Në Tiranë, studiues, akademikë dhe botues të njohur e cilësuan shkrimtarin Ismail Kadare si autorin më të rëndësishëm në historinë e letërsisë shqipe, me ndikimin më të madh kulturor tek publiku shqiptar dhe ai ndërkombëtar gjatë 70 viteve krijimtari dhe i përkthyer në disa dhjetëra gjuhë të botës.
Ata pohuan në intervista për Zërin e Amerikës se shkrimtari Ismail Kadare arriti të kapërcente kufizimet e diktaturës dhe vështirësitë e tranzicionit, duke botuar vepra, që përfaqësonin dhe interpretonin kombin shqiptar.
Anëtar i katër akademive të shkencave, me një mori botimesh dhe përkthimesh në 70 vjet krijimtari, gjysma në diktaturë e gjysma në demokraci, Ismail Kadareja shihet nga akademikët e Shqipërisë si shkrimtari më i rëndësishëm i historisë së letërsisë shqipe, të cilës i dha një përmasë europiane.
Sekretari shkencor i Akademisë së Shkencave, Shaban Sinani, thotë për Zërin e Amerikës se “Ismail Kadareja është interetues i shpirtit të shqiptarëve, ndërsa letësia e tij është zëdhënëse e botës shqiptare”, duke qëndruar denjësisht përkrah letërsive të gjuhëve të mëdha, dhe duke konkurruar me letërsitë e gjuhëve të Perëndimit dhe të Lindjes”.
Ai theksoi se gjuha shqipe u pasurua mjaft dhe arriti maksimumet e veta në penën e Ismail Kadaresë.
“Ismail Kadareja është njëherësh edhe njeri që i dha identitetin europian popullit shqiptar, e bëri atë të pranishëm në botë dhe e paraqiti si një popull të qytetëruar. Vepra e tij është ajo që ka formuar shpirtërisht, estetikisht, moralisht dhe intelektualisht breza të tërë. Ajo vepër do të vazhdojë të jetë po kaq formuese sa është sot edhe për breza që vijnë më tej. Emri dhe vepra e Ismail Kadaresë do të jenë gjithnjë”, thotëe zoti Sinani.
Studiuesit besojnë se Kadareja paraqiti në veprat e tij vlerat e denja të qytetërimit shqiptar, sidomos në dekadat e shekullit të kaluar kur për Shqipëria nuk njihej në Perëndim për shkak të izolimit, por me veprat e tij Kadareja ishte për botën një dritare me të dhëna etnografike e kulturore për popullin shqiptar.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha, thotë për Zërin e Amerikës se Kadareja do të jetë gjithmonë pjesë e jetës së shqiptarëve dhe sa më shumë të kalojë koha, aq më shumë do t’i ndjehet rëndësia.
“Për botën shqiptare është ndoshta figura që ka bërë më shumë se gjithkush tjetër për të bërë të njohur në botë shqiptarët dhe Shqipërinë, e sidomos në ato dekada të shekullit të kaluar kur për ta nuk dinte asnjeri asgjë. Është një shkrimtar që përbën një kontribut që ne ia japim kulturës botërore, sepse nuk është e rastit që është një autor që përkthehet në pothuajse çdo gjuhë. Kemi patur letërsi dhe autorë, që kanë qenë lokalë. Me të kapërcyem kufijtë e botës dhe miliona njerëz të lexojnë, të njohin, të bëhen kureshtarë për shqiptarët, që të njohin më shumë Shqipërinë. Nuk është e rastit, që përveç çmimit Nobel, Kadare ka marrë çdo çmim tjetër të rëndësishëm që ekziston. Është një moment për të medituar, për të kujtuar dhe për të vlerësuar atë që kemi humbur, si dhe atë që për fat të mirë, na ka lënë pas ky shkrimtar”, thotë zoti Misha.
Prej afro 3 dekadash krijimtarinë e Ismail Kadaresë e publikon shtëpia botuese Onufri, dhe sot është një ditë e hidhur për mikun dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të tij Bujar Hudhri. Ai thotë për Zërin e Amerikës se kjo ngjarje që duket sikur shënon një fund fizik të jetës së tij, do të përkojë me një vlerësim edhe më të madh të krijimtarisë së Kadaresë.
“Në këtë ditë shumë të trishtë për mbarë botën kulturore sikur për mua si botues është diçka që e kisha menduar shumë larg, ose që nuk do të vinte kurrë. Në mendjen time shkrimtarë të mëdhenj si ai ti nuk mund t’i inkuadrosh në një jetë të zakonshme njerëzore. Krejt vepra e tij, që është pjesë e thesarit kulturor të botës, që na flet të gjithëve, duket si diçka që ne nuk e pushtojmë dot, por jemi pushtuar prej saj, dhe njeriu që e ka krijuar këtë ty të duket sikur do ta kesh gjithmonë pranë vetes. Jam krenar si botues, që arrita të botoj vitin e kaluar krejt korpusin e tij në 7 vëllime në gjallje të tij, duke zgjedhur vet ai veprat, që ai donte nga 70 vjet krijimtari”, thotë për Zërin e Amerikës, botuesi Bujar Hudhri.
