Që turizmi po ja merr të gjitha energjitë qeverisë së Rilindjes Socialiste, kjo tashmë nuk ka asnjë dyshim. Vetëm në dy vitet e fundit po flitet dhe zhurmohet ditë e natë me shifrat e lodhëshme; 10 milion turistë në 2023-shin dhe 14 milion në 2024-ën. Ky është motivi i çdo dite dhe rreth tij të ndjekura nga mediat sillen i gjithë kabineti i kryeministrit Rama me detyra për infrastrukturën dhe energjinë, turizmin dhe mjedisin, shëndetësinë, ministrrinë e brendëshme dhe të mbrojtjes. Këto dy të fundit edhe për shkak të stinës së nxehtë u duhet të kujdesen me forca të shumëfishuara për shkak jo vetëm të fluksit të automjeteve dhe të njerëzve me destinacion pushimet, por për më tepër se sezoni nga mbingarkesa e protestatve masive që mbahen në kryeqytet aq sa edhe me zjarret që shpërthejnë në natyrë dhe në fushat e mbledhjes së mbeturinave urbane. Mungesa e energjisë dhe e ujit, çmimet e produkteve ushqimore, ndotja e natyrës përgjithësisht po kthehen në problematikat kryesore të vështirësisë së jetës së shqiptarëve dhe e vizitorëve ditorë dhe afatshkurtër të turizmit. E gjithë kjo situatë tregon për një mospërgatitje serioze, paqendrueshmëri edhe në pikat ku kjo qeverisje pretendon se ka investuar me miliona euro dhe rezultati vetëm i muajit Korrik 2024, po tregon se plazhet në jug janë bosh ose frekuentohen fare pak për shkak të çmimeve dhe nga ana tjetër treguesit e shëndetit të ajrit dhe të ujit, përveç ndërprerjeve të herë pas hershme të furnizimeve me ujë dhe energji ndodhin në qytete dhe fshatra ku banojnë dhe punojnë pa menduar për pushime qindramijë shqiptarë.
Kjo tabllo e përgjithshme zbulohet nga ankimimet dhe kërkesat e përditshme që drejtojnë shtetasit shqiptarë, por ende askush nuk i dëgjon dhe ua zgjidh shqetësimet dhe problemet madje ato nuk përfillen dhe zvogëlohen sepse qeveria përmes propagandës i godet shtetasit e vet me shifrat e turizmit dhe të imazhit që këta vizitorë disa ditor e përcjellin në mbarë botën. Në këtë kuptim turizmi dhe shifra 14 milion vizitorë për këtë vit mban fiksimin dhe pushtimin ideologjik të mendjes dhe të propagandës së Rilindjes Socialiste.
Vetëm nga një vëzhgim i njoftimeve dhe lajmeve zyrtare që përcjell ATSH-ja çdo ditë, kemi monitoruar mënyrën e propagandës për turizmin ku peizazhi i natyrës, bregdeti, qendrat dhe qytetet muzeale të Shqipërisë ofrohen sa nga artikujt e gazetave prestigjoze të huaja deri tek shkrepjet e celularëve dhe videot e porositura nga kryeministri dhe mundësisht çdo ministre dhe ministër i kabinetit të tij. Kësht propaganda kontrrollon, ndërton një perceptim të gabuar për shqiptarët brenda vendit dhe në diasporë se vendlindja e tyre është më tërheqësja në rajon, zbulim i ri i kontinentit e të tjera krahasime të fryra që arrijnë në marrëzi.
Sot kemi mbërritur në marrëzinë e shifrave sa që është zor t’i ndalësh edhe sikur të kërkosh ekspertizë serioze të ekonomistëve. Të konsumuar nga numërimet nga çdo tra, porte dhe nga aeroporti i Rinasit, çdo javë sajohen lajme dhe vëzhgime të reja. Një i fundit ishte numurimi i 20 mijë kalimtarëve nga Pika veriore kufitare e Murriqanit. Ilustrimi ishte aq i kujdesur sa që imazhet bëhen gënjyese dhe mashtruese deri në atë shkallë sa kjo shifër për fluksin e lëvizjes së lirë hyrje-dalje nga një pikë kufitare pë njerëz dhe automjete me qëllim tregëtinë, mallrat, tregun e punës dhe sigurisht vizitorë, shitet e gjitha si shifra që do të plotësojë numrin e 14 milionë “turistëve” (Mbi 20 mijë qytetarë kaluan në pikën kufitare të Murriqanit gjatë 24 orëve). Ky është një titull goditës i ATSH dhe ashtu siç përmendet, ai është i përditshëm në format e trajtimit për çdo pikë të kalimit kufitar veç se Murriqani të befason me imazhin dhe me paraqitjen e kërkesave të ngjyrave të ideologjisë së sëmurë të qeverisë Rama.
Për vite me rradhë premtimet e punëve dhe e projekteve të mëdha kanë treguar se përfundojnë me shpërdorime dhe me korrupsion, ndërsa mbulimi i tyre bëhet fare thjeshtë sepse është pushteti i qeverisjes nga njëra anë dhe nga ana tjetër ngjyra lejla e ideologjisë dhe e propagandës. Pika kufitare e Murriqanit në kontaktin e parë ta lë një shije të tillë. Simbolet shtetërore apo veçoritë dalluese kombëtare të krahinës dhe zonës me histori dhe tradita po maskohen dhe mbulohen me furçën e ngjyrës lejla. Kjo shije është ushqyer prej vitesh dhe për një shqiptar diaspore kur shkel pas shumë kohësh tokën e atdheut të vet, kupton se vendlindja ka pësuar ndryshime, një transformim të sforcuar ideologjik sa që “mikpritja” duket se të ngatërron edhe me ftesën dhe duket sikur thotë: “Mirë se vini në Republikën e Rilindjes Socialiste!”.
Numërimi i hyrje-daljes së qytetarëve, i shtetasve, i vizitorëve dhe i kalimtarëve vazhdon të numërohet dhe e gjithë lëvizja e lirë e njerëzve në fund të sezonit do të rrumbullakoset me shifrën 14 milion turistë, një rekord i ri i qeverisë.
16 Korrik, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)