VALENTINA MADANI/ Prof. Dr. Gjergji Frashëri, arkeolog, restaurator dhe historian e ka ndarë jetën dhe veprimtarinë e tij shkencore midis qëndrimit dhe punës në Shqipëri dhe në disa vende të Evropës Qendrore, kryesisht në Gjermani të cilën e rrëfen për gazeta “Panorama”.
Kaloi tashmë gjysmën e shekullit në aktivitetin e tij të palodhur shkencor brenda dhe jashtë vendit dhe vijon të prodhojë dhe të publikojë veprën e tij arkeologjike dhe historike në vendet ku ka punuar. Prej vitit 2007, qëkurse ishte gjallë babai i tij, profesori Akademik historiani Kristo Frashëri, bashkë themeluan “Qendrën Frashëri” me qendër në Tiranë dhe në Durrës. Pikërisht në ambientet e banesës dhe studios së Gjergjit në Durrës, ai ka krijuar dhe ruan edhe Mjedisin familjar Muzeor të babait dhe të parëve të tij.
Z.Frashëri! Ju keni akomoduar në banesën tuaj në Durrës disa ambiente me atmosferë historike muzeore të të Parëve tuaj dhe në veçanti, mjedisin familjar muzeor të babait tuaj, historianit Kristo Frashëri. Gjithkush do të bëhej të paktën kureshtar të mësonte – mbi nevojën, idenë dhe realizimin e këtij ambienti muzeor që kini ngritur…
Duhet të them, se të Parët e familjes sime qoftë nga ana e Babait, po ashtu edhe nga ajo e Nënës nuk kanë banuar në Durrës. Së bashku me bashkëshorten time, jemi vendosur këtu pas rikthimit në vendin tonë për të rinisur punën në arkeologji dhe në historinë e trashëgimisë kulturore shqiptare. Arsyeja kryesore është, se kjo banesë ku ndodhet edhe studio jonë, na ofroi rastësisht më shumë hapësirë banimi, se sa apartamenti që kemi në Tiranë. Pra n’a dha mundësinë të ngrinim pa bërë ndërhyrje të posaçme ndërtimore, edhe Muzeun intim familjar me vërtetësi ambientale, së bashku me objektet autentike, ashtu siç ka qenë dhoma e gjumit, dhoma e ndenjes, kuzhina dhe në veçanti dhoma e punës së babait tonë, historianit të njohur Kristo Frashëri.
Kolegët dhe miqtë që e vizitonin atë kur ai ishte gjallë dhe punonte, e njohin këtë ambient dhe vërejnë menjëherë, se mungon vetëm historiani për të biseduar. Përveç bibliotekave që rrethojnë të katër muret e dhomës së punës së tij, ju shikoni, fotografitë që babai i pati përzgjedhur prej morisë së fotove që trashëgon familja jonë prej 150 vjetësh: Fotografinë e madhe të gjyshit tim Anastas Frashëri, dalë si student universitar në kohën e Kongresit të Manastirit (1908); pranë, fotoja e tij me bashkëshorten Dhoksinë, gjyshja ime, dalë duke qenë të ftuar zyrtarisht në prominencën e Pallatit të Zogut në Durrës me rastin e 25 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë (28 Nëntor 1937); më tej piktura e stërgjyshit tim Josif, një prej sponsoruesve kryesore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878); më tej fotoja e Dëshmorit Gjergj Frashëri, vëllait më të vogël të babait, njëri nga Katër Dëshmorët e Tiranës, pushkatuar nga okupatorët e vendit dhe kolaboracionistët e tyre më 28 Shkurt 1944. Më tej radhiten fotot familjare të babait me nënën tonë Antonetën dhe ne të tre fëmijët e tyre në mosha të ndryshme, midis tyre edhe një foto imja, dalë duke mbrojtur diplomën më 1973, etj.
