OLAF ka përfunduar hetimin e vjedhjes së fondeve që Bashkimi Europian jep për Shqipërinë në sektorin e bujqësisë.
Në njoftimin e bërë në faqen zyrtare të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit, e njohur ndryshe si OLAF, është zbardhur mashtrimi me fondet e programit IPARD në Shqipëri, një skandal që shpërtheu një vit më parë, por që Edi Rama u mjaftua vetëm me largimin e ministres së Bujqësisë Frida Krifca, e cila më parë kishte qenë dhe drejtuese e AZHBR-së dhe drejtësia shqiptare heshti.
OLAF është një organ i mandatuar nga Bashkimi Evropian (BE) për mbrojtjen e interesave financiare të vendeve të unionit dhe u vu në lëvizje nga një denoncim i dërguar nga Shqipëria, ku tregohej skema e vjedhjes së fondeve për bujqësinë dhe dhënia e tyre personave me pushtet, ose të lidhur me qeverinë.
OLAF bën me dije se i ka rekomanduar BE-së që të parandalojë dhënien 112 milionë eurove të financimit të ardhshëm (IPARD III) për Shqipërinë nga shpenzimet e panevojshme, derisa të vendosen masa korrigjuese për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm
IPARD II u krijua për të ndihmuar në modernizimin e sektorit bujqësor shqiptar në përputhje me standardet e BE-së dhe arritjen e progresit drejt anëtarësimit në BE.
Një pretendim ishte se aplikantët për IPARD II ishin të detyruar të paguanin një përqindje të madhe të grantit të tyre për kompanitë e konsulencës të ‘përzgjedhura paraprakisht’, të cilat më pas do të lehtësonin kontratat me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë (AZHBR), e cila shpërndante fondet.
Pas një sërë hapash komplekse hetimore, përfshirë kërkimet mjeko-ligjore dixhitale të dokumenteve të lidhura me marrësit e IPARD II, AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve.
Këto parregullsi përfshinin:
Aplikantëve u kërkohet të paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale;
Kontratat që jepen pa konkurrencë, ose përmes një konkursi të manipuluar (me oferta false që dorëzohen);
Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale.
Pas hetimit të saj, OLAF rekomandoi që Komisioni Evropian të konsiderojë një pjesë të financimit të Thirrjes së Parë dhe të Dytë për Aplikime IPARD II 33 milionë euro, si të papërshtatshme.
OLAF rekomandoi më tej që BE të parandalojë 112 milionë euro të financimit të ardhshëm (IPARD III) për Shqipërinë nga shpenzimet e panevojshme, derisa të vendosen masa korrigjuese për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm.
Nisur nga aktivitetet e mundshme kriminale të zbuluara gjatë hetimit, OLAF i dërgoi edhe një kopje të gjetjeve të saj autoriteteve gjyqësore të Shqipërisë. sn