Nuk e di nëse ajo shkon shpesh në atë restorant, por di që sa herë kam shkuar e kam parë aty. Në të njëjtën tavolinë, në të njëjtin vend. “Ktheje kokën me kujdes. Ajo gruaja me kapelë që është ulur pranë shtyllës është Anna Karina. Ka luajtur në filmat e Godart-it. Ajo bukuroshja aq fotozhenike”, i thashë personit që ishte me mua kur e pashë për herë të parë. E njoha menjëherë, edhe pse kishin kaluar gati 50 vjet nga imazhi i saj në filmat e Godarit-it.
Në ditët tona shumë pak e njohin Anna Karinën. Për aq herë që e kam gjetur në atë restorant, asnjëherë nuk kam parë klientë të kthejnë kokën apo t’i kërkojnë autograf.
Një autograf nga e famshmja Anna Karina, heroina e filmave “À bout de souffle”, “Petit Soldat”, “Une femme est une femme”, “La Religieuse de Didero”t, “Vivre sa vie”, “Pierrot le fou”, etj.
Më shkonte mendja kur e shikoja aq pranë, por, në përgjithësi, autografet nuk më interesojnë dhe as doja ta besdizja.
Më shumë se rolet e saj, çka më kishte lënë mbresa kishte qenë një emision ku Anna Karina dhe Jean-Luc Godart, me të cilin kishte njohur historinë më të fortë të dashurisë dhe kishin bashkëjetuar disa vite, po takoheshin pas 20 vjetësh ndarje, pa komunikuar asnjëherë. Ndërsa drejtuesi i emisionit i bën që të kujtojnë disa çaste nga e kaluara, ajo, në një moment, e mbytur nga emocionet, me sytë e mbushur me lot, ngrihet dhe ikën. Pa thënë asnjë fjalë. Aty pashë për herë të parë një dashuri të pacenuar nga koha.
Sot qëlloi që isha përballë saj në restorant. E vështroja herë pas here. Edhe ajo më vështronte. Ishte nga ato vështrimet e ish-yjeve që kërkojnë të dinë nëse janë ende të njohur. Por diskrete. Kur u ngrita për të dalë, ajo më vështroi e buzëqeshi. Një buzëqeshje e ëmbël. Shumë e ëmbël. Aq sa më bëri të ndalem, të hap çantën e të nxjerr bllokun e shënimeve duke i thënë se buzëqeshja juaj më shtyu t’ju shqetësoj për t’ju kërkuar një autograf. Sytë e saj shkëlqyen dhe në njërën nga faqet e bllokut shkroi : “Ulysse-it (pseudonimi im) me gjithë zemër, Anna Karina”. Duke vizatuar një zemër në vend të fjalës. E quajtur Hanne Karin Bayer, Anna Karina ishte emri që Coco Chanel ia kishte dhënë kur ajo kish ardhur nga Danimarka në Francë në moshën 17-vjeçare.
I intriguar nga gjuha që po flisnim (isha me nipin tim), i shoqi që ishte më pranë nesh më pyeti se nga ishim me origjinë. Dhe, si gjithmonë, kur brezit të tyre (70-75 vjeçarë) i thua se je shqiptar, gati të gjithë do të thonë se para shumë vitesh gjatë pushimeve në Korfuz, pa dashje kishin shkelur në ujërat shqiptare e të tmerruar kishin parë ushtarë që u kishin drejtuar automatikët duke thirrur : “Albania ! Albania ! “
Aq u desh për të biseduar rreth 10 minuta, duke u ndarë si miq të vjetër… dhe, me një puthje të dhënë me dorë nga vetë Anna Karina !