Kur para njëzet vjetësh doli nga shtypi libri i parë i vargores (kolanës) “Mjeda”, me gjithë paralajmërimin e autorit Mentor Quku se në një të ardhme të afërt do të dërgonte në shtyp edhe vëllime të tjera, pakkush mund të përfytyronte atë çka Mentori arriti të realizonte. Vit pas viti, brenda dhjetë vjetësh, me punë të ngulët, Mentori, duke mbarështuar materialet e mbledhura e studimet e pjesshme të kryera për mbi 30 vjet, arriti të ndërtojë një përmendore shkencore për Dom Ndre Mjedën: mbi gjashtë mijë faqe, me 9 vëllime (11 libra): Librat e kësaj vargoreje janë: Mjeda 1 Rinia (1866–1888), 2004, 639 f.; Mjeda 2 Albanologu (1888–1899), 2006, 641 f.; Mjeda 3 (1899–1912): libri i parë Alfabeti (1899–1912), 2007, 679 f.; libri i dytë Liria (1899–1912), 2008, 764 f.; Mjeda 4 Identiteti, 2009, 633 f.; Mjeda 5 (1925–1937) Gjuhëtari, 2010, 739 f.; Mjeda 6libri i parë Bibliografia (e Mjedës), 2012, 325 f.; libri i dytë Bibliografia (për Mjedën), 2012, 729 f.; Mjeda 7 Bashkëkohësit, 2005, 493 f.; Mjeda 8 Album, 2010, 196 f.; Mjeda 9, Përmbledhje, 2013, 253 f. Kjo përmendore e tij për Mjedën, që meriton shprehjen e njohur të Goethe-s: ”Verweile doch, du bist so schön!”[“Qëndro (të të admiroj), se je aq e bukur!”], u zbulua e u duartrokit bashkë me përurimin e Muzeut të Dom Ndre Mjedës në fshatin Kukël të Zadrimës më 11 maj 2013. Mentori nuk arriti të jetojë më shumë se një vit me përjetimin prekës të asaj ngjarjeje.
Takimet me Mentorin (vinte më shpesh në Tiranë sidomos që nga fundi i viteve ’90) dhe diskutimet rreth shestimeve të tij mjedjane, po ashtu letërkëmbimi me të (përmes postës elektronike, 2004–2013) mbeten për mua një kujtim dashur dhe një pasuri shpirtërore. Me ato që dëgjoja prej Mentorit në takimet tona pata ndjesinë se ishte krijuar një lidhje e veçantë shpirtërore ndërmjet studiuesit dhe objektit të studimit: Mjeda po e rijetonte jetën e vet në krejt qenien e Mentorit! Për Mjedën që e kishte tashmë brenda vetes, ai do të shprehej: “Më bënte përshtypje të madhe natyra e tij e zjarrtë prej rrebeli, filozofia e guximit dhe e sakrificës, jeta e tij enigmatike dhe shpirti i tij që vlonte si njëvullkan në veprim.”
Më kujtohet se Mentori ka treguar për takimin e tij të parë me Mjedën kur ishte shtatë vjeç, nxënës i shkollës fillore, përmes vjershës për fëmijë Dimni. Edhe unë dua ta përmend takimin tim, ndoshta jo të parin, por shumë mbresëlënës, me poetin e madh. Ishte vjeshta e vitit 1953, sapo kisha nisur klasën e tretë të gjimnazit në Vlorë, kur në vitrinën e librarisë së Vlorës u shfaq libri Ndre Mjeda, “Vjersha dhe poema” (Tiranë, 1953), përgatitur nga Llazar Siliqi. Ky libër mbeti një nga më të dashurit për mua. Edhe sot e ruaj dhe e shfletoj për të rikujtuar ndonjë strofë a varg. Profesori ynë i letërsisë shqipe, Milo Duni nga Himara, me sa mbaj mend, kishte pasion të veçantë për dy poetë: Jeronim De Radën dhe Ndre Mjedën. Ai dhe antologjia që përdorej atëherë në shkollat e mesme, e hartuar nga Dh. S. Shuteriqi, na e bënë Mjedën shumë të afërt e të dashur. Unë besoj se brezi im i mban mend ende vargjet që na çonin të shihnim me sytë e mendjes peizazhin e Shkodrës dhe të ndienim bashkë me poetin ato çka përjeton “I tretuni”:
Lamtumirë, o mori Shkodrë!
