https://appsuite.sunrise.ch/appsuite/#!!&app=io.ox/mail&folder=default0/INBOX
Thirrjet e zyrtarëve të lartë amerikanë të asaj kohe: “Qeveria amerikane dhe populli amerikan shprehin edhe njëherë interesimin e tyre tradicional për popullin shqiptar”.
Gjatë dekadave të luftës së ftohtë, qeveritë e Shteteve të Bashkuara, nepërmjet zyrtarëve të tyre më të lartë, kanë bërë vazhdimisht thirrje, duke shfaqur gatishmerinë e Washingtonit zyrtar për miqësi dhe marrëdhënie normale diplomatike me Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Shpesh, zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara kanë dërguar mesazhe popullit shqiptar për “forcimin e miqësisë së vjetër”, gjatë viteve të luftës së ftoftë, nepërmjet valëve të Zërit të Amerikës. Thirrjet amerikane për miqësi me Shqipërinë binin në veshë të shurdhër të Tiranës zyrtare komuniste të viteve 70-ta e 80-ta, të shekullit të kaluar. Ishte gjithashtu koha fatzezë kur shqiptarët dënoheshin nga regjimi komunist, thjesht, se dëgjonin Zërin e Amerikës.
Këto deklarata të zytarëve më të lartë amerikanë, tregojnë të vërtetën se nuk ishte Washingtoni zyrtar – “imperializmi amerikan”, ai që kishte izoluar Shqipërinë nga bota, ashtu siç pretendonte shpesh regjimi barbar i Enver Hoxhës, por ishte ai regjim diktatorial sllavo-komunist i cili nuk dëshironte të kishte lidhje as miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte regjimi i Enver Hoxhës ai që donte të mbante larg perendimit, Shqipërinë dhe shqiptarët, një popull të zenë rob, si rrjedhim, edhe larg vlerave të lirisë e të demokracisë.
Ky vit shënon 73-vjetorin e rifillimit të transmetimeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe (13 Maj, 1951), pasi ishin ndërprerë, përkohësisht. Ishte kjo një përpjekje tjetër e Washsingtonit zyrtar, për të mbajtur sado pak gjallë lidhjet e Amerikës me Kombin shqiptar. Me këtë rast ia vlen, për hir të së vërtetës, të sjellim nga arkivat e Zërit të Amerikës, një thirrje të tillë për miqësi me Shqipërinë, nga zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara – transmetuar në një program të veçantë të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe me 13 Maj, 1976, si një shembull i atyre përpjekjeve për të treguar gjithnjë interesim për fatin e shqiptarëve nga zrytarët amerikanë, megjithse regjimi komunist enverist hidhte poshtë çdo nismë amerikane për marrëdhëie normale midis dy vendeve tona. Në atë kohë Zëri i Amerikës transmetonte në të dy dialektet. Talat Karagjozi nga Gjirokastra, Frank Shkreli nga Malësia e Madhe dhe Leonora Malo nga Himara morën pjesë në përgatitjen e këtij programi (13 Maj, 1976), atëherë kur Enver Hoxha dënonte shqiptarët se dëgjonin Zërin e Amerikës.
25th Anniversary of…13, 1976.m4a (5.0 MB)
———————————
Leonora Malo: 25 vjetë si sot, dmth. Në datën 13 Maj, 1951, Zëri i Amerikës rifilloi transmetimet e saj në gjuhën shqipe, të cilat kishin filluar gjatë Luftës së dytë Botërore dhe kishin marrë fund me mbarimin e asaj lufte. Me këtë rast ju sjellim sot një bisedë mbi qëllimet dhe përmbajtjen e këtyre transmetimeve, siç janë venë në dukje, në hollësi, nga zyrtarët e qeverisë së Shteteve të Bashkuara:
Talat Karagjozi: Kur Zëri i Amerikës rifilloi programin e saj në gjuhën shqipe, Ministri i jashtëm i Shteteve të Bashkuara që shërbente në atë kohë, i ndjeri Dean Acheson bëri një deklaratë e cila u përfshi në programin ose në transmetimin e datës 13 Maj, 1951 drejtuar popullit shqiptar. Ndërmjet të tjerave, i ndjeri Acheson ka thënë këto:
Frank Shkreli: “Me këtë rast ndiej nji kënaqësi të posaçme t’i drejtoj popullit shqiptar këtë mesazh në emën të qeverisë së Shteteve të Bashkueme dhe të popullit amerikan. Tue rifillue programet e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, qeveria amerikane dhe populli amerikan shprehin edhe njiherë interesimin e tyne tradicional për popullin shqiptar. Në këtë mënyrë përtriten sot lidhjet që na bashkojnë. Miqësia jonë e vjetër duhet të forcohet tashti dhe të pajiset me nji kuptim ma të thellë. Sepse kjo miqësi ashtë nji përfundim i natyrshëm i faktit se Shtetet e Bashkueme të Amerikës kanë qenë shumë afër luftës së popullit shqiptar për liri dhe pamvarësi. Gjatë vjetëve, qeveria amerikane dhe populli amerikan kanë shikue me dashamirësi dhe me simpati dhe kanë ndihmue në këtë luftë tue e dijtun se lufta për liri pasqyron aspiratat tueja të vërteta. Nga fillimi i këtij shekulli, shumë patriotë shqiptarë erdhën në këtë vend dhe gjetën liri të plotë për të punue për nji Shqipëri të pamvarun. Në Konferencën e Paqës në 1919, kur Presidenti Wilson u interesue personalisht në themelimin e nji Shqipnie të pamvarun, qeveria amerikane përkrahu përpjekjet e patriotëve shqiptarë.
