E mërkura e 3 korrikut do të jetë ditë zie në Kosovë, në nderim të shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, i cili vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare.
Vendimin e mori presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë – ditën kur edhe varroset i ndjeri Ismail Kadare, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftim.
I lindur më 1936, Kadare vdiq më 1 korrik si pasojë e një arresti kardio-respirator.
Veprat e tij u përkthyen në më shumë se 45 gjuhë të botës.
Ai ishte fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, ndërsa vitin e kaluar Franca – ku jetoi me dekada – i dha titullin “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit”.
Udhëheqës në Shqipëri dhe në Kosovë thanë se me vdekjen e Kadaresë, “shqiptarët humbën gjeniun e tyre të letrave”, ndërsa “bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë”.
Shqipëria shpalli dy ditë zie, më 2 dhe 3 korrik, në nderim të shkrimtarit të ndjerë. REL