(Tallavaja e qeverisë Rama është një krizë më e rëndë se sa piramidat e mesviteve ’90-të)
Fasada e kryeqytetit duket se ka mbetur e vetmja mburojë për kryetarin e bashkisë së saj Erion Veliaj i cili mbetet sot për sot është kampioni i mashtrimit politik dhe i gënjeshtrës ekonomike të kapur në flagrancë me shpërdorim dhe me përvetësim.
Edhe pse temperaturat e nxehta shënojnë 40 °C, Veliaj nuk kursehet të bëhet i dukshëm duke e shitur veten në dy mënyra, sa të freskët po aq edhe aktiv. Në kohën kur protestuesit demonstrojnë përpara Bashkisë Tiranë dhe tym del nga gomat e djegura dhe shishet flakë shpërthyese molotov, kryetari Veliaj zgjedh të mbajë ndezur fushatën e tij politike në Laprakë. Mes shprehjeve bajate të zgjedhura, slogani revanshist i Erion Velisë përpara qytetarëve të Lagjes Laprakë, ose Njësia Bashkiake Nr. 11 ishte; -“… digj goma, mbill flokë”. *
“Leshatori” Veliaj e do një përgjigje sepse prej kohësh është kthyer një politikan banal, pavarësisht se sa pushtet i kanë ofruar dhe pavarësisht se sa trim është kur pushtetin e ushtron përmes mashtrimit dhe përvetësimit. Pra freskinë dhe rolin aktiv, ai i luan njëkohësisht si një menaxhues i rëndësishëm të pushtetit vendor dhe po ashtu si drejtuesi politik i Qarkut të Tiranës. Pra në mes të protestës dhe vapës, me këto cilësi të larta Veliaj po tregon se është shëndosh e mirë në të tijën duke u bërë përditë lajm dhe njëkohësisht duke investuar për t’u bërë objekt i lajmit si në mediat zyrtare të pushtetit po ashtu edhe në ato private që e mbështesin. Karakteristike është se Veliaj nuk i mungon asnjë ditë medias. Propaganda të dy mënyrat se si ai sillet i shkrin në një, dhe e bëjnë Veliajn të duket se po noton ende në sipërfaqe duke dhënë maksimumin për rienergjizimin e Rilindjes Socialiste deri në mbajtjen e Kongresit Zgjedhor të PS më 20 Korrik 2024. Pra i kudondodhur edhe në më pak se një muaj të mbetur do të jetë i dukshëm si kryetari Erion Veliaj dhe drejtuesi politik i qarkut.
Por atij i duhet sqaruar së pari se ai e ka edhe një kusht me të cilin është toleruar “të lundrojë”. Vetëm përgjatë një tremujori, që kur SPAK i drejtoi thirrjen për t’u paraqitur, Veliaj është i vetmi person i administratës që nuk e ka të kufizuar lëvizjen brenda dhe jashtë shtetit edhe pse akuza të rënda me abuzime miliona euro gjinden në dosjet e SPAK. Kjo mos ndodh sepse Veliaj është “valvula” e shfryrjes së zemërimit brenda Partisë Socialiste apo se ai është i vetmi ndër rradhët e saj që ka cilësinë e shpëlarjes së korrupsionit për elitën e Rilindjes Socialiste deri në prag të Kongresit Zgjedhor duke u kthyer në një pusetë shkarkimi të saj.
Për këtë dilemë të drejtësisë dhe për këto arsye edhe pas 13 protestave të fundit të qytetarëve, opozitës dhe të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Veliaj, çështja qëndron ende.
Por Erion Veliaj shfaqet edhe njëkohësisht kudo. Ai fizikisht dhe virtualisht prodhon lajme sa politike e sportive aq edhe kulturore dhe mjedisore, sa jashtë bashkisë madje edhe jashtë shtetit. Ai është i vetmi kryetar bashkie që bën fushatë edhe kur garë politike nuk ka edhe të tjera punë dhe detyra i duhen kryeqytetit për të cilin atij i janë ngarkuar. Por dyfytyrësia e fajtorit dhe përvetësuesit ka ende vlerë për t’ju servilosur kreut të elitës së Rilindjes. Kështu Veliaj i shfrytëzuar brutalisht nga eprorët e tij detyrohet të jetë i kudondodhur dhe është harruar nga roli kryesor i përgjegjësive si kryetar.
