…” Shpesh herë i kisha folur Dritëroit për shoqen time Luixhina , që mbante një kryq të fshehtë në gjoks; që unë shkoja shpesh në kishë dhe dëgjoja kur Luixhina këndonte Ave Marinë në korin e kishës dhe unë ndjeja kënaqësinë më të madhe shpirtërore, ndjehesha më e qetë, më e urtë dhe më e mënçur. Madje me një prift , tek Kisha e madhe në qendër të Shkodrës , së bashku me Luixhinën , biseduam kur isha në gjimnazin “29 Nandori”, edhe për arsyet pse unë kisha shumë emocione kur flisja në shoqëri apo në mbledhje dhe skuqesha deri në veshë. Ai më foli gjatë si psikolog dhe më dha disa këshilla për të pasur besim në vetëvete , për të qenë më e vendosur e shumë këshilla të tjera që në atë kohë nuk i kishim në libra për t’i lexuar . I kisha treguar Dritëroit dhe për një gjyq , që ishte bërë në kinema “ Republika” kundër një prifti . Dua ta përshkruaj këtë gjyq ashtu siç e kam përjetuar unë maturantja e gjimnazit të Shkodrës rreth vitit 1958-1959.
Kishte kohë që fliteshin fjalë se kishin zënë dhe burgosur disa priftërinj spiunë, që bënin agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor etj. Gjithë atë javë shfaqej filmi “ Zekthi” , me subjekt antifetar. Shpesh herë bini këmbanat e kishave . Ishte një gjendje e rëndë , madje mbaj mend se ishin ditë të ftohta , gri. Një ditë, ne maturantëve të dy maturave , na thonë të shkonim në kinema “ Republika” , që të mësonim për historinë e priftit , që bënte punë të pista, edhe kundër pushtetit , edhe si njeri imoral . Gjyqi zhvillohej me dyer të hapura , kishin instaluar edhe altoparlantë të mëdhenj , që të dëgjohej edhe përjashta . Unë hyra në sallë së bashku me shoqet e shokët e shkollës dhe u ulëm në karriget ku zakonisht shihnim filma rusë. Ishte një prift i imtë, shumë i verdhë në fytyrë , i dobët si një fëmijë i parritur mirë. I veshur me një xhaketë të hollë doku gri . Ai dëgjonte pyetjet, akuzat që i bëheshin dhe përgjigjej me një zë pëshpërimë herë po, herë “ nuk më kujtohet mirë kjo gjë”, herë heshtëte . Toni i zërit të gjyqtarit ishte i fortë dhe shpesh herë i bërtiste ta ngrinte dhe ai zërin se nuk dëgjohej fare.
Ai dridhej nga të ftohtit , i mbledhur kruspull. Kur gjyqtari e pyeti dhe i tha:” – Pohoje këtu se ke fjetur dhe me motrën tënde në një krevat !”, ai heshtte . ” Trego si të gjetëm duke fjetur në një krevat me motrën!- “i tha përsëri gjyqtari . – Hë , fol, se në hetuesi e ke pohuar !” . “ Po “- tha ai me një zë pēshpërimë . “ – Më fort , më fort!”- i thërriste gjyqtari .
E gjithë salla e kinemasë e mbushur me njerëz kishte ngrirë. Në atë kohë, u dëgjua një klithmë gruaje :”- Jo, vëlla, nuk është e vërtetë, nuk është e vërtetë! Mos prano vëlla !” Ishte motra e priftit që qante dhe ulërinte , ndërsa unë dola përjashta nga kinemaja dhe volla e volla në një cep të godinës së kinemasë. Kjo skenë më kujtoi kur kam qenë 5-6 vjeçe dhe kam parë se si ia vunë prangat babait dhe xhaxhait tim si tregtarë që kishin fshehur pasurinë në bodrumet e shtëpisë sonë dykatëshe . Pastaj babain e liruan , pasi barrën e burgut e mori përsipër xhaxhai , i cili nuk kishte fëmijë dhe ai pas burgut punoi si punëtor rrugësh e jetonte në një bodrum , pasi shtëpinë dhe gjithë pasurinë ia sekuestruan .
Të gjitha këto histori ia kisha treguar Dritëroit , siç më kishte folur dhe ai për historitë e babait të tij, që , megjithëse familje partizanësh , kur ia morën tokat , e shkatërroi shtëpinë