Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Korrik 2024
“La Stampa” ka botuar, të premten e 26 majit 1989, në faqen n°3, intervistën ekskluzive me Ismail Kadarenë në Milano rreth librit të tij të ri ”Kush e solli Doruntinën?”, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Takimi në Milano me shkrimtarin Ismail Kadare rreth librit të ri
Fati shqiptar në një thriller
Milano — “Ju italianët flisni më shumë për Mozambikun se sa për Shqipërinë”. Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare nuk tregon as habi dhe as qortim “Përkundrazi, ju jeni popullorë te ne. Ne e duam artin, letërsinë dhe kinemanë tuaj. Ne e njohim muzikën tuaj, përfshirë atë të Festivalit të Sanremos”.
Kadareja e di se shumë italianë nuk e kanë parë kurrë vendin e tij, madje as në fotografi. Shqipëria këtu duket e largët, ekzotike, Kadare duhet ta dijë se edhe Shqipëria ka njëfarë përgjegjësie në këtë gjendje. Gjithçka e izoluar, e mbyllur. Ky është të paktën imazhi konvencional. “Saktësisht, konvencional. Ne nga ana tjetër jemi normalë. Sigurisht që shkëputëm marrëdhëniet me BRSS-në 30 vjet më parë. Nuk kemi ende marrëdhënie diplomatike. Por ne kemi marrëdhënie të mira me vendet e tjera”. Me vendet e Evropës Lindore, Perëndimore apo vetëm Evropës? “Evropën dhe kaq”.
Kadare flet për tokën (vendin) e tij të panjohur në Itali dhe peizazhet në jetën e tij. Detin e bukur. Dhe shtëpia e madhe në Gjirokastër ku ka jetuar kur ishte fëmijë : “Për mua ishte një shtëpi e madhe, me dhoma të mëdha dhe plot mistere. Ndoshta që atëherë, në ato hapësira pa kufi, lindi pasioni im për paqartësinë (ambiguitetin – dykuptimësinë). Librat e mi kanë një erë historie dhe legjendash, imagjinate të mundshme”. Ashtu si ky roman, që ndodhet tani në libraritë tona : Kush e solli Doruntinën? (Longanesi).
“E kam shkruar dhjetë vjet më parë, duke u nisur nga një legjendë mesjetare”. Një vajzë, Doruntina, po martohej në një fshat të largët, trembëdhjetë ditë më këmbë. Nëna e saj jep pëlqimin sepse një nga nëntë djemtë e saj, Kostandini, i premton : “Mos u shqetëso, do të ta sjell në shtëpi sapo të të marrë malli për të”. Në vend të kësaj, Kostandini vdes dhe të gjithë vëllezërit e tij vdesin. Doruntina nuk di më asgjë për familjen e saj dhe as në shtëpinë e vjetër nuk ka më ndonjë lajm. Nëna plakë mbi varrin e Kostandinit thotë këto fjalë : “Tani që jam plotësisht e vetmuar në botë, meqë nuk e ke mbajtur premtimin tënd, dheu mos të të përthithë kurrë”.
Një natë trokasin në derën e nënës së vjetër. Është Doruntina. “Kush të solli?” “Kostandini”, “Por ai vdiq tre vite më parë”. Dy gratë i nënshtrohen misterit. Fillojnë hetimet. Kapiten Stresi rindërton disa faza të atij udhëtimi të kthimit, të cilin Doruntina çuditërisht dukej se e kishte realizuar vetëm në atë kohë, në kujtimin e “një nate të pafundme, mes mijëra yjeve që vraponin në tufa nëpër qiell”. Dhe gjatë rrugës, mbi një kalë të vetëm, ajo vuri re disa herë se “flokët e burrit nuk ishin vetëm të mbuluara me pluhur, por edhe me baltë të sapotharë dhe se trupi i tij lëshonte një erë dheu të lagur”.
Kush ishte ky kalorës? A kishte lëvizur vërtet Kostandini gurin e varrit dhe kishte shkuar të merrte motrën e tij? Apo ishte një mashtrues? Po sikur Doruntina t’i kishte sajuar të gjitha? Në fund, kapiten Stresi zhvillon teorinë e tij mbi “besën”, fjalën që i ka dhënë nënës Kostandini në jetë. Çfarë rëndësie ka nëse ishte apo jo vetë Kostandini që e solli Doruntinën? Gjithsesi ishte ai, Kostandini. Ajo që duhet të bie në sy është respektimi i përbashkët i një ligji që nuk është shkruar në zemrat e të gjithëve. Aty ku një nuk arrin, mbërrijnë të tjerët. Nuk ka më bindje individuale ndaj një ligji të jashtëm, jo më gjykata dhe altarë të ndryshueshëm dhe grindavecë. Shqipëria, e vogël dhe gjithmonë në rrezik Shqipëria, gati e “kapur në ves”, dje si sot, “mes dy botëve, Perëndimit dhe Lindjes”, sheh lindjen e një njeriu të ri në “petkun transparent”, që di të përshtatet me ligjet “të qenësishme në vetë njeriun, të paprekshme dhe të padukshme”. Falë kësaj “besës”, besnikërisë fitimtare ndaj ligjeve më të fshehta e të vërteta, Shqipëria do të mund të dalë e padëmtuar nga vorbulla mes dy botëve të Perëndimit dhe Lindjes.
Ismail Kadare nuk insiston shumë në këtë vizion të heroizmit individual dhe shoqëror. Rrëfimi i tij është para së gjithash një thriller i lehtë dhe mahnitës. Dhe atëherë ndoshta Kadare e konsideron këtë vizion si të vjetëruar. Ai tashmë është shprehur se për të sot Shqipëria është “normale”. Nga ana tjetër, secili roman i tij lindi nga takimi i momenteve të ashpra historiko-politike dhe shpikjes (imagjinatës) së lirë. Ashtu si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (Longanesi), ku një gjeneral italian kthehet në Shqipëri njëzet vjet pas konfliktit, në kërkim të trupave të ushtarëve të tij për t’i sjellë përsëri në atdhe. Ashtu si “Daullet e shiut” (përsëri Longanesi), një afresk i fuqishëm i rrethimit turk të shekullit të pesëmbëdhjetë në Shqipëri, një metaforë për lakun bashkëkohor sovjetik. Gjithashtu tema mbizotëruese në “Muzgu i perëndive të stepës” (Sei).
Tani është çështja e Kosovës, e diskutueshme mes serbëve dhe shqiptarëve. Ismail Kadare thotë : “Ne shqiptarët e Shqipërisë jemi tre milionë. Dy milionë shqiptarë të tjerë jetojnë jashtë Shqipërisë. Kryesisht në Kosovë. Kjo është e gjitha. Megjithatë, ne duhet të shkojmë drejt një ure miqësie në Ballkan. Nëse dikush më pas sugjeron se Kosova është e trazuar sepse atje po mbërrijnë petrodollarët islamikë, kjo është marrëzi, thjesht marrëzi”.
Kadare në Milano merr pjesë në “Takimin e parë me intelektualë nga jugu i Mesdheut”, promovuar nga Arci Nova. Ai është 53 vjeç. Jeton me paratë që i fiton nga shitja e librave jashtë shtetit. Ndër shkrimtarët bashkëkohorë italianë ai preferon Sciascia-n. Ai jeton në Tiranë me gruan dhe dy vajzat në një apartament pa dhomat e mëdha të fëmijërisë. “Por dritaret kanë pamje nga parku pranë sheshit Skënderbe, heroi kombëtar i Shqipërisë.”
Claudio Altarocca