Mund të na thoni diçka rreth jetës, arsimimit dhe punës tuaj tashmë kaluar gjysmë shekulli …
Jam lindur më 1949 dhe rritur në Tiranë në një familje intelektualësh me tradita patriotike nga Frashëri i Përmetit, me gjyshin Anastas Frashëri, jurist i ardhur nga mërgimi në Tiranë me thirrjen e Nolit (1924) dhe me babanë historianin dhe akademikun e njohur Kristo Frashëri. Paralelisht me përfundimin e studimeve të Inxhinierisë për ndërtime civile, jam plotësuar me studimet pasuniversitare të programuara në Historinë e Shqipërisë, në Arkeologjinë Urbane dhe në Teorinë e Konservimit dhe Restaurimit të Monumenteve të Kulturës. Qëkurse student kam qenë aktivizuar në gërmime arkeologjike të ekipeve pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK) dhe të Institutit Arkeologjik (IA), në Kalanë e Beratit, të Krujës, të Ndroqit. Madje si student kam marrë pjesë qysh herët me studimin tim mbi Kalanë e Ndroqit në Sesionin Shkencor të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Tiranë 1971 (botuar në: MONUMENTET 4 , Tiranë 1972 , ff. 185-192).
Me mbrojtjen me sukses të diplomës së profiluar me temë “Kalaja e Krujës, gjurmime arkeologjike dhe probleme të konservimit dhe restaurimit të saj”, nën drejtimin e Ark. Gani Strazimirit, u emërova në IMK në vitin 1973. Fillimisht në vitet ‘70 iu përvesha aktivitetit tim të parë madhor të nisur qëkurse isha student, në gërmimet disavjeçare arkeologjike, konservime dhe restaurime në Kalanë e Krujës, të cilat paraprinë planet qeveritare për ndërtimin e Muzeut të Skënderbeut atje (1982). Me rezultatet e këtyre gërmimeve dhe konservimeve arkeologjike dhe restaurimeve mbrojta edhe titullin doktor i shkencave pranë Institutit Arkeologjik Tiranë me titull: “Qyteti i fortifikuar i Krujës – gërmime arkeologjike, gjurmime arkitektonike dhe konservime”.
Si ndodhi angazhimi juaj në Universitetet e Gjermanisë?
Gjatë viteve ‘70-‘80, aktiviteti im mbi gjurmimet e mjediseve arkeologjike dhe konservimet e tyre, u shtri në studimin dhe konservimin e fortifikimeve mesjetare dhe të antikitetit të vonë, të historisë së arkitekturës dhe artit të krishterë, të veprave osmane si dhe të ansambleve urbane qytetare historikë, të cilat pasqyrohen në botime të ndryshme shkencore të kohës. Kam qenë pjesëmarrës me detyra aktive profesionale në disa ekspedita të rëndësishme arkeologjike të vendit të asaj kohe, të drejtuara nga arkeologët tanë të mirënjohur të kohës, si Profesorët Skënder Anamali, Selim Islami, Dhimosten Budina, Damian Komata, etj.
Në vitet ’80, përmes miratimit të Akademisë së Shkencave, kontribut të veçantë kam dhënë si hartues dhe redaktor i të gjithë artikujve enciklopedikë mbi Historinë e Artit dhe Arkitekturës Shqiptare të pasqyruara në “Enciklopedinë Botërore angleze të Artit” (Dictionary of Art, London 1996) në 34 volume, ku përfshihen artet e të gjithë llojeve, nga prehistoria dhe deri më sot – në pikturë, skulpturë, artit të aplikuar në metal-tekstil-qeramikë-xham-gurdru, arkitekturë, etj. Po ashtu edhe hartues dhe autor për të gjitha Zërat mbi Arkitekturën Shqiptare në “Enciklopedinë Gjermane të Arkitekturës Botërore” (Lexikon der Weltarchitektur, München1992). Po ashtu kam dhënë kontribut si hartues, autor dhe redaktor i shumë zërave mbi Shqipërinë në enciklopedinë gjermane mbi krijimtarinë dhe krijuesit e monumenteve artistike, arkitektonike, etj, e të gjitha vendeve dhe të periudhave historike (Allgemeines Künstlerlexikon, München/London/New York/Leipzig, 1992-1999, 70 vëllime), etj.
Në vitet ’80 pata marrë pjesë edhe në konferenca e simpoziume brenda dhe jashtë vendit duke paraqitur rezultatet e punës sime shkencore mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës. Në ndonjë rast qeshë dërguar si referent delegacioni shtetëror në aktivitet ndërkombëtar jashtë vendit, për të paraqitur ecurinë dhe rezultatet e veprimtarisë organizative dhe shkencore mbi studimin, gjurmimin dhe vlerësimin e qendrave urbane arkeologjike, si dhe arritjet në restaurimin e monumenteve të kulturës të Republikës sonë. Me realizimin e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1987 me Republikën Federale të Gjermanisë u hap mundësia të konkurronim për të fituar bursën e “Alexander von Humboldt-Stiftung”, e përkrahur nga Ministria e Jashtme Gjermane. Me arritjet e mija asokohe munda ta fitoja atë, dhe kështu u largova me punë fillimisht në Universitetin e Mynihut, më tej në Universitetin Bonn dhe më pas si profesor me angazhime të komanduara në Universitetin Berlin. Duhet të them, se qëkurse u ndodha në Universitetin e Mynihut perspektiva e angazhimit të punës sime në Gjermani u rrit ndjeshëm.
