Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka thënë në Atlanta se 98 ditët e ardhshme do të jenë një “luftë”. Sipas saj, në fund demokratët do t’i fitojnë zgjedhjet presidenciale, duke e “ngacmuar” rivalin Donald Trump, i cili një ditë më parë ka shprehur mëdyshje kur është pyetur për një debat sy më sy në javët e ardhshme, shkruan agjencia e lajmeve, AP.
“Momentumi në këtë garë po ndryshon”, ka thënë kandidatja e mundshme e demokratëve. “Dhe ka shenja se këtë po e ndjen edhe Donald Trump”.
Pak më shumë se një javë më parë, Georgia dukej se po u rrëshqiste demokratëve nga duart: Fushata e Joe Bidenit ishte zotuar të përqendrohej më shumë në ruajtjen e mbështetjes në shtetet e “murit të kaltër” të demokratëve dhe sinjalizoi se mund të shmangte angazhimin e madh në fushëbetejat e “Sun Beltit”.
Por tani që Biden është tërhequr nga kandidimi dhe Harris shihet si kandidatja pothuajse e zyrtarizuar, demokratët po rrisin shpresat e një zgjerimi të mundshëm të mbështetjes elektorale.
Në shtetin që i dha Joe Biden fitoren më të ngushtë më 2020, Harrisi ka mbajtur një tubim të madh për ta sinjalizuar Donald Trump: Një aktivitet i madh, plot me mbështetës që brohorisnin emrin e saj, derisa ajo po ngacmonte rivalin republikan dhe bashkëgaruesin e tij JD Vance, duke e quajtur “të çuditshme” politikën e tyre dhe vlerësuar si të prapambetura premtimet e tyre.
Harris e shfrytëzoi rastin duke thënë: “Pra, ai nuk do që të debatojë me mua dhe bashkëgaruesi i tij ka shumë për të thënë për mua”. “Dhe, meqë ra fjala, nuk ju duken shumë gjëra të tyre si shumë të çuditshme”.
“Hey, Donald”, theksoi Harris, duke iu referuar rivalit me emër. “Shpresoj se do ta rikonsideroni. Më prit në skenën e debatit… sepse siç thotë ajo shprehja, nëse ke diçka për të më thënë, ma thuaj në fytyrë”.
Trumpi ka sugjeruar se debati televiziv i 10 shtatorit në ABC News duhet të zhvillohet në një kanal tjetër televiziv, duke e quajtur ABC-në si “fake news”.
Javën e kaluar, në një bisedë telefonike me gazetarë, Trump u pyet nëse do t’i qëndronte besnik deklarimit të mëhershëm që së paku njëherë të debatojë me Harris. Trumpi tha: “Oh, po, absolutisht. Do të doja”, dhe tha se debati ishte obligim.
Në intervistën e së hënës mbrëma për “Fox News Channel”, moderatorja Laura Ingraham insistoi nëse Trump do ta mbante fjalën e dhënë.
“Dua të bëj një debat. Por edhe mund ta them këtë. Të gjithë e dinë kush jam unë. Dhe tani njerëzit e dinë kush është ajo”, deklaroi Trump.
Trump pastaj tha: “Përgjigja është po, mbase në fund do të debatojmë”.
Dhe nuk kaloi shumë kohë dhe tha se çfarëdo debati që është i nevojshëm duhet të kryhet para nisjes së votimit nëpër shtete, dhe pastaj shtoi: “Përgjigja është po, por unë gjithashtu mund ta bëj punën që të mos e bëjmë”.
Trump më parë iu ishte shmangur debateve, përfshirë debatet e zgjedhjeve partiake nga ku del kandidati republikan për president. Fillimisht nuk kishte marrë pjesë pasi kishte konsideruar se ishin të hershme dhe pastaj e bëri të qartë se nuk do të merrte pjesë fare në to./AP
(BalkanWeb)