Ministri për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Nenad Rashiq, e ngriti çështjen e bashkëjetesës në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se ajo duhet të jetë një dukuri krejt normale në një shoqëri multietnike.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të mos u kushtojnë rëndësi deklaratave të politikanëve, por t’i pranojnë realisht bashkëqytetarët nga komunitetet tjera.
Më 9 korrik, Radio Evropa e Lirë shkroi se në Kosovë ka një diskurs negativ kur bëhet fjalë për bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe serbëve, ndërsa sektori civil tha se bashkëpunimi mes këtyre dy komuniteteve zhvillohet më së shumti “pas perdeve”, për shkak të retorikës së përdorur nga politikanët.
Përndryshe, disa bashkëbisedues të Radios Evropa e Lirë ka rastisur të përballen me kërcënime më herët, sepse kanë folur mirë për fqinjët ose të njohurit e tyre nga një bashkësi tjetër etnike.
Ka pasur edhe raste kur individët kanë hezituar të flasin publikisht për marrëdhëniet e mira ndëretnike, sepse i janë frikësuar dënimit nga komuniteti i tyre.
“Dua t’u bëj thirrje të gjithëve që të mos i shohin bashkëqytetarët e tyre – të kombeve apo feve të tjera – si politikanë. Por, t’i shohin në një mënyrë të pranueshme”, tha Rashiq në mbledhjen e Qeverisë më 10 korrik.
Kryeministri Albin Kurti e falënderoi atë për informacionet e paraqitura dhe vazhdoi me tema të tjera.
Rashiq i tha më herët REL-it se çështja e promovimit të bashkëjetesës do të jetë një temë me të cilën do të merret.
“Do të përpiqem të gjej një rrugë që gjërat të shihen në një mënyrë tjetër, më normale. Do të flas drejtpërdrejt me kryeministrin, ndoshta edhe me kolegë të tjerë, për metodologjinë që mund të përdoret për të parandaluar diskursin negativ kur bëhet fjalë për bashkëjetesën”, tha Rashiq.
Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse është në dijeni se bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe serbëve në terren shoqërohet shpeshherë me një diskurs negativ dhe çfarë është duke bërë ajo për të promovuar bashkëpunimin dhe tolerancën.
Qeveria nuk u përgjigj drejtpërdrejt në këto pyetje, por theksoi rëndësinë e integrimit të komunitetit serb, duke shtuar se punësimi dhe arsimi janë mënyra më e mirë për këtë.
Komuniteti shqiptar dhe ai serb në Kosovë janë thellësisht të ndarë që nga lufta në fund të viteve ‘90, kur janë vrarë rreth 13.000 njerëz – kryesisht shqiptarë.
Në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia kanë filluar një dialog për normalizimin e marrëdhënieve, por synimi nuk është arritur ende. REL