Mbas Bashkimit të dy Gjermanive (1989), pikërisht kur vendet e Evropës Qendrore filluan të planifikojnë në perspektivë Bashkimin Evropian, u hartua Konventa e Maltës (1992) mbi unifikimin e Rregullores së Arkeologjisë Evropiane, i standardizimit të Rregullave dhe metodave të saj, veçanërisht i Kapitullit mbi Arkeologjinë e Shpëtimit, çështje e mbetur pezull qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Pata fatin dhe rastin kështu të kualifikohesha në këtë disiplinë të re dhe të vështirë shkencore të kohës, përmes realizimit të projekteve madhore të shtetit gjerman, madje të drejtoja deri dhe gërmimet arkeologjike nga më të mëdha që ka pasur Evropa e Pasluftës, në qendrën historike të qytetit të Köln-it. Rezultatet e tyre janë pasqyruar në disa monografi nën autorësinë time në gjuhën gjermane me përmbledhje në anglisht.
Gjej rastin të shprehem me modesti, se për këtë m’ë ndihmoi shumë shkolla jonë e viteve 70- 80´ të shekullit të kaluar, gjithashtu niveli dhe mirëkuptimi bashkëkohor që kishin arritur institucionet tona të trashëgimisë kulturore të asaj kohe dhe padyshim, edhe ambienti familjar, konkretisht im atë, i cili më drejtoi qysh i ri në këtë disiplinë. Kështu, mbërrita në vitin 2000, kur vetë institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore të Landit Nordrhein-Westfalen (Bonn) dhe ato të Landit Berlin/Brandenburg më udhëzuan dhe më përkrahën në krijimin e institucionit tim privat të njohur me emrin Stadt- und Landschaftsarchäologie/Büro für bodendenkmalplegerische Gutachten me qendra në Bonn, Köln, Aachen, Berlin dhe Venecie të Italisë, për gërmime dhe konservime arkeologjike. Rezultatet e arritura më lejojnë të shprehem, se institucioni në fjalë ka lënë gjurmë në Arkeologjinë Gjermane, jo vetëm për rezultatet e operacioneve arkeologjike, por edhe për botimet shkencore dhe eksperiencën profesionale në terren që fituan në praktikë subjektet universitare që bashkëpunuan.
Për sa ju treguat, besojmë se keni pasur mirëkuptimin e babait tuaj, qoftë për angazhimin tuaj relativisht të gjatë jashtë vendit, qoftë me kohën që i kini dhuruar arkeologjisë gjermane në veçanti dhe asaj evropiane në përgjithësi?
Jo vetëm kam pasur mirëkuptimin e tij, por deri sa ai pushoi së jetuari më 31 janar 2016 kam pasur edhe bekimin e tij për të gjitha projektet dhe arritjet. Në radhë të parë, unë e fitova profesionin tërësisht sipas udhëzimeve dhe drejtimit të babait, qëkurse isha i ri. Domethënë, qysh në fillim i pata plotësuar atij dëshirën themelore që kishte projektuar për mua. Pasi punova me sukses disa kohë të mira në Shqipëri, ku shteti e inkurajonte ndjenjën kombëtare, fitova të drejtën për t’u kualifikuar më tej në vende më të zhvilluara si Gjermania, Italia, etj.., me këtë shkencë.
Ishte dëshira dhe nxitja e tij, pasi ai donte që të bëhesha një profesionist i mirë bashkëkohor në fushën e arkeologjisë së mjediseve urbane, për t’i shërbyer trashëgimisë kulturore shqiptare në ballafaqimet me rajonin evropian në planin e dëshmive materiale historike. Edhe këtë dëshirë m’ë duket se ia kam plotësuar dhe vijoj ta plotësoj edhe tani që im atë mungon tashmë prej vitesh.
Si ndiheshit që babai juaj jetonte i vetëm në Shqipëri, sepse edhe dy vajzat e tij ishin larguar qysh herët në emigracion? Si ishin takimet tuaja me atë, të cilat për shkak të largësisë, ndoshta kanë qenë të rralla?