Lamtumirë, o ti Cukal!
Zhduket Buena nën nji kodrë,
zhduket Drini nën një mal.
Si student në vitin e tretë në Universitetin e Tiranës (1957–1958) kam pasur fatin të kem profesor poetin dhe studiuesin Mark Gurakuqi. Pasionet e tij poetike ndërthureshin e shpërthenin edhe në ligjëratat e tij për letërsinë e Rilindjes e të Pavarësisë. Mjeda mund të them se ishte idhulli poetik i Mark Gurakuqit. Ai mahnitej nga frymëzimi e arti i Mjedës, nga lirizmi e notat mallëngjyese, po edhe nga rrebeshi i thirrjeve poetike liridashëse të tij:
Çoniu shërbëtorët e tokës, leni te shpia
shjetnit e vangat, e për gjysë, o trima,
leni parmendat; rrokni pushkët; vetima
iu duk për s’largu, e qe po vjen liria.
Dhe na mahniste edhe ne, studentët e tij, që bëheshim krejt sy e veshë për të thithur ligjëratat e atij pedagogu të papërsëritshëm. Në seminaret prof. Gurakuqi ndalej sidomos te “Andrra e jetës”. Lirizmi origjinal i poemës, jeta e përkorë e skamnore e përshkruar me realizëm prekës, skalitja e figurave të Lokes, Trinës e Zogës, e bënin poemën shumë të dashur, sidomos për vajzat, që thuajse e dinin përmendsh dhe përloteshin. Mbaj mend se prof. M. Gurakuqi iu rikthye Mjedës me një leksion plotësues. Kishte ardhur atë vit për vizitë në Shqipëri një poet bullgar, mik i profesorit tonë (kishin qenë bashkëstudentë në Universitetin e Sofjes) dhe me atë rast, duke pasur në dispozicion edhe një veturë nga Lidhja e Shkrimtarëve, Mark Gurakuqi me mikun e vet vizituan Kuklin, njohën njerëzit që e mbani mend Dom Ndreun, panë vendet ku kishte jetuar e shërbyer ai. Leksioni shtesë i profesor Gurakuqit për Mjedën ishte një autokritikë e çiltër, një rrëfim për një faj, dhe faji ishte: Si e pata lënë unë, studiuesi i Mjedës, pa vajtur në Kukël deri sot! U desh të vinte një poet bullgar, që ta shoqëroja për në fshatin ku Mjeda kaloi aq vite të jetës së vet, ku ka lënë aq kujtime …! Në të vërtetë Mark Gurakuqi, duket se kishte qenë në Kukël në verën e vitit 1944 (22 vjeç atëherë), siç del nga një shkrim tepër i shkurtër i tij i ribotuar te libri 7 “Bashkëkohësit” i vfargorit “Mjeda” (f. 413 v.). Por unë ashtu e mbaj mend rrëfimin e profesorit. Ndoshta ka dashur të na thotë se ishte vizita e parë në Kukël që kur kishte nisur të merrej me studimin e veprës së Mjedës. Disa mbresa nga kjo vizitë e dytë i ka shkruar më 1962 te revista “Ylli” (ribotuar gjithashtu te libri 7 i vargores, f. 410-412). Këtu prof. M. Gurakuqi ka përmendur edhe se termin rendi i ditës e kemi nga një propozim i Ndre Mjedës në Kuvendin Kombëtar më 1922.
