Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë dyshimet në lidhje me shëndetin mendor të presidentit Joe Biden.
Sekretarja për media, Karine Jean-Pierre, mohoi se Biden po trajtohet për sëmundjen e Parkinsonit, e cila mund të shkaktojë lëvizje të ngurta dhe të folur të paqartë.
“A është trajtuar presidenti për Parkinson? Jo. A po trajtohet për Parkinson? Jo”, tha ajo në një konferencë me gazetarët.
Jean-Pierre po i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me një raport në gazetën New York Times, se një ekspert për sëmundjen e Parkinsonit ka vizituar Shtëpinë e Bardhë tetë herë që nga viti i kaluar.
Një letër që lëshoi të hënën vonë mjeku i Bidenit, sqaroi se specialisti në fjalë, Kevin Cannard, ka qenë konsulent neurologjie në Shtëpinë e Bardhë që nga viti 2012 dhe se ai i ndihmon “mijëra anëtarë aktivë që punojnë në mbështetje të operacioneve të Shtëpisë së Bardhë”.
Mjeku i presidentit, Kevin O’Connor, tha gjithashtu se Biden nuk ka vizituar ndonjë neurolog jashtë kontrollit të tij vjetor.
Biden, 81 vjeç, demokrat, do të garojë për rizgjedhje në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Pyetjet në lidhje me shëndetin e tij mendor janë intensifikuar që nga performanca e dobët e tij në debatin me kundërkandidatin republikan, Donald Trump, më 27 qershor.
Në atë debat, Biden ka belbëzuar gjatë gjithë kohës dhe nuk ka arritur t’i sfidojë sulmet e Trumpit, të cilat, në shumë raste, kanë përfshirë pretendime të rreme.
Biden e ka pranuar se nuk ka pasur paraqitje të mirë, por ka thënë se rizgjedhja e Trumpit “do ta shkatërronte demokracinë”. REL