Çdo ditë për të depozitohen dokumente dhe jepen prova përpara drejtësisë. Ndërsa firma dhe funksionet e Veliajt janë shndërruar tashmë në burokracinë modeste të prerjes së përurimeve të mbetura, shtrimit të darkave bamirëse për të varfërit, dhënies së titujve “Qytetar Nderi” i Tiranës, apo të ndonjë binjakëzimi me çdo bashki të mundshme që përmban harta administrative e planetit. Pra i vetëm, në provë me paratë e taksapaguesve dhe pa shpenzimet e shtabit elektoral staf i cili tashmë gjendet në arrest dhe burgim.
I numërojmë të gjitha këto sepse për Erion Velinë më kryesoret harrohen kur ai vazhdon të prodhojë çdo ditë lajme.
Të gjithëve ju kujtohet se i kudondodhuri Erion Veliaj, thirrjen për t’u paraqitur në organet e drejtësisë SPAK. Ai e lexoi paraqitjen dhe e interpretoi vonesën me ndërhyrjen e heqjes së “gurëve në tëmth”, më 31 Mars, 2024 dhe më pas ose menjëherë shfrytëzoi fshehjen e lajmit. Prej atëherë, Veliaj kujton se njerëzit i kanë harruar sjelljet dhe mashtrimet që organizata e tij (siç preferon ta quaj institucionin e bashkisë së kryeqytetit, me mbi 11 mijë personel dhe që mbahet me një fond prej 100 milion euro për rrogat vjetore), ka me administratën e fryrë miliona eurot e buxhetit dhe abuzimin e punëve të pakryera dhe nuk mungoi të shprehej në një studio tv se: – “Ka qenë një javë sfiduese, edhe për shëndetin personal, dhe siç e thashë edhe për shëndetin e organizatës që drejtoj. Është një organizatë që kryen 1000 gara në vit, pra në një vit kalendarik janë disa qindra, disa herë 1000, disa herë më pak se 1000 dhe ka një procedurë se si kompanitë garojnë, se si kompanitë ankohen në KPP dhe sigurisht në 1000 gara, apo në 11 mijë vetë staf të Bashkisë së Tiranës, ka një probabilitet që të ketë problematika…” * Në të njëjtin emision Tv kur disa ditë përpara zgjedhjeve vendore 2023, Veliaj i bindur në fitore e cilësonte marrëdhënien me kryeministrin Rama dhe njëherësh kryetarin e Rilindjes Socialiste si; “vëlla të madh”,… “Ka 20 vite që nuk ka ditë që unë nuk kam komunikuar me Edi Ramën”,… “E quaj bekim që kam kryeministrin që ka qenë kryetar bashkie, që i di hallet e qytetit. Kemi një simbiozë, kemi një energji dhe një kimi”, për ta mbyllur me atë deklaratë që do t’i duhej edhe më shumë herë më parësore për nga rëndësia SPAK-ut dhe drejtësisë për të kuptuar nga dokumenti oral i kryetarit të bashkisë Tiranë Erion Veliaj se:-“Unë dhe Rama po luftojmë si dashnorë për Tiranën”.*
Kjo është kur i jep shumë gojës në media!
Përulja dhe servilizmi janë dy cilësitë që tregojnë se Veliaj e ka me të hedhur edhe kur shpreh se e do shumë udhëheqësin apo edhe kur i lyp votën qytetarëve. Kjo e ka treguar se e bën shpesh pis politikanin Veliaj jo vetëm në përzgjedhjen e shprehjeve, por sidomos edhe gjatë një fushate zgjedhore të tij me ose pa mbrojtjen dhe investimet e shtabit elektoral 5D në çdo njësi të kryeqytetit. Ndërsa tani i mbetur vetëm nervozizmi politik po e vërteton dhe gabimet dhe gafat shtohen.
Kjo në të vërtetë është ajo pështirosje që e kanë parë, e kanë kuptuar dhe po e ndjejnë edhe më shumë qytetarët.
Pjesa më e ndërgjegjshme e tyre dhe opozita të ftuara në protestat e vazhdueshme prej Aleancës për Teatrin kanë mbetur e vetmja forcë prej vitesh dhe sidomos gjatë 13 protestave të fundit që po ritheksojnë qëndresën dhe shtrimin e fakteve përpara drejtësisë. Është e pashmangshme gjendja e krizës së kryeqytetit me një korrupsion dhe me një fasadë të tillë. Ndërhyrja e shpejtë dhe veprimi i ligjit janë emergjente për ta pastruar Tiranën dhe Shqipërinë nga kthetrat e korrupsionit. Kryeqyteti prej kohësh ka mungesën e një drejtuesi të mençur si dhe të një grupi njerëzish të përgjegjshëm që u duhet me shpejtësi ta shëndoshin cilësinë e jetës së qytetarëve. Më imediatet janë ndalja e korrupsionit në bashki, furnizimi i qytetit me ujë dhe energji elektrike 24 orë, të eliminohet ndotja e ajrit nga tymi i plehrave që digjen, i karburantit të automjeteve dhe i pluhurave të ndërtimeve të cilët bashkë me varfërinë janë problemet e vërteta që mund t’ia grisin maskën fasadës së rilindjes që prej ardhjes së tyre në pushtet.