Por këto ngjarje i përkasin historisë. Sot e tutje, Zani i Amerikës do t’ju flasë mbi gjëndjen e tanishme dhe të ardhshmen. Qeveria amerikane dhe populli amerikan u paraqesin përshëndjet e tyne dhe Zani i Amerikës ju mirësardhë në radhët e ndëgjuesve të saj.”
Talat Karagjozi: Këto janë fjalët që tha i ndjeri Dean Acheson 25-vjetë më parë. Gjatë vjetëve, pas asaj deklarate, zyrtarë të tjerë amerikanë kanë bërë deklarata të njëllojta. Ndërmjet tyre, ish-Ministri i Jashtëm, Zoti William Rogers dhe ish-nën-Ministri i jashtëm, Zoti Keneth Rush.
Frank Shkreli: Ish-Ministri i Jashtëm Zoti Rogers në raportin e tij mbi politikën e jashtme shqyrtoi përmirësimin e marrëdhanieve diplomatike me të gjithë kombet, tue përmbledhun kombet komuniste dhe në fund të raportit të tij, ai shtoi këto fjalë: “Mungesa e marrëdhanieve diplomatike me Republikën e Shqipnisë ishte në fundin e vitit 1973, nji punë e pambarueme në përpjekjet tona për marrëdhanie normale me të gjithë vendet, pa marrë parasysh ndryshimet. Por drejtimi i masave, si në politikën e Shteteve të Bashkueme, ashtu edhe në politikën e Shqipënisë, premtojnë se do të vendosen marrëdhanie normale në të ardhshmen.”
Kjo deklaratë u pasue nga nji deklaratë që bani në të njajtin muej, nën-Ministri i jashtëm Keneth Rush. Në prill të vitit 1973, në një fjalim mbi politikën e jashtme që mbajti në Akademinë Detare të Shteteve të Bashkueme në qytetin Annapolis, mbasi radhiti masat e marra ose ato që parashikoheshin të merren në lidhje me përmirësimin e marrëdhanieve me pjesën tjetër të Evropës Lindore, Zoti Rush tha këto: “Vetëm me Shqipëninë nuk ashtë shënue ndonji përparim i dukshëm. Përball zgjanimit të lidhjeve tona me gjithë vendet e tjera të Evropës duket si nji gja anakroniste që Shqipëria të dëshirojë të funksionojë në nji izolim të tillë. Shqipnia vazhdon të përdor kundër nesh nji gjuhë përbuzëse të nji periudhe të maparshme. Nëse dëshiron të rifillojë marrëdhaniet, ne nuk e dimë. Nëqoftse dhe kur të dëshiroj nji gja të tillë, Shqipnia do të na gjejë gati t’i përgjigjemi”.