Me siguri nuk e kini fjalën për segmentet kohore të meditimit përqendrues në vetmi, të cilat ka nevojë dhe i kërkon vetë çdo njeri i letrave dhe studiues që krijon. Ndoshta pyesni, nëse ne të tre fëmijët e tij e patëm braktisur atë në Tiranë, duke parë hallet tona? Këtë nuk mund ta thotë askush! Babai ynë nuk e ka ndjerë asnjëherë vetminë në kuptimin e ngrohtësisë familjare apo të mungesës sonë prej largësisë ku kemi jetuar. Sepse nuk kemi qëndruar asnjëherë larg tij. Përkundrazi.
Mbas vdekjes së Nënës Antoneta në vitin 1996, kuptova se im atë tashmë dëshironte që ne të tre fëmijët të mërguar, të kishim më shumë kontakte me atë, gjë të cilën ia kemi plotësuar duke alternuar me njëri tjetrën ardhjen në Shqipëri, si dhe duke folur për çdo mbrëmje me atë në telefon, kudo që ishim, si të thuash me një lloj grafiku, çdo mbrëmje njëri prej nesh. Shpesh, unë dhe motrat, Zana dhe Arbana, vinim dhe qëndronim tek ai në atdhe. Nga njëherë vinim edhe të tre njëherësh. Unë vija më shpesh në Tiranë sepse isha një i mërguar në Evropë, ndërsa të dy motrat më larg, në Amerikë.
Jo rrallë ai vinte vetë të na vizitonte, duke e programuar punën e tij në biblioteka apo në arkivat atje ku jetonim… Natyrisht nuk harronim të programonim edhe vizitat mjekësore të tij tek mjekët tanë familjarë atje ku jetonim, të cilët e trajtonin me respekt si pacient të tyre. Atij nuk i mungonte kujdesi mjekësor në Shqipëri, por nuk e quante asnjëherë të tepërt të provonte edhe mjekët që kujdeseshin për atë larg vendit… Të gjithë jemi kujdesur edhe për udhëtimet e tij jashtë Shqipërisë, sidomos kur kaloi 77-78 vjetët, jo vetëm nëpër Evropë, por duke e shoqëruar edhe për në Amerikë dhe anasjelltas. Jo pak herë për t’iu gjendur atij pranë, fluturoja të premteve pas punës dhe kthehesha të dielën në darkë, madje shpesh edhe natën, si të alternoheshin avionët.
Përmendët, se kur ai arriti 77-78 vjetët kërkoi natyrisht për shkak të moshës së thyer një kujdes të shtuar, në cilat drejtime u bë më i nevojshëm ky kujdes nga ana juaj?
Humbja e Nënës mbas më se gjysmë shekulli bashkëjetese, i solli dilema të kuptueshme Babait për vazhdimësinë normale të jetës së përditshme. Ai ishte mësuar me një përkujdesje të gjithanshme prej saj, aq sa shumë herë e pat deklaruar botërisht, se në meritat e prodhimtarisë historiko-shkencore të tij, gjysma (50%) i takonte gruas së tij, Antonetës. Duke ditur se babai nuk pranonte kurrë të shpërngulej nga Tirana, së bashku me motrat u morëm seriozisht për mbulimin e nevojave deri në detaje të jetës, të punës dhe të mbarëvajtjes së shëndetit të tij.