Që në gjimnaz kishim mësuar për ndihmesat gjuhësore të Mjedës. Kur zhvilluam morfologjinë historike me prof. Mahir Domin, na dha të lexonim e të konspektonim artikullin e Mjedës për nyjat dhe përemrat pronorë. Më dukej diçka tepër e veçantë që një poet me aq ndjenjë e frymëzim të merrej me ato çështje sa të koklavitura, aq dhe prozaike të nyjave e të përemrave pronorë, duke bërë vëzhgime të mprehta si gramatikan i rysur, që “bënte kuvend” për çështje të holla gjuhësie me personalitete me emër të madh, si profesori Gustav Meyer i Universitetit të Gracit, të cilit i kushtoi edhe vjershën e mrekullueshme “Gjuha shqipe”, që nis me vargjet Përmbi za qi lëshon bylbyli/ Gjuha shqipe m’shungullon … Kontributet e Ndre Mjedës për gjuhën shqipe dhe gjuhësisë shqiptare janë të shumta. Ato i mblodhi me kujdes dhe i përgatiti për shtyp me akribinë e tij të njohur i ndjeri prof. Jup Kastrati. Vëllimi do të kishte dalë si botim i Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, por qëlloi viti i mbrapshtë 1967, viti i të ashtuquajturave “lëvizje revolucionare”, dhe libri u tret!
Por le të kthehem tani te vargorja “Mjeda” dhe te autori i saj, Mentor Quku. Vitet e jetës së Mjedës (1866-1937) shtrihen në një periudhë vendimtare plot ngjarje dramatike për fatet e Shqipërisë. Ndre Mjeda, si çdo poet me ndjenjë e me zemër të brumosur nga trualli amtar, ishte një intelektual aktiv i vendit të vet. Prandaj nëpër librat e kësaj vargoreje përshkohet historia jonë, ngjarje e figura të saj. Vargorja “Mjeda”, sado e vëllimshme që duket, nuk është krejt fjala e fundit për Dom Ndreun. Dhe kjo nuk është aspak një mungesë, por përkundrazi një meritë e Mentorit. Nga librat e tij njeriu mëson shumë, por ata libra janë edhe një shtytje e një thirrje për hulumtime të reja mjedjane. Mentori përjetoi një kënaqësi shpirtërore kur pa se puna e tij e gjerë dhe plot pasion për dokumentimin dhe studimin e jetës e të veprës së Ndre Mjedës u dha një gjallëri të re studimeve për Mjedën, zgjeroi numrin e hulumtuesve dhe rrethin e çështjeve që tërhoqën vëmendjen e tyre. Dëshmi për këtë janë dy konferenca shkencore të organizuara, e para në Shkodër më 8 dhjetor 2007, dhe e dyta në Bushat më 1 gusht 2012. Vëllimi me materialet e këtyre konferencave u përgatit për botim nga organizuesit e konferencave, Qendra e Studimeve Albanologjike e Universitetit të Shkodrës dhe Qendra muzeore “Ndre Mjeda”, duke çelur serinë Mjedologji (Enti botues “Gjegj Fishta” Lezhë, 2014, 213 f.). Mendoj se librat e vargores “Mjeda” kanë dhe një vlerë mësimore të drejtpërdrejtë: ata mund të shërbejë si literaturë themelore për një seminar universitar të thelluar për veprën dhe personalitetin e Ndre Mjedës, që do të ishte edhe një shkollë kualifikimi për studiuesit e rinj. Me sa jam në dijeni, ende nuk ka hyrë një praktikë e tillë në fakultetet tona filologjike.
Duke përmbyllur këto fjalë kujtimi e nderimi për Mentor Qukun, mund të them se Mjeda ka pasur fat me Mentorin! Po edhe Mentori me Mjedën! Mjeda e ka frymëzuar për atë përmendore studimesh, që mund të quhet unike dhe madhështore. Ndërtimi i saj ka qenë një nga ato punë ku duhet të vësh edhe mendjen, edhe zemrën. Se ndryshe nuk arrihen. Ashtu si një skulptor frymëzohet nga figura për të cilin ngre një përmendore, ashtu edhe Mentori është frymëzuar nga jeta, nga vepra dhe personaliteti i Mjedës. Kjo përmendore letrare për Dom Ndre Mjedën ka nënshkrimin Mentor Quku, dhe emri i tij tashmë ka zënë një vend të merituar e të denjë historinë e studimeve shqiptare. Dhe ne, miqtë e tij të çiltër e të hapur, që e kemi ndjekur hap pas hapi rrugëtimin e vargores “Mjeda”, kemi kënaqësi ta kujtojmë kolegun tonë, që do të mbetet i gjallë mes nesh nëpërmjet veprës edhe shembullit të madh frymëzues që na ka lënë.
(Marrë nga ExLibris)