“…gomat e djegura, qimet e mbjella”, kjo gjetje në sloganin politik 2024 të Erion Velisë kur nuk ka fushatë zgjedhore e do një përgjigje. “Korrupsioni i pushtetit të Rilindjes Socialiste, shkakton gurët në tëmth”. Elita e Rilindjes ka aq mëkate si forcë politike sa do t’i duhet të mendojë që ngrehinën e mandatit të ardhshëm ta ndërtojë që nga themelet me “gurët e tëmthit” prej korrupsionit të saj”.
Jo më larg se Gushti i vitit 2018, “fDi magazine” shkruante për Erion Veliaj pedalimin e fuqisë së kryetarit të bashkisë në punët e Tiranës. Ai cilësim nuk ka ikur pa u vënë re për të mbushur lajmet nga mediat ashtu sikurse dhe më fort të jenë përcjellë nga propaganda si atëherë po ashtu edhe tani kur e kujton dhe kuptuar se çili ka qenë misioni i medias. E shkruar në anglisht kjo fjali bën një përcaktim interesant të cilin as Rama ende nuk e ka ndier të përkëdhelet për të mos thënë se ka shprhur zilinë;
“Picture a cross between Justin Trudeau and Emmanuel Macron, add in a bicycle as an accessory, and you’ll have Erion Veliaj”. “Një skice mes Trudosë dhe Makronit po t’i shtoni ngjitur një biçikletë, do të keni Erion Veliajn”.
Krahasim i fuqishëm ky dhe që të bën të mendosh se është i porositur bukur. Pra vetëm biçikleta e ndan Veliajn, kryebashkiakun e Tiranës në përshtypje nga një kryeministër kanadez dhe nga një president francez.
Me kryeqytetin shqiptar Tirana, aty ku jeta institucionale dhe shërbimet sot janë përqendruar, aty ku po zhvillohet lufta politike dhe betejat ligjore të drejtësisë të opozitës për pluralizëm politik dhe të korrupsionit për të mos u vendosur një narkoshtet, paralajmërimi i humbjes së energjisë elektrike me temperaturat e larta të stinës së verës nxorri më dukshëm krizën.
Tirana nuk është më as fasada e koncerteve dhe as “Fan Zone” e Euro 2024. Tallavaja e qeverisjes po tallet çdo ditë me vështirësitë e kushteve të jetesës së qytetarëve deri në 20 Korrik, mes vapës dhe Kongresit Zgjedhor të PS.
Tiranasit pra tironcit qytetarë të hershëm bashkëjetojnë me të ardhurit nga rrethet e ndryshme apo edhe me shtetasit e huaj që prej 30 vitesh edhe pse sot Tirana mban gati 1/3 e popullsisë së vendit. Janë rreth 1 milion banorë që falë lëvizjes së lirë që prej viteve ’90-të jetojnë ngjeshur mes pasigurisë së punës dhe të strehimit, të cilësisë së ulët të sistemit arsimor dhe shëndetësor, pluhurit dhe ndotjes, varfërisë dhe taksave pa harruar se këto kushte po i detyrojnë çdo ditë këta individë dhe familjet shqiptare që të largohen në masë për të siguruar një jetesë më të mirë. Sa më larg një regjimit narkoshtet që është i mbushur me propagandë dhe ku lajmi i mburrjes qeveritare vazhdon të mbetet shifra e turizmit. Fasada e pushtetit vazhdon të jetë turizmi edhe pse ujrat e zeza kanë shpërthyer rrugëve drejt detit në qytetet bregdetare aty ku uji dhe energjia elektrike po fillojnë të racionohen dhe ajri i ndotur nga tymi idjegies së plehërave me siguri që në ditët më të nxehta nuk do të mungojë.
_________
* Kronikë e Klan Tv më 21 Qershor, 2024.
* Top Story më 8 Prill, 2024 dhe 4 Maj, 2023
*fDi intelligence- Courtney Fingar 16 Gusht, 2018
21 Qershor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)