Rritja e subvencioneve në bujqësi ka ndikuar që shumë kosovarë t’i kthehen mbjelljes së kulturave të ndryshme bujqësore.
Një nga ta është edhe Shukri Sallahu nga fshati Zllatar i komunës së Ferizajt.
Ky është viti i pestë që ai kultivon lulediellin dhe çdo vit ka rritur gradualisht sipërfaqen e mbjellë.
Sivjet ai ka të mbjellë rreth 53 hektarë me luledielli dhe pret rendiment të lartë.
“Pres ta kem një rendiment shumë të mirë. Siç i ka parametrat deri më tani luledielli, deri në fund të gushtit do ta korr”, shprehet Sallahu.
Luledielli është një bimë njëvjeçare dhe përdoret kryesisht për prodhimin e vajit për gatim. Kjo bimë, siç thotë ai, është e lehtë për t’u kultivuar dhe varësisht nga kushtet atmosferike sipas tij, mund të jetë edhe profitabile.
“Gjithherë jam ndarë i kënaqur me këtë bimë. Sivjet jam më i kënaquri sepse është në gjendje shumë të mirë”, thotë Sallahu.
Ditë më parë, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, njoftoi se ky vit po shënon rekorde për rendimente pothuajse në çdo kulturë bujqësore, me theks të veçantë drithërat.
Ai shkroi në një postim në Facebook se përmes përcaktimit të produkteve strategjike, Qeveria ka rritur mbështetjen financiare për kulturën e lulediellit në 454 euro për hektar.
I kënaqur me subvencionimin e lulediellit shprehet edhe Shukri Sallahu.
“Jam i kënaqur me subvencionimin që marr nga shteti. Thuajse na i mbulon të gjitha shpenzimet që i kemi përfshirë farën, naftën dhe plehun”, thotë Sallahu.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, subvencionimi ka ndikuar që sipërfaqet e mbjella me luledielli të rriten nga rreth 45 hektarë sa ishin në vitin 2022 në mbi 1.000 hektarë këtë vit.
Kjo, sipas kësaj ministrie, paraqet rritje për më shumë se 24 herë.
Por, kultivimi i lulediellit do të ishte më profitabil sikur Kosova të kishte industri të zhvilluar të prodhimit të vajit, thotë Sallahu.
Aktualisht, ai thotë se të gjithë prodhimin e eksporton në vendet e rajonit.
Me gjithë subvencionimin, jo gjithmonë mbulohen shpenzimet e bujqve pasi, sië thotë Sallahu, ata mund të përballen me telashe përfshirë, kushtet atmosferike, prishjet e makinerisë e të tjera.
Ndonëse më shumë kosovarë janë duke e kultivuar lulediellin si kulturë, shitjen e këtij produkti ata kryesisht e bëjnë jashtë vendit.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se Kosova ka mbi 512 mijë hektarë tokë të përshtatshme për bujqësi, por për qëllime të ndryshme shfrytëzohen rreth 420 mijë hektarë.
Sipas ASK-së, rreth 189 mijë hektarë shfrytëzohen për rritjen e kulturave bujqësore, mbi 217 mijë hektarë hyjnë në kategorinë e livadheve dhe kullotave, ndërsa sipërfaqet e tjera janë plantacione për pemë, perime dhe kopshte.
Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar, që do të thotë se importon më shumë sesa eksporton, përfshirë këtu edhe prodhime bujqësore. Radio Evropa e Lirë