Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, udhëtoi për në Uashington, për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s.
Në komunikatën e lëshuar nga Presidenca thuhet se vizita e Osmanit realizohet me ftesë të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
“Përfshirja e Kosovës në aktivitetin e organizuar nga sekretari Blinken, dedikuar Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, është tregues i fuqishëm i rolit në rritje që po luan Kosova në avancimin e kësaj agjende në nivel global dhe përkushtimit të saj ndaj parimeve dhe vlerave të mbështetura nga NATO-ja”, thuhet në komunikatë.
Po sipas saj, kjo është hera e parë që Kosova përfshihet në një ngjarje në kuadër të Samitit të NATO-s.
Samiti, që përkon me 75-vjetorin e themelimit të aleancës ushtarake, mbahet nga data 9 deri më 11 korrik.
Kosova nuk është vend anëtar i NATO-s, por që nga përfundimi i luftës më 1999 ka misionin paqeruajtës të aleancës, KFOR.
Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, në vitin 2022, autoritetet në Kosovë kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në këtë organizatë, por, marrë parasysh se në radhët e saj janë katër shtete që nuk e njohin Kosovën – Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia – dhe vendimi për zgjerimin duhet të merret në mënyrë unanime, ajo kërkesë nuk ka shkuar përpara.
Muajin e kaluar, Asambleja Parlamentare e NATO-s ka miratuar avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar. REL