Në vitin 2000, për çdo 100 lekë të shpenzuara për shëndetin, 46.5 lekë ishin nga financimet e brendshme të qeverisë për këtë zë, 1.7 lekë nga burime të jashtme dhe 51.8 lekë nga vetë xhepat e qytetarëve, sipas të dhënave nga Banka Botërore, që i referohet Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Dy dekada më vonë, pavarësisht investimeve të shumta, shpenzimet për shëndetin jo vetëm që nuk kanë shënuar përmirësim, përkundrazi qytetarët, të cilët paguajnë 3.4% të pagës si tatim për sigurimet shëndetësore, kanë paguar gjithnjë e më shumë nga xhepi.
Të dhënat e Bankës Botërore referojnë se në vitin 2021, për çdo 100 lekë të shpenzuara për shëndetin, shqiptarët paguan nga xhepi rreth 60 lekë, ose 60%, rreth 8 pikë përqindje më shumë sesa në vitin 2000.
Në të kundërt shteti po financon gjithnjë e më pak për mirëqenien shëndetësore të qytetarëve të vet, me 39.7% të totalit, nga 46.5% në 2000. Edhe financimet e huaja kanë rënë në vetëm 0.5% të totalit, nga 1.7% në 2000.
Sipas metodologjisë së Bankës Botërore, Shpenzim nga xhepi është çdo shpenzim i drejtpërdrejtë nga familjet, duke përfshirë shpërblimet dhe pagesat në natyrë, për praktikuesit shëndetësorë dhe furnizuesit e produkteve farmaceutike, pajisjeve terapeutike dhe mallrave dhe shërbimeve të tjera, qëllimi kryesor i të cilëve është të kontribuojnë në rivendosjen ose përmirësimin e gjendjes shëndetësore. të individëve ose grupeve të popullsisë. Këto janë pjesë e shpenzimeve private për shëndetin.
Shpenzimet nga xhepi në Shqipëri janë më të lartat në Europë
Në krahasim me gjithë vendet e tjera të Europës (pa përfshirë ish shtetet e bashkimit Sovjetik), Shqipëria mban rekord për shpenzimet nga xhepi.
E dyta pas nesh është Maqedonia e Veriut, me 41.7%, e ndjekur nga Mali i Zi (38.1%), Serbia (35.8). Treguesi më i ulët në rajon është në Bosnjë-Hercegovinë (30.7%), ndërsa të dhënat për Kosovën mungojnë.
Në vendet me të ardhura të larta, ky tregues është më i ulët sesa 20%. Në Francë psh, që është shteti më social i Europës shpenzimet nga xhepi për shëndetësinë janë vetëm 9% e totalit. Në Gjermani, e cila po merr së fundmi shumë mjekë e infermierë nga Shqipëria, ky tregues është 12.2%. Në Itali, ku shumë shqiptarë që kanë të afërm zgjedhin të kurohen, shteti mbulon gati 80% të shpenzimeve dhe pjesa tjetër paguhet nga xhepi (shih grafikun në fund).
Një hetim i fundit i Prokurorisë së Tiranës zbuloi skema të rënda të abuzimit me detyrën në Spitalin Onkologjik, ku qytetarët detyroheshin të blinin vetë ilaçet për trajtimin e sëmundjes me kosto deri në 1500 euro për seancë, apo orientoheshin që të kryenin operacione në klinikat private, me pagesa të larta nga xhepi.