I MAGJEPSUR…
Kam shtangur i magjepsur
përballë ujëvarave të lumit Niagara.
Sulen drejt meje. Nga vijnë ashtu,
nga parajsa?
Mermere qiellore,
që bini me gjëmime nga lartësitë,
bukuri e frikshme,
frikë bukurie,
te këmbët e mia prej uji.:
Po ç’shpirt më erdhi me flatra pulëbardhe,
Mos je ti?
Më kërkon të shkruaj?
Stërkalat si shkronja uji
me shkronja poezie përzjehen ethshëm…
Më mbulojnë të gjithin…
Si u gjenda kështu
nën një shi të përjetshëm!
UJËVARA AMERIKANE E NJU JORKUT
Dramë tronditëse uji…
Të shoh, je ky shesh lundrues,
ndanë qytetit,
barabar me ecjet tona.
Befas shndërrohesh
në kope kaprojsh pambarim,
të bardhë, të bardhë,
me brirët – copa ylberësh,
me vrapin prej shkume
që rrokullisen humnerave
shkulme-shkulme,
mes vorbullave prej rrjedhash
dhe kohe
me çmenduri dashurie.
Janë thellësitë, janë
dhe brenda vetes dhe jashtë,
Do të qetësohesh? Një tjetër ujvarë
më tej, plot bizhu idilike ankthi,
valëvit një “Vello dasme”,
shih si era e ndehu, e shtriu,
por këtu, këtu ti gjëmon
kaosin zulmëmadh të njeriut…
UJËVARA KANADEZE E ONTARIOS
Horseshoe… Patkua prej ujërash,
i hapur… sa i madh!
Pse të hodhën aty? Që toka të ketë fat…
Që ne, vdekëtarët, të kuptojmë jetën,
nuk është më siç e dinim, veç kërcënime,
pa mbrojtjen hyjnore.
Përballë buçimave të ujit
dhe vdekja nuk është më siç e dinim.
Ç’katarakt vezullim-errët
bën kapërcimin e tejmë
për vazhdimet qiellore!
Dhe unë jam gjysmë-ëndërr
dhe gjysmë-e-tanishme,
Ç’kam përballë,
e ndjej të perëndishme.
Rrebeshe alabastri, ç’rrebesh
plot ngjarje!
Patkua ujërash
i një kentauri prej resh,
gjysmë-hapësirë dhe gjysmë-e-ardhme.
Që toka të ketë fat,
nga lart të hodhën mes nesh.
YLBER DHE URË
Ujëvarë – grua
Mbi truallin – burrë.
Vallëzim ujërash…
Pyje dhe gurë.
Dashuri qielli
Pafund me tokën.
Ja, dhe ylberi
Zgjat ëndshëm dorën.
Magjepsshëm prek
Bregun Kanada
Dhe tjetrin breg
Magjepsshëm SHBA.
Për dikë është gruaja,
Për dikë – e dashura.
Kataraktet plot ngjyra
Si perdet ndër drama.
Si ylber hov dhe ura,
Ç’kufij pa kuptime.
Ujëra, ujëra, ujëra
Si në fillime,
Kur Nju Jork, Toronto
S’ishin as vegim.
Antiujëvarë rrokaqiejt
Tokë-qiell dhe kthim.
Vallëzime ujërash,
Pyje dhe gurë.
Ujëvara – grua
Mbi truallin – burrë.
ÇASTE TË UJËTA
Të lagesh
nga furia e stërkalave
si të një qielli të grirë.
Rreziku – përbindësh uji,
kaq shumë është zbutur
si Shoqëritë Likuide…
Dhe të pikosh vetveten,
mes oshëtiva të dëgjosh
një pëshpërimë të fshehtë.
* * *
Dita jote
U bë kjo anie e vogël…
Dhe futet në mjegulla uji
Si në një ankth të bardhëllemtë,
Sa më pranë mahnitjes.
Dhe të dëgjosh një kaskadë
të thërrasë: S’ka kthim pas!
E megjithatë mbi shkumë uji
si mbi argjend të shkrirë,
kjo ditë kthehet
dhe bëhet imja…
SHKËNCËTARI BALLKANAS NË BRONZ DHE FANTAZMA E ALBANALOGUT KANADEZ
Përballë madhështive
me emrin Niagara Falls,
Mes blerimeve të parkut, mbi rrugë,
Shtatorja e shkencëtarit Nikolla Tesla
në bronz,
Nga Ballkani erdhi, nga jam dhe unë.
Copëz ujëvarë e ngrirë qenkësh njeriu –
do doja t’i thosha albanalogut kanadez,
që më ka përkthyer poezitë,
Robert Elsié.
Po ku ta gjej, ai iku
dhe…
ndërsa një re e madhe shiu
e mbështolli shtatoren
dhe m’u bë si e veshur
me tirqet e bardhë
të malësorëve shqiptarë.
Vegim i vendlindjes, ç’është ky kompleks,
me prindër verbanë dhe udhë të marra, –
Në malet e mia është varri
i albanalogut kanadez
ku më shumë ka Ujë-Vrara.
Bronz dhe fantazma, harrime dhe mjegull.
Më thuaj, si është një ujëvarë e vdekur?
NË MESDITË SHKUAM NË TORONTO
Mesdita në Toronto
rrjedh nëpër xhamat e kullave të larta
si ujvarë qytetare,
e kaltër, e kaltër.
Kumbimet e kambanave të Katedrales
flatrojnë rreth nesh –
pëllumba flladesh.
Po kur të mbarojë shishja e verës
në tryezën tonë në rrugë,
këtu poshtë pemëve?
Dielli – kamerier do na i mbushë gotat
me dritë si me dëshira të reja.
