Prej vitesh, shifra e pasaktë e popullsisë në regjistrat zyrtarë në krahasim me popullsinë banuese në vend është bërë shkak për shpërndarje të padrejta të burimeve financiare nga qeveria, teksa shihet se ka ulur eficiencën e rimbursimit të medikamenteve për personat në nevojë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi së fundmi rezultatet e një auditimi në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) në të cilat gjeti se numri i personave të regjistruar në sistem është 4,301,225 persona (pacientë të regjistruar), ndërkohë që sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, popullsia mesatare për vitin 2022 është 2,777,689 banorë, ndërsa me të dhënat e cens 2023 popullsia banuese në vend nuk është më shumë se 2,4 milionë banorë.
Popullsia në regjistrat e Fondit që mund të përfitojë nga rimbursimi është gati dyfishi i popullsisë banuese. Regjistri i FSDKSH-së ka filluar të popullohet që në vitin 2009-2010, kur ky sistem ka nisur funksionalitetin dhe përfshin fusha si numri i identifikimit (NID), emri, atësia, mbiemri, datëlindja, gjinia, mjeku, QSH dhe kod pacienti.
Nga viti 2010 deri në vitin 2014 të dhënat e personave janë populluar manualisht nga mjeku i familjes. Ndërsa që prej vitit 2015 për të gjithë personat që regjistrohen për herë të parë te mjeku i familjes të dhënat merren në mënyrë automatike nga ndërveprimi me regjistrin e gjendjes civile DPGJC.
Sistemi funksionon online dhe hedhja e të dhënave realizohet nga mjeku i familjes dhe pediatri, të cilët bëjnë regjistrimin e popullsisë që mbulojnë. Aktualisht ky sistem hostohet në data-center-in qeveritar pranë AKSHI-t.
KLSH vë në dukje se, sistemi i regjistrit të të siguruarve është aktualisht sistemi bazë i të gjithë sistemit shëndetësor parësor në vend. Mbi këtë sistem mbështeten dhe ndër veprojnë: – sistemi kombëtar i recetës elektronike me rimbursim (e-Rx) i cili operon si në sistemin shëndetësor parësor dhe në atë spitalor; – sistemi kombëtar i referimeve dhe ekzaminimeve (eReferimi) i cili gjithashtu operon në sistemin shëndetësor parësor dhe në atë spitalor; -sistemi regjistri elektronik për formularët e vizitave të mjekut të familjes (eVizita) i cili operon në sistemin shëndetësor.
KLSH referoi se sistemi shfaq një sërë problematikash të cilat vështirësojnë ndjeshëm punën e përdoruesve me sistemin duke ulur performancën e tyre në punë e si rrjedhojë edhe nivelin e shërbimit ndaj pacientit.
Gjithashtu këto probleme rriskojnë saktësinë dhe përmbajtjen e informacionit që regjistron e mban sistemi, aksesueshmërinë e tij e për rrjedhojë përdorueshmërinë e këtij informacioni nga strukturat shëndetësore.
Më konkretisht, nga sistemi AHIS (regjistri elektronik i të siguruarve), nga merr të dhënat në lidhje me përfitueshmërinë ose jo të rimbursimit sipas kategorisë së përfituesit konstatohen një numër i madh përfituesish si dhe nuk është realizuar integrimi i plotë i tij me regjistrin e gjendjes civile.
Kjo praktikë, nga pikëpamja e sistemeve të kontrollit krijon mundësinë e përvetësimit të përfitimit të rimbursimit të pacientëve të cilët mund të kenë ndërruar jetë në rastet e bashkëpunimit ndërmjet farmacisë dhe MPF, njoftoi KLSH.
Kontrolli i lartë i Shtetit e pati të pamundur të verifikojë abuzimet me regjistrin e pasaktë të popullsisë pasi nga ana e FSDKSH si administratore de jure dhe AKSHI si administratore de facto e sistemeve nuk u vendosën në dispozicion të grupit të auditimit, raportet e kërkuar sipas kod pacienti dhe iD me argumentin se janë të dhëna personale.
Nga testimi i të dhënave në dispozicion KLSH verifikoi se sistemi nuk ruan historik për lëvizjen e mjekëve nga një qendër në tjetrën, lëvizjen e banorëve, mbulimin e popullatës nga mjekët dhe për kartat e shëndetit.
Sistemi nuk gjeneron raporte dhe nuk të jep mundësinë për gjenerimin e statistikave për mbulimin e banorëve, kartat e shëndetit etj. Sipas KLSH-së sistemi nuk jep mundësi për pastrimin apo saktësimin e të dhënave të banorëve të regjistruar gabim nga mjekët e familjes. Sa herë që çelet apo ndryshon një përdorues, duhet të ndërhyhet në data-bazë për sistemimin e tij, pasi përdoruesit nuk i shtohen automatikisht të gjitha funksionalitetet./Monitor/