Talat Karagjozi: Me që jemi duke bërë fjalë për pëvjetorë, dëshirojmë të përmendim këtu fjalëtqë përdori i ndjeri President Kenedi mbi misionin e Zërit të Amerikës, kur ky ent celebroi 20-vjetorin e tij me 26 Shkurt, 1962. Presidenti Xhon Kenedi mbajti nji fjalim në të cilin ai tha se Zëri i Amerikës zën një vend me rëndësi dhe luan në rol kyç në shtjellimin e jetës amerikane dhe pastaj deklaroi edhe këto:
Frank Shkreli: “Ajo që jemi tue ba në këtë vend, çfarë jemi, çfarë dëshirojmë të jemi, përban dhe pasqyron të vërtetë nji eksperiencë të madhe me llojin ma të vëshitrë të disiplinës së vetvetes dhe kjo ashtë organizimi, mbajtja dhe zhvillimi i përparimit të nji qeverie të lirë. Dhe kjo ashtë detyra e juaj si drejtues dhe si pjesëmarrës të Zanit të Amerikës që t’ia kallxoni këtë gja të gjithë botës. Ne konkurojmë me burime të tjera informatash me ata që janë kundërshtarët tonë, e të cilët thonë vetëm të mirat për vehten e tyne. Zani i Amerikës duhet të thotë të mirat dhe të këqiat e Amerikës. Dhe ne shpresojmë se e keqja dhe e mira shkoqiten dhe shoshiten së bashku nga njerëz me gjykim të mirë, që kanë mendjehollësi dhe shije — se do të kuptojnë përpjekjet që jemi tue ba në këtë vend. Ne kërkojmë qarkullimin e lirë të informatave tej-për-tej kufijve kombëtarë dhe oqeaneve, tej-për-tej perdeve të hekurta dhe mureve me gurë. Ne nuk kemi frikë t’i besojmë popullit amerikan tue i paraqitun faktet që nuk janë të pëlqyeshme, (as nga) mendimet dhe fillozofitë e hueja që i paraqiten këtij populli dhe as nga vlerat konkurues që mund t’i paraqiten popullit amerikan. Nji komb që ka frigë të lejojë popullin e vet të gjykojë të vërtetën dhe gnjeshtrën në nji treg të hapët, ashtë nji komb që ka frigë nga populli i tij.”
Talat Karagjozi: Kjo është pjesa jetike e sistemit amerikan, përfundoi i ndjeri President Kenedi fjalimin e tij, që mbajti në 20-vjetorin e transmetimeve të Zërit të Amerikës. Ai shtoi se Zëri i Amerikës do të vazhdojë të përmbushë këtë detyrë siç bëri ditën e parë të transmetimeve kur ia kushtoi veten e saj së vërtetës.
Leonora Malo: Dhe ndërkohë që programet e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe celebrojnë përvjetorin e tyre të 25-të, ne shpresojmë të vazdojmë të aderojmë pa asnjë devijim në këtë kushtim ndaj së vërtetës, siç jemi përpjekur të aderojmë karshi saj gjatë 25 vjetëve të kaluara.
*Radio program i transmetuar nepërmjet valëve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe 13 Maj, 1976
Dean Acheson, ish-Sekretar i Shtetit
Arkitekt i Luftës së Ftohtë –
“Duke rifilluar programet e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, qeveria amerikane dhe populli amerikan shprehin edhe njiherë interesimin e tyre tradicional
për popullin shqiptar.”
Uilliam Roxhers, ish-Sekretar i Shtetit
Arkitekt i Luftës së Ftohtë –
“Mungesa e marrëdhanieve diplomatike me Republikën e Shqipnisë ishte në fundin e vitit 1973, nji punë e pambarueme në përpjekjet tona…”
Presidenti Xhon Kenedi
“Zëri i Amerikës duhet të thotë të mirat dhe të këqiat e Amerikës”.
Kenneth Rush
“Nëse dëshiron të rifillojë marrëdhaniet, ne nuk e dimë. Nëqoftse dhe kur të
dëshirojë një gjë të tillë, Shqipëia do të na gjejë gati t’i përgjigjemi.”
Talat Karagjozi nga Gjirokastra (në foto) Frank Shkreli nga Malësia e Madhe dhe Leonora Malo nga Himara morën pjesë në përgatitjen e këtij programi (13 Maj, 1976) kur Enver Hoxha dënonte shqiptarët se dëgjonin Zërin e Amerikës.
Autori në hyrje tek “Zëri i Amerikës si vizitor, në vitin 2020 – “Zëri i Amerikës ka mbi supe një përgjegjësi të madhe si mbartës i së vërtetës. Barra për të thënë të vërtetën nuk është e lehtë të mbartet…”. Kështu është shprehur, ndër të tjera, Presidenti Xhon Kenedi në fjalimin e tij me rastin e 20-vjetorit të Zërit të Amerikës, në kryeqendrën e VOA-s, 26 Shkurt, 1962. Për 30 vjet në detyra të ndryshme tek Zëri iAmerikës, por dhe gjithë jetën time si gazetar e publicist, jam munduar ta mbroj të VËRTETËN si një përgjegjësi morale dhe si një barrë dhe detyrë shoqërore!