FBI-ja identifikoi të dielën 20 vjeçarin Thomas Matthew Crooks si “subjektin e përfshirë” në atentatin e së shtunës ndaj ish presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump, një nga aktet e profilit më të lartë të dhunës politike në disa dekada.
Agjencia e zbatimit të ligjit tha në një deklaratë të shkurtër se Crooks ishte nga Bethël Park i Pensilvanisë, rreth një orë me makinë nga vendi i tubimit politik ku zoti Trump u qëllua në vesh, ndërsa mbante një fjalim për fushatën.
Deklarata nuk dha hollësi të mëtejshme rreth të dyshuarit Crooks, i cili, sipas dëshmitarëve, hapi zjarr me një pushkë nga një çati aty pranë vendit të tubimit, përpara se të vritej nga zyrtarët e zbatimit të ligjit.
FBI tha se po zhvillohet një “hetim aktiv dhe i vazhdueshëm” rreth incidentit duke theksuar se kushdo që ka informacion, duhet të kontaktojë menjëherë autoritetet.
Të paktën një pjesëmarrës në tubim u vra dhe dy të tjerë mbetën të plagosur rëndë nga të shtënat, të cilat ndodhën në një hapësirë të madhe, të pambuluar në natyrë në Batlër të Pensilvanisë.
Më herët të dielën, Kevin Rojek, agjent i posaçëm i FBI-së i ngarkuar me zyrën në terren në Pittsburgh, u tha gazetarëve se “është e habitshme” që personi i armatosur qëlloi katër ose pesë herë përpara se të vritej.
“Aktualisht nuk kemi një motiv të identifikuar, megjithëse hetuesit tanë po punojnë pa u lodhur në përpjekje për të gjetur se cili ishte ai motiv”, tha agjenti Rojek, duke vënë në dukje se hetimi mund të zgjasë me muaj.
Në një postim në rrjetet sociale, ish presidenti Trump tha se ishte “mirë” pasi u qëllua me një plumb që shpoi pjesën e sipërme të veshit të tij të djathtë. Zoti Trump u lirua nga spitali të shtunën vonë.
“Është e pabesueshme që një akt i tillë mund të ndodhë në vendin tonë”, theksoi ish presidenti Trump.