(vijim)
VOAL – Të kthehemi përsëri te krijimtaria letrare.
– Në vitin 1985 botova romanin “Ankthi i ditëve të fundit”, rreth rrëmbimit në dhjetor të vitit 1945 të një eksponenti të lartë zogist që strehohej në Greqi. E pëlqeu regjisori i mirënjohur Kristaq Dhamo dhe deshi që mbi bazën e tij të bënte një film, i cili, pavarësisht nga politizimi i ngjarjeve, do të dilte një film tërheqës policor. Por dikush nga lart, që ishte dhe shkrimtar, paraqiti në Kinostudio një skenar me subjekt disi të ngjashëm me tonin, që ishte edhe i dobët, por që dogji skenarin tonë. Romani “Vrasje në pranverë (1985), që ishte vazhdimi i ngjarjeve të romanit ”Atentat në Paris” dhe mbyllej me vrasjen e pabesë të Avni Rustemit, (prill 1924), u botua, por nuk la gjurmë te kritika, kurse romani “Zhgënjimi”, kushtuar Revolucionit të Qershorit nuk u miratua për botim nga redaksia e prozës në SHB “Naim Frashëri”, madje edhe nga gruaja ime, Natasha, redaktore, e cila nga dita e martesës sonë, (shtator 1979) ka qenë censore e rreptë ndaj meje, pavarësisht se isha burri i saj. Por u pëlqye romani “Vrasës me duar të bardha”, kushtuar vrasjes mizore të atdhetarit të shquar Themistokli Gërmenjit nga Sigurimi i Ushtrisë Franceze më 1917. Ky roman, ndonëse u botua në vitin 1991 në koën e fillimeve aq të vështira të proceseve demokratike, madje në 15 mijë kopje, sipas botuesve ishte vazhdim i traditës së romaneve më të mira me temë historike, ku përfshihej dhe romani “Atentat në Paris”.
VOAL – A iu riktheve përsëri temës sportive?
– Po, më 1998 botova librin “Yjet e futbollit botëror”, dhe romanin ”Tirana dy orë para dënimit” (1999), që i kushtohet përjashtimt absurd të kësaj skuadre legjendare në futbollin tonë në vitin 1967, nga diktatura komuniste, kur ajo po fitonte kampionatin e atij viti. Këta libra sportivë ishin vazhdimi i dokumentarit “Nëpër fushat e futbollit”, (1972) me skenarin tim, dhe të filmit artistik “Fushë e blertë fushë e kuqe, (1985), skenarin e të cilit e shkrova së bashku me regjisorin e filmit Gëzim Erebara, mbi bazën e romanit “Shpërthimi” edhe ai me temë sportive gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, deri tani i pari dhe i vetmi film shqiptar me temë sportive me metrazh të gjatë.
VOAL -Vimë tani në mars të vitit 1999, kur ti familairisht u vendose në Amerikë.
– Kjo ndodhi pasi unë atë vit promovova romanin “Vdekja është midis nesh”, kushtuar shkrimtarit Bilal Xhaferi, aq i luftuar nga regjimi komunist, sa u detyrua të arratisej në Amerikë, ku mendohet se është vrarë nga agjentë të Sigurimit të Shtetit, dhe “Të korruptuarit” për fillimet e kësaj plage shumë të rëndë në shoqërinë tonë. U largova, pasi kolegë të mi në TVSH, ndër të cilët “i paafti i famshëm” V.G., më luftuan deri në atë pikë sa nuk më ftuan të komentoja ndeshje të Botërorit 1998, por me dëshirën që, ndonëse larg atdheut, të vazhdoja të jepja në fushën e letërsisë, publicistikës dhe gazetarisë sportive. Dhe kështu ndodhi.
VOAL – Në këta 25 vjet në Amerikë ke botuar në mediat shqiptare dhe të Diasporës , edhe në VOAL, shkrime, dosierë, punime me temë historike, letrare, gjuhësore, sportive, (për botërorët dhe evropianët e futbollit), edhe në gazetën tonë “Nacional”, madje dhe romane.
-Ndër ta besoj më i godituri është “Shtatori i gjëmës së madhe”, (2010), kushtuar tragjedisië së 11 shtatorit 2001, në Nju Jork, ku midis 3000 viktimave ishin dhe tre shqiptarë, personazhe të këtij romani, i cili vitin e kaluar u botua nga Enti Lulu në versionin anglisht (“Disastrous September”), dhe së bashku me kolegen time amerikane Kerri Huper, (Carrie Hooper), po në anglisht romani “Një grua midis dy burrave”, (“A woman Between Two Men”), i cili, si i pari, ka temë amerikano-shqiptare. Kam botuar dhe dy romane humoristike ”Tirani ngrihet nga varri”, (2003) dhe “Politikanët mëkatarë fluturojnë në Mars”, (2008), kushtuar korrupsionin galopant në radhët e pushtetarëve tanë të të gjitha ngjyrave gjatë kësaj periudhe të gjatë tranzicioni, por, për fat të keq, ve$ botuesve dhe një rrethi të ngushtë shokësh, nuk kam dëgjuar që dikush të më flasë as mirë dhe as keq për ta. Bën përjashtim libri ”Topi nën këmbët e tyre”, (kujtime, kuriozitete, punime dhe tregime humoristike për futbollin), që u botua në vitin 2021. Kam ribotuar, sipas kritikës me ngritje të dukshme artistike, romanin “Atentat në Paris”,(2011), dhe kam dorëshkrime romanesh me temë iire, mitologjike dhe amerikane, për vlerat e të cilave nuk mund të flas, sepse nuk di nëse do të botohen…
VOAL – Së fundi diçka dhe për familjen.
Skifter Këlliçi dhe Natasha Këlliçi
-Si$ thashë dhe më sipër, gruaja ime, Natasha, për një kohë të gjatë punoi redaktore e prozës në SHB ”Naim Frashëri”, pastaj nga viti 1992, deri në vitin 1999, kur u vendosëm në Amerikë, gazetare në Radio Tirana. Për fat të keq, para katër vitesh ndërroI jetë nga një sëmundje e pashërueshme. Djali ynë i vetëm, Maldi, punon në kolegjin muzikor Berkli në Boston, ku jetojmë që me ardhjen tonë në Amerikë, ku ka mbaruar edhe studimet e larta për biznes-muzikë. Eshtë i martuar me një grua amerikane me origjinë hungareze dhe ka dy fëmijë.
Maldi Këlliçi
-Falemnderit shumë për bisedën.
-Falemnderit dhe juve.
(FUND)