Nga radhët e cilës parti do të dalë Kryeministri i ri i Francës?
E majta nxiton të marrë timonin e drejtimit, ndërsa Presidenti Makron hesht duke pritur momentin më të volitshëm.
Koalicioni i së Majtës Franceze « Fronti i Ri Popullor », që siguroi një shumicë vendesh në Parlament, dje paralajmëroi në mënyrë solemne Presidentin Emanuel Makron, se ai nuk duhet të vazhdojë të mbajë akoma në krye të qeverisë, ish-Kryeministrin Gabriel Attal.
Ata theksuan se kjo vonesë e qëllimshme mund të çojë në “bllokim” të emërimit të një kryeministri nga radhët e së Majtës.Përmes një deklarate të përbashkët shtypi e majta synonte të ushtronte presion ndaj Presidentit Makron, i cili nuk po ngutet aspak dhe vijon të jetë i heshtur mbi këtë emerim.
« Fronti i Ri Popullor » po pret me padurim këtë gjest prej Presidentit me argumentimin se ata dolën në vend të parë në zgjedhjet legjislative të së dielës. Të majtët theksuan se heshtja e zgjatur e Presidentit mund të konsiderohej si “një tradhti ndaj frymës së Kushtetutës ose si një goditje ndaj parimit demokratik”. Madje lideri i Partisë « Të panënshtruarit », Jean-Luc Mélenchon, shkoi edhe më tej, duke kritikuar Emanuel Makronin se po « tenton të bllokojë situatën sot për të mbajtur pushtetin sa më gjatë të jetë e mundur ».
Të entuziasmuar nga suksesi i tyre në zgjedhjet legjislative, deputetët e majtë mbërriten dje në Palais Bourbon – Parlament, duke pretenduar edhe përballë njeri-tjetrit synimet apo meritat vetjake për të marrë drejtimin e qeverisë.
Por nuk duhet harruar se asnjera forcë politike nuk arriti të siguronte shumicën absolute prej 289 vendesh në Parlamentin Francez.
Vërtetë të majtët dolën në krye, por vetëm me rreth 190 mandate.
Kjo është një hapsirë ose për debat me zë të lartë, ose për marrëveshje me inteligjencë.
Dje, duke hyrë për herë të parë në ambjentet e brendshme të Parlamentit, kreu i Partise Socialiste, Olivier Faure, por edhe ish-Presidenti François Hollande, thanë se socialistet ishin gati të merrnin rolin e kryeministrit.
Po kështu edhe « Të panënshtruarit »-(ekstremi i majtë), pretendonin të njëjtën gjë duke vënë mbi tryezë si argumentin më të fortë të tyre : shifrat e arritura nga elektorati.
Po kështu pretendime kishin edhe « Të blertët » si dhe aleatët e Qendrës së Djathtë të Makronit.Gjithsesi të majtët ranë dakort që deri në fund të kësaj jave të propozojnë një emër të përbashkët për kryeministrin e ri dhe ekipin e tij.
Në këto momente të para, nga rradhët e tyre po kristalizohet një strategji. Sygjerojnë një ekzekutiv të kufizuar në të majtë, por me një bazë më të gjerë në Kuvend.
Në krahun tjetër, kampi makronist hedh poshtë kërkesat e së majtës.
Presidenti justifikon mbajtjen e Gabriel Attalit në postin e tij si kryeministër “për momentin” dhe shkon në Uashington për një samit dy-ditor të NATO-s. Ndoshta është një strategji për të pritur momentin më të volitshëm për të dalë në krye me ribërjen e aleancave.
Në Koalicionin e Makronistëve gjithashtu ka ende shumë paqartësi.
Një lloj avantazhi mund të kishte Ministri aktual i Brendshëm, Gerald Darmanin, por janë dhe Republikanet që pretendojnë.
Gjithsesi ka një pikë ku të gjitha partitë e majta dhe të qendrës bashkohen përsëri, njësoj si në ditën e zgjedhjeve.
Ato synojnë të pengojnë partinë e ekstremit të djathtë “Bashkimi Kombëtar” të Marinë Le Penit, që të ketë vende në strukturat zyrtare dhe institucionet e larta.
Ndërsa në rradhët e “Bashkimit Kombetar”, zhgënjimi i humbjes në këto zgjedhje legjislative, shoqërohet edhe me larje hesapesh. Drejtori organizativ i kësaj partie, Gilles Pennelle, arkitekti i planit të famshëm për Jordan Bardelën si Kryeministër, dha dorëheqjen.
Kjo forcë politike po përballet gjithashtu edhe me një pengesë të re. Bëhet fjalë për një njoftim nga zyra e prokurorit të Parisit. Ka nisur një hetim mbi dyshimet për financim të paligjshëm të fushatës presidenciale të Marine Le Penit në vitin 2022.