Majtas, Ervin Resuli – Djathtas kryeministri Rama gjatë vizitave në projektet e IPARD II
Z. Ervin Resuli, president i Urdhrit të Mjekut Veterinar, ka deklaruar sot se Shqipëria nuk ka për të parë fonde nga Bashkimi Europian, hapje të programit të tretë për bujqësinë dhe blegtorinë IPARD, “derisa i gjithë sistemi, që nga zyra në Kryeministri që merret me bujqësinë e blegtorinë e deri te agropika ku është punonjësi më i thjeshtë, nuk rifreskohet, rishikohet, rivlerësohet.”
“BE e ka lënë me shkrim që duhet të rishikohet e gjithë struktura në bujqësi, përfshirë në Kryeministri, në Ministrinë e Bujqësinë, në AZHBR dhe në bazë, ndryshe nuk hapet IPARD III, – nënvizoi z. Resuli sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, ku ai ngriti problemet e rënda me të cilat po ballafaqohet sot sektori më i rëndësishëm i ekonomisë së vendit.
“Fatkeqësisht, se është fatkeqësi në fakt – tha eksperti i fushës së blegtorisë, – që ne nuk po shohim, pavarësisht se porositë janë lënë, nuk po shohim ndonjë lloj ndryshimi apo lëvizje apo ristrukturimi në aspektin për të lëvizur, pasi fare thjesht, OLAF ishte gati një – dy vjet në Shqipëri dhe besoj se e ka grumbulluar informacionin e duhur dhe ka kuptuar në detaje që nuk kemi të bëjmë thjesht me emra, po kemi të bëjmë me sistem. Pra ne kemi të bëjmë në tërësi, në të gjithë zinxhirin e bujqësisë dhe të blegtorisë, me një sistem që nuk punon më në favor të fermerëve dhe blegtorëve, por punon në favor të klientëve të qeverisë, të miqve të ministres, të njerëzve të afërt që kanë interesa me Ministrinë e Bujqësisë dhe në fakt, ajo që është thelbi dhe ajo që është pasuria kombëtare, bujqësia dhe blegtoria, është lënë në harresë prej vitesh.
Këtë nuk e them unë, por e thotë INSTAT-i. Pra, nëse ka një institucion për të cilin biem bashkarisht dakort, që edhe ai ka mangësitë e veta, por po e marrim të mirëqenë siç është, është INSTAT, i cili nga viti në vit, të paktën që nga 2017-a e këtej, tregon rënie: rënie të prodhimtarisë së mishit, të qumështit, të blegtorisë e kështu me radhë ç’ka do të thotë se problemi nuk qëndron thjesht në emra individësh. Është në sistem. Pra ne duhet ta ndryshojmë tërësisht të gjithë linjën e logjikës për sa i takon zhvillimit të blegtorisë dhe bujqësisë dhe është një nga sektorët që në fakt shkon paralel me atë që Kryeministri thotë përditë që “Shqipëria është potencial përsa i përket të ardhurave nga turizmi”. Absolutisht, nuk funksionon!
Nëse ne bëjmë turizëm me mish Brazili apo me domate Turqie a bëjmë turizëm me dele Greqie e kështu me radhë, atëherë ne nuk po bëjmë turizëm! Ne thjesht kemi vënë një copë rëre dhe det që është aty se e ka dhënë Zoti dhe askush nuk mund t’i ndalojë qytetarët e Evropës të vijnë ta shohin pra, për inerci, të eksplorojnë një vend që nuk do të mbetet gjatë; pra do të jetë çështje valësh. Do të kalojmë një valë me 10-15 milionë turistë apo 20 milionë dhe pastaj do të kthehemi prapë në atë geton tonë të rrudhur, në hallin tonë dhe të vetmuar në një cep të Europës, së cilës nuk i prodhojmë asgjë.”/SYRI.NET