë”.(Grotesku përfton përmasa kozmike, Andre Clavel, Le Mond, 13.11.1989); ,,(…)Sepse makina është krejt e njëmentë, e njohur në të gjitha kohërat, e tmerrshme për nga funksioni, siç e shpjegon Konstruktori: ky Kalë ,,me këmbët rrënjosur në mitologji dhe kokën drejtuar nga kohët moderne” është ,,një makinë për të njgjallur terrorin, e aftë për t’iu përshtatur çdo epoke dhe të përdorë për qëllimet e veta angushtitë e gjthë brezave”. (Makina e tmerrit, Yves Landevennec, Botimet Fayard, 1991); ,,Kishte kohë që më joshte projektimi i një skëterre. E dija që ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur që pas arkitektëve të mëdhenj të gjertanishëm, anonimëve egjiptianë, Homerit, shën Augustinit, Dantes të krijoja një projekt origjinal”, shpjegon Kadareja lidhur me Pallati i Ëndrrave. Efektivisht, titulli të bën të ëndrrosh, në një kohë që bëhet fjalë për një ide djallëzore e cila e shndërron një ushtri funksionarësh të punësuar në një organizëm tmerrues kobndjellës për të ardhmen…”. (Ferri i ëndrrave, Nicole Zand, Le Monde, 28.10.1990). etj.
Meqenëse, në romanet e Kadaresë dominon trishtimi si kategoti estetike që është i veçantë, pikërisht për këtë arsye kritika letrare evropiane, Kadaresë do t’ia jap epitetin ,,Danteja i shekullit XX”.
,,Roman që të habit, i pajisur me një lloj fuqie magjepse që vjen njëherit nga subjekti rrënqethës, por të trajtuar në mënyrë shumë të gjërë, dhe nga ironia therëse, e hapët dhe shpesh pikëllueshëm, që shpreh hidhësinë e tij” (…). L’Echo, Lyon, 17 mars 1970.
,,Ky shkrimtar shqiptar, i lindur më 1936, ka shumë talent. Subjekti i këtij libri është një rrëfim shumë i çuditshëm dhe me shumë domethënie, që të bën për vete njëherit me progresion dramatik dhe humorin rrënqethës të posaçëm”. Baux-Arts, Bruxeles, 21 mars 1970.
Këto pjesë për romanin ,,Gjenerali i ushtrisë së vdekur” janë marrë nga libri ,,Lidhjet letrare shqiptaro frenge” të Ymer Jakës, Rilindja, Prishtinë, 1978.
IV. Receptimi gjuhësoro artistik i veprës së Ismail Kadaresë
Vepra gjuhësoro artistike e Ismail Kadaresë është jashtëkohore. Më tepër se dyzet vite vazhdon të botohet dhe të ribotohet në gjuhën shqipe dhe gjithashtu edhe në shumë gjuhë tjera të botës. Prej vitit në vit, prej decenie në decenie Kadare vazhdimisht e ka rrit numrin e lexuesve çdokund në botë (në gjuhën shqipe dhe në gjuhë tjera të botës). Kështu vepra e tij nuk mbetet funksionale vetëm për kohën e tij kur është shkruar, por vazhdon me intenzitet të njejtë edhe në dekadat e shekullit të ri dhe padyshim ndodhet para vlerave të reja estetike. Kjo tregon se vlerat gjuhësoro artistike të veprës së Kadaresë zhvillohen me një intenzitet të madh edhe në fillim vitet e mileniumit të ri.
,,Romani ,,Gjenerali i ushtisë së vdekur” i Kadaresë është një parabolë e madhe, një alegori e rëndësishme që e zbulon fytyrën e vërtet të univerzumit totalitar. Kurse ironia është në funksionin konstruktiv për të përkthyer realitetin subjektiv….” (Histoir de la literature europianne, Hachette, Paris, 1992)
,,Në romanin e tij i vërejmë intrigën e dobësuar që është karakteristike për sh. XX, të filluar nga Prusti. Intriga e përforcon pikëshikimin ideologjik të autorit…” Eric Faye
,,Ismail Kadare lexuesit francezë i ofron një roman të të formatit botëror…një roman me gradacion dramatik dhe humoristik”. Zhan Boudrie
,,Kjo kronikë nuk është vetëm kronikë e një ,,qyteti të gurtë”, por edhe kronikë e qyteteve të vendeve tjera, e popujve dhe kontinenteve tjera, duke e dhënë frymën epike, të rëndë pokështu të rëndë sikurse gurët që i përshkruan.” L’Eklaire, Nantes
,,Qyteti i kontradiktave tragjike dhe i ngarjeve groteske, mbetet i njëjtë për gjithëjetën…” Michel Metais
,,Më tepër se alegorik ose rrëfim filozofik, ky libër i bukur është himn i shumëkuptimsisë. Ëndrra ka përparësi mbi realitetin, meqenëse e përmban me vete arbitraritetin dhe mjegullimin” Alain Bosquel
,,Pallati i ëndrrave, një karikaturë e rrezikshme perverze e sistemit totalitar”. Andre Clavel
,,Kadare i ruan temat metafizike (vdekjen, dashurinë) me frymën poetikeduke e shndërrua racionalen në legjendë” Olimpia Bogdan Verger
Këto pjesë janë marrë nga libri ,,Kadare në gjuhët e botës”, (Ismail Kadare në tridhjetë e pesë gjuhë), te Bshkim Kuçukut, Onufri, Tiranë, 2005.