Studiuesit pohojnë se tek vepra e Ismail Kadaresë bazohen mbi 100 teza masteri dhe doktoraturash, që zhvillohen dhe rezlizohen në universitetet e Perëndimit, duke i shtuar Albanlogjisë një dije të re, që quhet Kadareologji.
Zoti Sinani tha se në gjithë botën ka sot studiues të Kadaresë, përkthyes, profesorë, katedra dhe departamente, që merren posaçërisht me veprën e Kadaresë, e cila është me rëndësi të madhe, pavarësisht nga koha kur u krijua.
“Siç e ka thënë vet në veprën e tij të fundit “Kur Sunduesit grinden”, shkrimtari i madh, që mban drejtpeshimin e një letërsie është po aq i rëndësishëm në shoqëri sa edhe ai që qeveris, sa edhe tirani, mbreti, diktatori, princi, Kadareja është po aq i rëndësishëm në zhvillimin historik të popullit shqiptar. Ai e ka sfiduar me veprën e tij kufizimin, disiplinën, kontrollin, ia ka arritur që të japë vepra të lira edhe në kohë kur nuk kishte liri. Siç është shprehur në ditën e pranimit të tij në Akademinë e Shkencave Politike e Morale të Francës, ai krijoi një bukë të ngrënshme në kushte burgu. Dhe kur erdhi epoka e shoqërisë së lirë, i dha edhe më shumë kuptim veprës së tij”, tha zoti Sinani.
Lidhur me krijimtarinë gjatë diktaturës, studiuesit pohojnë se Ismail Kadare me veprën e tij kapërceu kufizimet e kohës dhe rrethanave të përcaktuara, duke krijuar romane sa lokale aq edhe universale.
Zoti Misha thotë se është merita e Kadaresë është që për herë të parë në letërsinë shqipe arrin të kalojë kufijtë lokalë, të nxjerrë vepra përtej kohës dhe të përjetshme si dhe të bëhet i pari shkrimtar që merr një dimension universal, edhe pse nën një regjim shtypës.
“Është si një paradoks, që duket sikur hedh poshtë ato paradigmat ekzistuese, që në një diktaturë, në një regjim shtypës, se këtu ka qenë një regjim shtypës, është e pamundur që të krijohet, ai vërtetoi që mund të krijohet. Gjenitë dalin edhe jashtë këtyre pengesave, që duken të pakapërcyeshme për të tjerët. Është produkt i terrenit tonë, i truallit shqiptar, i botës shqiptare, i të qenit shqiptar, por arriti të bëhet pjesë e botës edhe në ato kohë kur dukej e pamundur dhe kjo është është e rëndësishme. Ai ka arritur të përkthehet dhe të bëhet shumë i njohur në pothuaj gjithë vendet qysh në vitet 70 të shekullit të kaluar, në momentet më të errëta të Shqipërisë. Arriti të kapërcejë gjithë ato pengesa dhe këto janë ato përjashtimet nga rregulli, që ka gjithmonë historia, kur edhe realitete të tilla si Shqipëria e asaj kohe, totalisht e izoluar nga bota, një nga vendet më të prapambetura e më të mbyllura, arriti t’i japë botës diçka me vlera universale”, thotë zoti Misha.
Akademikët ashtu si edhe botuesi Bujar Hudhri veçuan se Ismail Kadareja krijoi shumë për shqiptarët në radhë të parë, dhe se ai ka patur një lidhje dhe ndjeshmëri të veçantë shpirtërore me Kosovën. Zoti Hudhri kujton emocionet e panairit të fundit të shkrimtarit në Prishtinë.
“Doja të theksoja këtu gëzimin e madh të Kadaresë, që ai këtë vepër të pëmbledhur e publikoi së pari në Panairin e librit në Prishtinë. Ka qenë një ngjarje e jashtëzakonshme, e gëzueshme, e mallëngjyeshme, ku Kadare ka ndjerë krejt vlerësimin përballë lexuesit të Kosovës, për të cilin ai ka patur një nderim shumë të veçantë, e ndërkohë që edhe lexuesit e Kosovës e duan shumë për arsye të shumta”, thotë zoti Hudhri.
Botuesi i Kadaresë thotë se shkrimtari arriti të botojë gjithçka para se humbte jetën sot në moshën 88 vjeçare dhe gjithçka që donte t’i tregonte botës gjendet në 7 vëllimet e sistemuara të krijimtarisë 70 vjeçare, ndërsa ai dhe akademikët besojnë se studimet mbi veprën e tij do të vazhdojnë e të thellohen më tej brenda dhe jashtë vendit me një ritëm tjetër për një kohë të gjatë.