U fik një dritë lirie. Nje shpirt rebel shtrëngate, një patriot, një artist me A të madhe, një dishepull fishtian… Agim Doçi e la frymën e fundit në këtë qershor tē 2024. Fiks 100 vite pas revolucionit të qershorit tē 1924… ngjarjes Noliane qē mjerisht e mbuloi heshtja institucionale dhe mediatike.
Kur takoja Agimin çdo ngjarje historike e Kosovës e Shqipërisë dhe Çamërisë, mē vinte përmes vargjeve. I zgjidhje ato që të tingëllonin, të godisnin, të zgjonin pērgjegjësi, dhe të tē mbanin frymēn pezull. Ti ishe dhe do mbetesh poeti rapsodik, poeti dashurisë- si thua në një varg, ” kjo dorë që tundi djepin” . AGIM DOÇI ti ishe poeti i marsheve të UÇK … Ti dhe vetëm ti e shpure Anjeza Shahinin në vendin e 5-të në Eurosong. Kujtesa jote fenomenale një pasuri kulturore mahniste për cilindo që të takoje dhe bisedonte me ty. Udhëtimi ynë në Domgjon të Mirditës atje ku lidhte rrenjë familja e At Gjergj Fishtës dhe biseda jonë në atë udhëtim, ishte pēr mua një universitet.
Para ca javësh iku Jorgo Papingji, tash edhe Agim Doçi, para pak vitesh iku Arben Duka e fare pak ditë te shkuara, na la edhe Skender Rusi. U rrëzuan pemët e larta të vargut të lirë. Ikin ikin shtērgjet dhe liqenet e fjalës dhe të shpirtit poetik po mbeten të vetmuara. Kënga është e trisht sot… Nata një nga perlat e tua, më magjikja për mua me muzikën e Ardian Hilës dhe pathosin e trisht të Aurela Gaçes…jep tërë tragjedinë e ikjes, një eklips fati dhe disfate dëshpërimi… Sa shumë dhe Agim e sa pak more. Shumë beteja nuk të dhanë trofen e fitores. Por betejat e dinjitetit i fitove gjithnjë. Kurrë nuk u përkule dhe nuk u shite. Fole si mendove, këndove si deshe, veç me liri, sfidove si doje dhe zvoglove çdo kult të remë me kurajo, ironi dhe çjerrje maske.
Mijëra e mijëra këngë, ti Mogoli shqiptar… Nga sot do jesh me miket e tua Vaçe Zelën, Edi Luarasi Mirditën dhe Anita Taken, do u japësh tekset e pathëna, e me siguri bashkë me Agim Prodanin, Agim Krajkën e Kujtim Laron do organizoni: Festivalin qiellor të këngës. Si thua ti në një këngë…Alo alo alo, unë të dëgjoja, dhe zërin tënd të ngrohtë më pranë e doja …
Ike zë i bukur i teksteve poetike… me stilin tënd ti e nxore këngën nga ideologjia dhe propaganda dhe e fute në universin e njeriut, të lirisë dhe jetës pa dogma…
Ti po ikën, por shpirti yt artistik, kjo pasuri kombëtare mbetet mes nesh dhe do të udhētojë…pa u ndalur!
Miku yt…
P.Kabo. 24 qetshor, 2024.