Duke qenë se të tre ishim në gjendje financiare, ne punësuam me pagesë, forca me përvojë shtëpiake për 24 orë qëndrimi në shtëpinë e babait për gjithçka që i nevojitej atij, nga gatimi dhe të gjitha shërbimet e nevojshme ditore, deri problemet shëndetësore dhe nevojat infrastrukturore jashtë banesës së tij. Meqenëse afër moshës 80- vjeçare filloi t’i dobësohej gradualisht shikimi deri në humbjen e tij pas disa vjetësh, një ndihmesë tjetër e pandërprerë erdhi nga institucionet qeveritare dhe të Akademisë së Shkencave, për forca teknike për shkrim-lexim tekstesh, punë redaksionale, etj. Veçanërisht në periudhën 2007 dhe deri sa ai u largua nga kjo jetë (31 janar 2016) unë kam qëndruar bashkë me bashkëshorten në segmente të gjata kohe në Shqipëri, kryesisht në Tiranë dhe Durrës, duke qenë pranë tij…
Ajo që bie në sy ndër ju frashëllinjtë, është lidhja e ngushtë me prindërit, marrëdhëniet qytetare reciproke që krijoni midis brezave, respekti që gëzoni ndaj tyre dhe kujdesi që tregoni për shëndetin dhe pleqërimin e mbarë të tyre…
Kjo nuk përbën ndonjë sekret dhe nuk ndodh vetëm te frashëllinjtë e Dangëllisë. Ka pasur mjaft familje në Shqipëri, në qyteza e qytete, që e kanë trashëguar dhe kanë punuar ndër breza për zhvillimin e ndjenjës kombëtare qytetare. Edhe po t’i referohem historisë së familjes së Kristo Frashërit, janë së pari gjyshërit dhe prindërit që investojnë dashuri, përkujdesje familjare dhe edukim tek fëmijët e tyre. Kjo sjell rritjen e fëmijës me një borxh shpirtëror ndaj tyre, i cili, si të thuash, i “detyron” ata t’i qëndrojnë gjatë jetës, realizimit me besnikëri dhe përkushtim dëshirës së prindërve. Ne të tre fëmijët u rritëm nën preokupimin e tyre intensiv, që të pajiseshim në themel me sjellje dhe edukim qytetar bashkëkohor, dhe në vijim me aftësi kualifikuese në profesionet që ata kishin përzgjedhur për ne sipas traditës familjare, përmes investimit pa rezerva për arsimimin tonë, në nivel integrues me botën e përparuar. Ky orientim i fëmijëve të tyre, përbën te frashërllinjtë si të thuash, sekretin e pasurisë së tyre të përjetshme familjare. Frashërllinjtë i kanë çuar tërë jetën fëmijët e tyre të merrnin arsim të lartë në mërgim, deri edhe të shkruanin shqip, edhe kur Shqipëria vetë nuk e kishte themeluar zyrtarisht gjuhën e saj, edhe kur ajo vetë nuk kishte shkolla amtare…
Po marrëdhëniet atë e bir, si e kishit?
Mbas vdekjes së Nënës më 1996, kujdesi im dhe i motrave të mia u shtua në përkujdesjen ndaj babait, jo vetëm për diçka që mund t’i mungonte, por para së gjithash, të tre ne ndiqnim me kujdes ecurinë e tij shëndetësore. Midis hapësirave të vizitave tona në Tiranë, nuk kishte mbrëmje që dikush prej nesh të mos e thërriste në telefon në orën e caktuar, për të folur për gjithçka me atë. Rregullisht kishte dëshirë dhe nevojë të dëgjonte zërin edhe nipërve dhe të mbesave dhe sidomos ndodhitë e tyre në shkolla në tërësi, deri edhe vogëlsira jete të tyre mbi ecurinë në shkolla… e kështu me radhë. Gjej rast të tregoj diçka që nuk e kam thënë më parë. Prej atëherë, sjellja e babait ndaj meje filloi të bëhej më intime dhe prindërore, sikur fliste edhe në emër të Nënës. Përherë e pata personifikuar tim atë me Atdheun – me viset kombëtare, pra me tokën që duhej mbrojtur me çdo kusht nga grabitësit, edhe me armë nga pushtuesit, kur të ishte nevoja.
Ndërsa Nënën e kisha personifikuar me Mëmëdheun – me thesarin e pafundësisë së ndjenjave të dashurisë ndaj fëmijës, ndaj trashëgimisë kulturore dhe pasurisë shpirtërore të vendit dhe njerëzve që jetojmë historikisht – krijesë e bukur shpirtërore e kësaj Bote, që nuk duhej lënduar kurrë! Dalëngadalë fillova të vëreja, se pikërisht babai po huazonte pjesë të zgjedhura edhe nga rolet e Nënës sonë që n a mungonte, e cila i mungonte së pari vetë atij. Kjo e bëri Babain në lidhje me mua disi më të hapur dhe padyshim të mos e mbante aq të maskuar dashurinë prindërore (siç ndodh zakonisht me baballarët ndaj djemve). Natyrisht kjo kishte të bënte edhe me dobësitë që të sjell pleqëria. Fakt është se fitova më shumë të drejta për të ndërhyrë në kujdesin mjekësor ndaj tij dhe sidomos të kufizimeve në ushqimet e tepërta për të parandaluar apo reduktuar ato, të cilat sillnin simptomat shëndetësore kundërshtare, si sheqeri, luhatjet e tensionit dhe mbi të gjitha venitja sistematike dhe e pakthyeshme e shikimit, aq i nevojshëm për punën e tij të palodhur.
