Më ndodhi rastësisht të zbuloja një vepër të para do kohëve të shkruar nga kompozitori Aleksandër Peçi. Më grishi ta njihja pasi shkrova një melodramë dhe kur vetë kompozitori më tha se kishte përfshirë në vepër edhe aktor atëherë këmbëngula të ma tregonte. Kam vetëm një ditë që e kam dëgjuar, dhe them me vehte se duhet ridëgjuar sërish e sërish, sepse vepër konsiderohet një ekzemplar artistik që të shtyn ta rieksplorosh dhe që të sfidon me pakapshmërinë e tingullit, të dizonancës, të konsonancës së beftë, oi-rave të legjendës apo shkulmit të teksteve të Homerit.
“Loteu i stinëve” qysh në titull zbërthen një kalendar jetësor, një kalendar që edhe ka, edhe s’ka lidhje me Shën Gregorin. S’do mend, një autor i rëndësishëm shqiptar duhet patjetër të na zbërthejë përmes simbolesh artistike kalendarin siç e predikon arti, dhe jo siç e gjejmë në histori. Në veprën e Peçit, unë vetë si krijuese jam përballur gjithmonë me një kërkesë të madhe dhe me një etje për novaçion, një nga vlerat e posaçme të këtij kompozitori. Pretendimin novator ai e ka shfaqur edhe tek Loteu. Risia e parë që më ndërmendet është ilustrimi i muzikës me tekst, dhe jo e kundërta. Kjo provon atë aksiomë se arti është vetë një klishe që duhet ta thyejë vetëvehten, thënë kjo në kuptimin që ne jemi mësuar si dëgjues se është muzika ajo që ilustron tekstin. Në këtë rast, jo. Teksti davaritet tek tingujt duke i tërhequr nga vehtja, e muzika e fiton këtë duel me forcën më ndjesore të tingullit. Merita e autorit qëndron në faktin se teknologjia është bërë “skllave” e artit të shkruar me penë, dhe këtu duhet të synojnë gjithë kompozitorët dhe krijuesit.
Loteu, një subjekt që davarit stinët kohore, në fakt i jep vlera stinëve jetësore, njerëzore. Pranvera, bukuritë e saj, hiret e saj si të një gruaje, pastaj dimri homerik, pastaj ferr dantesk, pastaj shi gjaku, pastaj fllad që përzë ngricën, këto të gjitha i gjeje në veprën e Peçit, sidomos në libretin e saj. Mpleksja e impresionit, ekspresionit, pasionit, klasikes, romantikes e modernes, e bëjnë Loteun një vepër udhërrëfyese duke iu treguar krijuesve të muzikës se ku duhet të kalojë udha e artit. Një soprano dhe një aktor, dy solistët e veprës u ndërthurën brenda saj përmes kantilenës, të mbështjellë me recitimin e teatrit, dhe jo me atë të operas recitando, risi në vepër.
Gjithashtu ndërrimi i aktorëve nga studioja me Bujar Asqeriun i cili e ka shënuar personazhin e tij, tek kalimi në skenë me Dritan Boriçin, i cili dihet se si e shndërron skenën, e bën veprën, pse jo, të rikrijohet përmes variantesh interpretimi.
Variantin skenik po pres ta dëgjoj së shpejti, e bindur se do të ketë shpalosur një sfidë.
Po ashtu përfshirja e vargjeve të poetëve të njohur si Dritëro Agolli jep një pamje të piktoreskut të dhimbshëm se këtë imazh na fal vdekja e një pulëbardhe, që sinjifikon në fakt flakjen e robërisë, se… Më mirë vdekje në liri. Dhe kështu vepra “Loteu i stinëve” e Aleksandër Peçit këtë teoremë e ka në ashtin e vetë.
Muzika e loteut më sjell ndërmend shumëç’ka nga krijimet e këtij kompozitori. Diku ndjej stilin e romancës, diku kabaizmin aq të pëlqyer prej tij, diku ndjej një mister që më kujton “Enigmat”, por sapo mashtrohem bukur prej tyre, më zbret menjëherë në tokë kabaja që shfaqet herë me klarinetë, e herë me violinë.
Muzika e Loteut në tërësi më kujton edhe këngët e Peçit, edhe muzikën e filmit, edhe krijime të tjera. Sigurisht që autori revokon stilin e tij në çdo vepër, bëhet nostalgjik për bulëza, motive, pasione të ngrira përkohësisht, të cilat mezi pret t’i shfaqë diku. Kështu ka ndodhur me veprën “Loteu”, e cila për mendimin tim është një krijim nga më cilësorët e autorit dhe jo vetëm.
Mendoj se edhe artistët interpretë janë të sfiduar prej veprës pasi interpretimi në skenë i saj kërkon të ngrihesh në lartësinë e krijuesit. Aktori – sopranoja duhet të jenë njohur paraprakisht me artin futurist në mënyrë që të mund të futen në gjakun e veprës, e ta shpërndajnë bukur tek publiku purpurin e saj ndjellës. Një punë e madhe është bërë për ta shkruar veprën, në të vërtetë shenjimi i një vepre.
Po cilësoj këtu se ndoshta autori duhet t’i fshihte nën simbol elementët e kabasë dhe jo t’i citonte ato natyralisht, kjo për ta ruajtur pamjen tingëllimore thellësisht simboliste të veprës së tij. Theksoj këtu se krijuesi nuk gjykohet, pasi asosacionet janë diçka përtej ndërgjegjes dhe shpirtit të autorit, megjithatë kritiku duhet ta racionalizojë mendimin. Momenti më i bukur i veprës është ai kur shkrihen në një vals ekstaze të përmbajtur aktori, sopranoja, pianoja, flauti e fizarmonika. Gjithashtu dyfishimi i timbrit të pianos me harpën janë një gjetje autoriale.
Harmonia e Loteut endet mes tonalitetit, modalitetit, toneve të jugut, e grigjës klasike e romantike, të gjitha nën peshën e krijuesit. Efektet zanore si era, bulkthi, efektet elektronike janë përdorur nën diktatin e ndjeshmërisë dhe jo të etjes për imazh kozmetik ndaj veprës.
Mbase duhej justifikuar pak më tepër dizonanca.
Megjithatë, rregulli i vetëm që ka zbatuar autori tek “Loteu” ka qenë mos-kompromisi ndaj së bukurës, pra është treguar kujdes në ruajtjen e estetikës, themelore në veprën e artit.
Sopranoja Mariana Leka e personifikon me klasikun e zërit të saj, një farë pranvere simbolike. Po kështu aktori Bujar Asqeriu e kërkon me emocion “Homerin”, i cili herë del e herë fshihet në vepër duke ia lënë ndonjëherë vendin edhe Dritëroit, si për t’iu thënë shqiptarëve se edhe ne kemi homërët tanë.
Nuk di për ç’arsye e ka përfshirë kompozitori o-inë e famshme labe brenda veprës, apo cyrlen dyjare, apo gërrnetën e jugut.
Ndoshta ka dashur të thotë se fillimi i “Loteut”, kalendarit të stinëve, është Pellazgjia, e posaçërisht Dodona. Shpirtërisht i them kujtdo që e lexon këtë shkrim, se duhet ta dëgjojë patjetër “Loteun e stinëve” të Aleksandër Peçit, dhe pastaj do të ketë mundësinë ta provojë vetë, se kompozitorët shqiptarë nuk janë aspak krijues të një vendi të vogël, por përkundrazi, janë:
….”Një tast, në pianon universale të muzikës!
Blerina Shalari!
17.6.2024.@