V. Përfundim
Përhapja e madhe e veptës së Kadaresë, veçanërisht lënda e saj, mendimet, problemet, emocionet, siç kanë pohuar njëzëri kritika letrare franceze, amerikane, angleze, gjermane, spanjole, suedeze, etj. e kanë cilësuar me vlera të larta universale. Vepra e Kadaresë është bë universale, shkruan Maurice Druon, sekretari i pëhershëm i Akademisë Franceze. Të njëjtën e thekson edhe A. Plantey, kryetari i Akademisë së Shkencave Politike dhe Morale të Francës, në fjalimin e tij, kur Kadareja u pranua anëtar i kësaj Akademie: ,,Vlerat e veprave tuaja janë çmuar kudo. Ata kanë një domethënie të fuqishme dhe të thekshme në të gjithë botën.” Kështu, vepra e Kadaresë bëhet objekt studimi jo vetëm për kritikën letrare shqiptare, por edhe për kritikën letrare evropiane”.
Referencat
Derrida, Jacques, ,,Strukrura, znak i igra w dyskursienauk humanistycznych”, tlum. W. Kalaga, u: Drogi wspolczensna teoria badanliterackich za granica. Antologia, oprac. H. Markiewicz, t. 4, cz. 2: Literatura jako produkcja i ideologia. Poststrukturalizam. Badania intetrekstualne. Problemy historyczno-literakciej, Krakow, 1992.
Foucault. Michel, ,,Les mots et les choses”. Une acheologie des sciences humaines, Paris, 1966.
Foucault, Michel, ,,Arhelogija znanja, Plato, Beograd, Izdavačka knjižarnica Zorana Stojanoviča, Novi Sad, 1998. pčrkthyer nga Mladen Kozomara.
Konstantinoviç, Zoran, “Estetika recepcije Hansa Robert Jausa”, në parathënie, Beograd, Nolit, 1978, f.26
Kuçuku, Bashkim, “KADARE NË GJUHËT E BOTËS” (Ismail Kadare në tridhjet e pesë gjuhë), Shtëpia Botuese Onufri, Tiranë, 2005, f.14
Konstantinoviç, Zoran, ,,Hyrje në studimin e letërsisë komparative”, 1984
Konstantinoviç, Zoran, “Sovremeni knizevni misao o simbolizmu”, Beograd, 1984, f.50
Grunëwald M. Moog, 1987, f.40-45
Kuçuku, Bashkim, “KADARE NË GJUHËT E BOTËS” (Ismail Kadare në tridhjet e pesë gjuhë), Shtëpia Botuese Onufri, Tiranë, 2005, f.191
Hachette “Histoir de la literature europianne”, Paris, 1992
Derrida, Jacques, ,,Struktura, znak i igra w dyskursienauk humanistycznych”, u: Wspolczesna teoria badari literackich za granica. Antologia , t. 4 deo 2: Literatura jako produkcija i ideolkogia. Badania intertekstualne. Problemy syntezy historycznoliterackiej, Krakow, 1992, 158.
Fuco , Michel, ,,Arheologija znanja, Plato, Beograd, Izdavačka knjižarnica Zorana Stojmenića, Novi Sad, 1998, str. 214, prevod:Mladen Kozomara.
Welsch, Wolfgang, Postmodern modern, Berlin, 1993.
Andre Clavel, Grotesku përfton përmasa kozmike, Le Mond, 13.11.1989.
Yves Landevennec, Makina e tmerrit, Botimet Fayard, 1991.
Nicole Zand, Ferri i ëndrrave, Le Monde, 28.10.1990.
L’Echo, Lyon, 17 mars 1970.
Baux-Arts, Bruxeles, 21 mars 1970.
Jaka, Imer, ,,Lidhjet letrare shqiptaro frenge”, Rilindja, Prishtinë, 1987.
Rexhepi, Afrim, ,,Estetika e lojës-grotesku te Kadareja”, Shkup, 2008.
Uçi, Alfred, Estetika e groteskut, I, II, III, dhe IV, AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË, INSTITUTI I KULTURËS POPULLORE, Tiranë, 1999.
(Marrë nga Nacional)