Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dhënë detaje lidhur me një varg aktivitetesh trajnuese të Forcës së Sigurisë së Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, për rritjen e objektivave të planifikuara në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka pohuar se edukimi dhe trajnimi, krahas furnizimeve me sisteme armatimi janë elementë kyç në zhvillimin e aftësive luftarake për mbrojtjen e territorit.
“Në kuadër të Ushtrimit Fushor “Steel Wolf” në Regjimentin e Dytë të Forcave Tokësore janë validuar dy kompani të këtij Regjimenti. Validimi i kapaciteteve të këmbësorisë është ndër hapat më të rëndësishëm drejt përmbylljes me sukses të fazës së dytë të tranzicionit”, ka deklaruar Maqedonci.
“Me qëllim familjarizimin dhe trajnimin me sisteme që tashmë i kemi pjesë të inventarit të FSK-së, njësitet e FSK-së të mbështetura nga instruktorët e ushtrisë turke kanë zhvilluar trajnimin për sistemin individual anti-tank HAR 66”.
“Ndërsa në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes me një ceremoni të përbashkët kanë përfunduar tri kurse të planifikuara: Kursi i Avancuar për Lider, realizuar në shkollën e nënoficerëve, ku kursantët u trajnuan në zhvillimin dhe ngritjen e lidershipit dhe Kursi Bazë për Nënoficer të Këmbësorisë dhe Kursi Bazë për Snajper që u zhvilluan në Qendrën e Stërvitjes Profesionale, të dy këto kurse të fushës së këmbësorisë që kanë për qëllim përgatitjen dhe klasifikimin profesional të pjesëtarëve në fusha të specializuara ushtarake”, ka thënë Maqedonci.
Ndër tjera, ai shtoi se ushtria e Kosovës po ndërtohet si një forcë kompatibile me NATO-n, e aftë dhe e gatshme për kryer detyrat në kuadër të misionit të saj. sn