Pra, ai u bë më i durueshëm të dëgjonte përsëritjen e “këshillave” të mija shëndetësore, të cilat i merrja nga mjekët që e vizitonin periodikisht. Hap pas hapi filluam të flisnim edhe me gjuhën e kolegut dhe së fundi më erdhi mua radha të dëgjoja ndonjë hall të tij, për shembull, mbi vështirësitë që ndeshte në gjetjen e dokumenteve historike nga arkivat e vendeve të tjera, që i duheshin për botimet e tij. Padyshim mosha filloi ta pengonte të rendte pas Arkivave jashtë vendit si më parë, punë të cilën ia kemi lehtësuar pa u kursyer ne të gjithë pasardhësit e tij. Krenari të veçantë ndjente kur merrte ndihmesë të kësaj natyre nga ndonjë prej nipërve apo mbesave të tij. Babai ishte një mjeshtër i vërtetë i zgjimit dhe i përpunimit natyrshëm të ndjenjës kombëtare tek fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve! Ky ishte Kreu i Testamentit që na la për Amanete të tij! Dua të theksoj, se prej vitit 1993 (73 vjeç) deri sa vdiq më 31 Janar 2016 (96 vjeç) babai botoi pareshtur, veprat e tij fondamentale dhe më të mirat e krijimtarisë së tij. Nganjëherë pjesë të tyre para botimit, m’i jepte t’i lexoja për ndonjë vërejtje, gjë që nuk e kishte bërë më parë.
Shpesh fillova të dalloj, se ai më drejtohej gjithnjë e më shpesh indirekt edhe me gjuhën e Amanetit, për detyrat që më mbeteshin të bëja pas vdekjes së tij. Fakt është, se edhe zyrtarisht, trashëgiminë dhe të drejtat e autorit të veprës së tij, ai m’i la mua. Gjuha e Amanetit në racën tonë është disi e veçantë, si të thuash, nga bota përreth. Amanetet e tij, ishin të lidhura me “kavo historike” me ato të paraardhësve të tij. Shqipëria kombëtare historike, prej shekujsh nuk është bërë ende shtet. Është kombi i dallueshëm i Evropës që nuk ka ende ndërgjegje dhe disiplinë shtetërore arkivore dhe të tjera. Instinktivisht kjo m’ë detyron t’i marr seriozisht dhe t’i përçoj në duar të sigurta më tej përmes “Qendrës Frashëri” amanetet e tij, të Parëve të Tij dhe së fundi edhe ato përmbyllëse modeste të mia….
Mund të kemi ndonjë shembull më konkret, se si shfaqej dëshira (forma) e tij për t’i lënë amanetet…
Ja një shembull: Në vitin 1998 pikërisht kur filloi Lufta e Kosovës, Diaspora e Zvicrës organizoi një Kuvend në qytetin Arbon, mbi “Historinë 2000 vjeçare të krishterimit te shqiptarët”. Në atë kohë im atë drejtonte Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Tiranë, e cila ishte e ftuar të merrte pjesë në Kuvendin në fjalë. Një mbrëmje më telefonoi enkas në Bonn të m’ë theshte në formë urdhri, sikur të isha punonjësi i tij, se duhej të merrja pjesë aktive edhe unë në Kuvendin e Arbonit, me një punimin tim të botuar më parë mbi kryqin e krishterë shqiptar. Nuk e kisha parë asnjëherë më krenar tim atë në ditët që ndodheshim bashkë në Arbon të Zvicrës mes shqiptarëve të mbledhur nga anë e anës, dhe të huajve albanologë.
Kjo ndodhte edhe kur takonim bashkërisht albanologë në vende të ndryshme që udhëtonim bashkë, që nga Vatra në Amerikë dhe deri në Albanien-Institut të Mynihut, e gjetkë … për të takuar e biseduar me figura të shquara të Albanologjisë, midis të cilëve edhe albanologun shqiptar Martin Camaj (1990), etj. Amanetet të lidhura me “kavo historike” me ato të paraardhësve të tij E veçanta e gjuhës së amanetit në racën e Frashëllinjve “Disa dorëshkrime të gjyshit, Anastas Frashëri, i kam përmbledhur me një parathënie time dhe dëshiroj t’i botoj në një vëllim të vogël”
Vijon…