Emergjenca 5-6 orëshe e zjarrit gjatë pasdites të së Premtes 14 Qershor në Shkodër zbuloi një dobësi të pafalshme e pushtetit qendror. Vonesa e autoriteteve, siguria publike dhe shëndeti i njerëzve ishin në rrezik.
Sa turp?
Sa tragjike ngjarja mes skamjes së një popullsie të varfër që mbijeton dhe mbathet me punën që del nga tregu i veshjeve të përdorura.
Sa turp dhe sa keq kur jeta mund të humbasë nga sa ndihma nuk vjen sepse mjetet nuk mundet të qarkullojnë mes rrugëve të ngushta.
Në cilat vendngjarje ndodheshin të paktën Ministrat e Brendëshëm dhe të Mbrojtjes (Balla e Peleshi), dhe sa shpresë sigurie dhe humanizmi këta ministra uniformash të rendit dhe të mbrojtjes dhe po kështu kjo qeveri i dhanë dje ndihmë qytetarëve të Shkodrës?
Kësaj i thonë me t’rujt Zoti, se shtet nuk ka!
Të gjithë qeveritarët dhe elita sot punët e shtetit i kanë të deleguara tek vartësit dhe sigurisht edhe përgjegjësitë e fajit apo të gabimeve që rrjedhin prej tyre. Duke i qendruar besnik monitorimit të lajmeve, një zjarr me përmasa të mëdha si ai i Lagjes “Perash” kthehet shpejtë në “breaking news” tek çdo kanal radio-tv që përpiqet të japë të rejat, por pas atij kapet fort propaganda zyrtare duke hedhur tym se gjoja po i përgjigjet nga të katërta anët emergjencës, por jo aty në vend ngjarje.
Në këtë rast propaganda e gadishmërisë së shtetit mungoi plotësisht. Ajo mungoi sepse pas disa orësh përballje me flakët dhe tymin në treg lëndimet njerëzore ishin të pakëta dhe fatmirësisht asnjë jetë e humbur, por dëmet materiale, pronat dhe rreth 25 shtëpi u dëmtuan nga zjarri prej disa orësh deri sa u arrit të vihej nën kontrroll në orët e vona të natës. Hetime po zhvillohen për të zbuluar shkaqet e zjarrit, por të shohësh si herë të tjera ministrat dhe shtetin pranë fatkeqësive të tilla sikurse herët e tjera kjo të lë për të dëshiruar dhe do të kuptosh se zjarrëfikset e Shkodrës dhe qyteteve për rreth deri e fqinjve të Malit të Zi mbërritën më shpejtë se policia dhe helikopterët e ministrisë së mbrojtjes.
Përse duhen përmendur këto mund të lindë pyetja?
Këto duhen përmendur fort sepse jeta dhe prona e qytetarëve janë në rrezik. Kryetari i Bashkisë Benet Beci dhe Prefektja Majlinda Angoni ishin drejtuesit e vetëm vendorë për disa orë pa asnjë përgjigjje nga gatishmëria e qeverisë.
Sa orë duhet që një thirrje telefoni të mbërrijë në veshin e shtetarit të duhur që të autorizojë operacionin e duhur?
Po kjo zgjati me orë të tëra.
E përsa dita e re vjen mes shkrumit dhe hirit në një lagje të Shkodrës, qytetarët duhet të kuptojnë se propaganda e qeverisjes së Rilindjes Socialiste nuk do reklamë të keqe për sezonin turistik dhe për futbollin evropian që do të rrëmbejë vemendjen e ditëve dhe muajve që do të vijnë. Kjo çoroditje i duhet ushqyer popullit që qeveria të vazhdojë performancën e paaftësisë dhe korrupsionit në të tjera nivele rekord.
Mjafton që t’ua tregojmë këtë përmes një shembulli të propagandës zyrtare që kryen ATSH në ditë të njëpasnjëshme. Në ditën e zjarrit mes Shkodrës, ballina e propagandës nuk ka ndonjë lajm. Nuk ka sepse burokratët i kanë mbyllur zyrat dhe sulmojnë larg drejt pushimeve të fundjavës. Më shpejtë të mbërrin një zjarrfikse nga Ulqini e fqinjit malazez se sa e një bashkie më në jug të Lezhës.
Është ATSH-ja që në këtë mënyrë dokumenton autoritetet vendore pas zjarrit rreth orës 18:55; “Vetë qytetarët, kanë ndërhyrë mes flakëve dhe shtëllungave të mëdha të tymit, për të shpëtuar njëri-tjetrin nga zjarri shkatërrimtar, ndërsa forcat zjarrfikëse, që mbërritën menjëherë në vendngjarje po punojnë për neutralizimin e flakëve”.
Dielli ende nuk kishte perënduar dhe kësaj emergjence ministrat e brendëshëm dhe të mbrojtjes i përgjigjen me shërndarjen e lajmit të marrjes së situatës nën kontrroll përmes postimeve në Facebook.
A ka njeri njohurinë dhe dijen që të na shpjegojë se çfarë përmbajnë këto fraza zëdhënësish dhe video të xhiruara për të na treguar se dy ministra të rëndësishëm në postet për sigurinë kombëtare janë kthyer në personazhe virtuale. Ata ndajnë pamje nga operacioni.
Ministri i Brendëshëm Balla:“Aktualisht janë 25 mjete zjarrfikëse nga Shkodra, Malësia e Madhe, Vau i Dejës, Puka, Lezha, Ulqini, Tivari. Gjithashtu edhe 110 forca zjarrfikëse; 30 ushtarë të Regjimentit Vau Dejës; 160 forca të Policisë së Shtetit; 3 ambulanca të urgjencës mjekësore me personel mjekësor dhe 1 helikopter Cugar i Ministrisë së Mbrojtjes vijojnë operacionin për fikjen e plotë të zjarrit”
Ministri i Mbrojtjes Peleshi: “…forcat në terren po punojnë për normalizimin e situatës për të izoluar edhe vatrën e fundit. Gjithmonë në gatishmëri për të siguruar mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve” .
Të postosh në rrjetet sociale është njëra anë dhe të jesh në vendngjarje për mbrojtjen civile është ana tjetër që quhet përgjegjshmëri dhe shërbim me ndërgjegje për shtetasit që ju kanë zgjedhur “ministra të nderuar”.
Kur propaganda mbulon, mashtron dhe gënjen sy për sy dhe qeveritarët janë kthyer prej kohësh të kudondodhur prej realitetit virtual nga turizmi në peizazhet e natyrës, sa në evropianin e futbbollit apo diku tjetër veç jashtë Shqipërie, qytetarët kanë arritur mirë të kuptojnë se përse bie zjarr. Përse digjen plehërat dhe ndoten uji dhe ajri. Përse dikujt nga elita i dalin paratë të fluturojë dhe të shijojë botën pa punuar dhe përse qytetarëve të skamur dhe varfër si të Shkodrës u mjaftojnë të punojnë dhe të mbathen nga tregu i rrobave të përdorura, një cilësi jete që prej zjarrit e kanë humbur edhe atë tashmë.
Ky ishte realiteti i emergjencës së Lagjes “Perash”.
E ndërsa qytetarët dhe zjarrfiksit i përballuan flakët dhe pak media mundën të përcillnin lajm të parë dhe kryesor fatkeqësinë, media zyrtare dhe ato pranë qeverisë prej shumë orësh nuk e ndien emergjencën dhe “breaking news”.
Një lajm i tillë dhe me kaq tym është reklama më e keqe për qeverinë.
15 Qershor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)