(Fotokopertinë nga Swiss Tourism)
Në qendër të vëmendjes së botës, më 15 dhe 16 qershor, ishte toponimi Bürgenstock (Byrgenshtok), fjalë e përbërë që shpjegon bukur relievin e këtij peizazhi. Për ne shqiptarët është më e lehtë ta kuptojmë nëse kemi parasysh Linin e Pogradecit, një gadishull në liqen. Pra, Bürgenstock është një gadishull malor me dalje në liqenin e Lucernës ose Liqenin e Katër Kantoneve (Uri, Schwyz, Unterwalden dhe Luzern), një nga më të bukurit në Zvicër dhe më të përmendurit në botë. Për shkak se është një bregliqen i thyer, duket sikur përbëhet nga fjorde të panumërta, të ngjashme me ato norvegjeze. Por ndryshe nga tokat e akullta nordike, kjo zonë është e bekuar me një klimë të butë, perfekte për t’u vizituar në çdo kohë të vitit, por ideale gjatë muajve të qetë të verës, kur aktiviteti në liqen dhe rreth liqenit lulëzon.
Bürgenstock është vërtet tani toponim ndër më të lakuarit në botë, sepse këtu mbahet Samiti i Paqes për Ukrainën me pjesëmarrjen e 100 të ftuarve shtetërorë nga bota, mes tyre 57 kryetarë shtetesh, në përpjekje për t’i dhënë shans paqes në Ukrainë dhe shpresë paqes në Evropë dhe në botë.
Por, nëse kërkon në google, do të shikosh se Bürgenstock, ky resort turistik në një sipërfaqe të kufizuar, është ndër më të lakuarit dhe ndër më të lavdëruarit në botë, krahas metropoleve më të famshme të turizmit.
Ka qenë më shumë se një zgjedhje politike, një zgjedhje poetike ky vend nga ideatorët dhe realizuesit zviceranë të kësaj konference për paqen në Ukrainë, sepse ndoshta askund tjetër nuk mund të ndihet semantika e paqes sa këtu.
Pse është kaq paqësor dhe paqendjellës Bürgenstock? Resorti e merr emrin nga mali me lartësi 1 128 metër mbi nivelin e detit. Që nga Shekulli XIX këtu ndodhet hoteli i madh qendër konferencash i njohur si Resorti Bürgenstock, 600 metër mbi liqenin e Lucernës.
Bürgenstock njihet edhe si Bürgenberg. Me emërtimin e fundit njihet nga kantoni Nidwalden dhe ka qenë për një periudhë të gjatë mollë sherri midis dy kantoneve, derisa, më 1378, një vendim i arbitrazhit, duke iu dhënë fund mosmarrëveshjes ndërkantonale për pronat. Më 1872, kompania Bucher & Durer hodhi themelet e kompleksit hotelier dhe zgjodhi si emër toponimin ekzistues Bürgenstock. Bucher & Durrer, dy zotërinj zviceranë obvaldas, hynë në histori si vizionarë të turizmit: kanë ndërtuar hotele në të gjithë botën, për të pritur dhe për të kënaqur turistët.
Rreth vitit 1900 emërtimi Bürgenstock u vendos si një term i përgjithshëm bisedor për të gjithë kreshtën malore. Bürgenstock shtrihet në një sipërfaqe 10 kilometër katrorë dhe është i rrethuar në veri, në lindje dhe në juglindje nga liqeni i Lucernës. Shpati verior bie pjerrët në liqen. Në fund të shpatit jugor është komuna Ennetbürgen, në fund të skajit perëndimor ndodhet komuna Stansstad.
Gjatë fundit të epokës së akullit, shkruajnë enciklopeditë, Bürgenstock u mbulua plotësisht nga një rrjedhë akulli që zbret nga Gotthard në ultësirat e Alpeve. Shenjat e gërryerjes të lëna nga akulli në gur gëlqeror gjenden edhe në lartësitë më të mëdha. Gurë të mëdhenj graniti që u transportuan nga akulli nga Gotthard, shpërndahen në të gjithë malin, si për shembull një ekzemplar i madh, i rrumbullakët 18 m3 në një shpat të pjerrët në rezervatin tokësor Allwägli, i cili më 1949 u muar nën mbrojtje si monument natyror. Pas regresionit të akullit, Bürgenstock ishte fillimisht një ishull në liqenin e Lucernës. Megjithatë, në rrjedhën e disa mijëra viteve, lumi Engelberger Aa mbushi zonën midis hyrjes së luginës Engelberger dhe Bürgenstock me sedimente, duke krijuar luginën e sotme të sheshtë midis vendbanimeve Ennetbürgen, Buochs, Stans dhe Stansstad.
***
Në faqet turistike të internetit, pothuaj në çdo gjuhë të botës, Bürgenstock është ndër më të përmendurit dhe mund të gjenden të dhëna të panumërta.