Dashuria nuk është kujtim, do të thosha,
të shtrëngon dorën poshtë tryezës,
e ndjeshme si mesdita në Toronto.
* * *
Dhe unë jam i rrëzueshëm,
shpesh kam rënë,
gjaku më është bërë ujë,
jam vrarë.
Por gjithmonë kam dashur
të bie si një ujëvarë.
QË TË RRITËSH KOHËT E UJIT
Niagara
është ëndërr
që e shohim para se të biem në gjumë,
aq shumë, aq shumë.
Ujëvarë e trupit lakuriq,
që dergjet në shtratin e një dhome hoteli
si varkë në mbërritje.
Edhe kur zgjohesh
ëndrra është prapë aty,
Ajri ka shijen e puthjes
prej molle biblike.
Pagjumësisë së jetës
i duhej një nina-nana e re,
e ku gjendej, veç në lashtësi?
Dhe u shpikën ujëvarat
që kohët të rriten, të rriten
si fëmijët.
FISHEKZJARRET
E ORËS 10 TË NATËS
Dhe degë të blerta shpresash
dhe zambakë të bardhë mirësish
dhe jargavanë blu dëshirash
dhe tulipanë të buzëqeshjes tënde
dhe trëndafilë të kuq puthjesh
të zjarrtë të zjarrtë
mbushin qiejt që digjen
dhe bien mbi ujin e natës
të shuhen të shuhen
Ç’tym temjani që ngrihet
nga misteret e ujëvarta
dhe ti mes tyre, Engjëll.
* * *
Çfarë shoh kështu?
Aniet – arkëmorte
mbi supe dallgësh.
Dhe arkëmortet – anie
që lundrojnë
nga errësira në agimet
qiellore…
Jetë-vdekja
ujëvarë e prerë kohe.
SHI YJESH BIEN MBI NIAGARË
Shi yjesh bien mbi Niagarë
Dhe mbi supet e tua prej ujërash.
Nga kjo magjepsje të vjen për të qarë,
E ç’është përjetësia? – Çaste të humbura…
Si ty më joshin kataraktet,
Erosi i rënies së hapësirë në kohë.
Ato dashuri me të sajat akte,
Brenda nesh shëmben, mrekullisht, oh!
Dhe rrjedhin si ujëvarat në ujëvarë
Kolona ujërash në tempuj divinë.
Nga ato ujana furishëm do ridalë
Dhe trupi yt ashtu i vetëtimtë.
Gjeratore dhe ankth dhe shi yjesh
Vazhdojnë të bien mbi Niagarë.
E ndjej si çahesh dhe si shqyhesh
Bukuri e pamposhtur në mijëvjeçarë.
TI JE DHE IMJA…
Jam dhe unë yti, Niagarë,
Desha të them se ti je e gjithë botës
si në epokën e akullnajave.
Era i ka fryrë dhe për këtej
retë e Europës
bashkë me velat e anijeve të Kolombit.
Ka rënë dhe shiu im sublim
me lotët e stinëve. Dhe uji yt ka mbartur
nga ajo kujtesë me skllevër,
por nuk është luftë civile
përplasja e ujërave.
që çan nëntokën si gjaku…
Plagët e njerëzimit sipër janë bërë qytete.
* * *
Dhe doja dhe s’doja të vija në Niagara.
E pashë për ty, me sytë e tu
në fytyrën time prej muzgjesh.
Po duhej ti t’më tregoje
për ujëvarat e mëdha
dita jote duhej të ishte kjo,
e ndjej të shpërthejë si shatërvan,
currila orësh të bukura derdhen anëve
në rrugën time,
me çurgjet e zogjve
të klithmave të habisë.
Ja, imazhet, duhej t’m’i kishe sjellë ti
me celularin tënd, pa parë më shumë.
Kataraktet – herët në agim,
pastaj në mbrëmjet e dalldisura,
nga “Skylon Tower”,
ngjyrat që derdhen si të tjerë katarakte
dhe ndërrohen
në blu, në të kuqe, në të blertë…
bashkë me ngjarjet
nën shiun që zbret nga lart, nga retë e ulëta
dhe përzjehet me shiun që ngrihet nga poshtë
në furinë e mjegullt e lumit.
Të tjerat janë foto intime, me vajza…
Po dhe ato lumenj janë…
Doja dhe s’doja ta shikoja Niagarën.
Por ti kishe hedhur nga Qielli dy ujëvarat:
atë të dashurisë
dhe të dhimbjes,
që unë të shkoja për ty. Të thashë: i pashë
me sytë e tu
siç shoh gjithë botën tani.
NA DUHET TË IKIM
Na duhet të ikim.
Ujëvarat magjepse do vazhdojnë të bien
ashtu si para mijëra vjetësh
ashtu si pas mijëra vjetësh
madhërishëm si shpirti i shirave
të palodhura si përjetësia,
ditar prej uji i kohës,
Ja, fleta që ka ardhur këtu
dhe poeti Walt Whitman,
Niagara vërshoi në vargjet e tij,
Flokët e gjata dhe mjekrra e gjatë
të bardha iu bënë si prej ujëvare.
Katarakte vdekje ashtu si dhe jete,
përmbytin kujtesën e pashkruar,
që s’kuptohet,
është plot me të papërsëritshmet,
me ujë drite dhe ndjenje,
me ujë agimi dhe natyre,
me ujë takimesh dhe nate,
me ujë dashurish dhe të syve të tyre
që na shohin dhe nga qielli.
Toka me Ujin vazhdojnë krijimin
e asaj poemës së parë që s’mbaron
ashtu si dhe ne.
(Marrë nga ExLibris)