Përveç kompleksit hotelier, Bürgenstock ka edhe ashensorin më të lartë të Evropës në natyrë, ashensorin Hammetschwand, i cili lidh shtegun piktoresk të shkëmbit me pikën e favorshme Hammetschwand, hekurudhën e teleferikut Bürgenstock, e cila që nga viti 1888 ka marrë pasagjerë nga një skelë në liqenin e Lucernës deri te hotelet.
Kisha e Bürgenstock-ut, e themeluar më 1897, u bë e famshme në vitin 1954 kur aktorët Audrey Hepburn dhe Mel Ferrer u martuan këtu. Edhe Sophia Loren, Sean Connery dhe Charli Chaplin e zgjodhën këtë resort për vend pushimi. Bürgenstock shërbeu gjithashtu si një vend xhirimi për një nga më ikonë të të gjithë filmave Bond, Goldfinger. Resorti ka qenë gjithashtu vendi për disa konferenca të rëndësishme ndërkombëtare ndër vite. Është pak ta quash Bürgenstock-un ikonik; kjo pronë e madhe turistike me shumë hotele është e zhytur në aq shumë histori dhe magjepsje sa nuk është asgjë më pak se legjendare. Sot, Bürgenstock Resort Lake Lucerne është një nga vendpushimet më të mëdha në Evropë, i përhapur në 148 hektarë pyjorë dhe i përbërë nga Bürgenstock Hotel & Alpine Spa, Hotel Palace, Waldhotel Health & Medical Excellence and Spa, Taverna 1879, Grand Residential Suites dhe Lakeview Vila Rezidence.
Bürgenstock Resort Lake Lucerne është në thelb një qytet brenda qyteti. Dhe me komoditete të shumta ekskluzive si dyqane dhe butikë, një kinema, program për fëmijë, pishina, një kishëz historike dhe anije private me transport midis Lucernës dhe Kehrsitten ku mysafirët mund të eksplorojnë këto qytete simpatike, si dhe aktivitete të tilla si shëtitje të bollshme gjatë verës. ski alpin dhe heli-ski jashtë pistes në dimër, një fushë golfi alpine me 9 vrima, joga, tenis, ashensori historik Hammetschwand (siç e përmendëm, ashensori më i lartë në natyrë në Evropë) dhe një bollëk sportesh ujore në liqenin e Lucernës, turistëve nuk do t’iu mungojë asgjë, pa marrë parasysh sezonin. Mysafirët mund të vizitojnë gjithashtu fermat lokale ku mund të mjelin lopët dhe të mësojnë se si të prodhojnë djathë që mund të dërgohet në shtëpitë e tyre për ta shijuar si suvenir. Plus, me shërbimin e jashtëzakonshëm të personalizuar, ata do të kenë në majë të gishtave çdo luks zviceran.
Ka disa mënyra për të arritur në Bürgenstock. Përveç udhëtimit 30-minutësh me varkë nga Lucerna dhe udhëtimit me teleferik, turistët mund të zgjedhin të mbërrijnë thjesht me makinë, të marrin një avion privat për në Aeroportin Rajonal Buochs (afërsisht 7 milje larg), të zbresin me helikopter në një nga helioportet e shumtë rreth pronës së resortit, me fluturim në aeroportin ndërkombëtar të Zyrihut (afërsisht 50 milje larg), ose me tren (Stacioni Hekurudhor i Lucernës është afërsisht 7 milje larg).
***
Në orën 12:00 të së enjtes (13 qershor) hyri në fuqi zona e kuqe në Bürgenstock (Nidwalden), ku gjatë fundjavës po mbahet konferenca e paqes për Ukrainën, bënë të ditur mediat. Vetëm personat që posedojnë autorizim do të mund të parkojnë dhe qarkullojnë në zonë. Përafërsisht 430 banorët e Bürgenstock duhet të regjistroheshin në polici, duke marrë një dokument të posaçëm, të cilin duhet ta tregojnë në pikën e kontrollit. Të gjitha automjetet gjithashtu duhet të regjistrohen. Kontrollet e rrepta të hyrjes dhe daljes synojnë të garantojnë sigurinë e pjesëmarrësve në konferencë. Rreth 90 delegacione janë regjistruar për samitin e 15 dhe 16 qershorit. Zona e përjashtimit do të qëndrojë në vend deri në orën 18:00 të së hënës. Pavarësisht stemave, aktivitetet e banorëve të Bürgenstock janë të kufizuara. Autoritetet rekomandojnë të mos udhëtojnë jashtë shtigjeve dhe rrugëve të asfaltuara dhe të shtyjnë terminet jo urgjente. Çiklizmi, vrapimi dhe ecja janë të ndaluara.
Konferenca, sipas mikpritësve, synonte: të sigurojë një platformë për dialog “për mënyrat për të arritur paqen gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara”; “të promovojë kuptimin e përbashkët të një kuadri rregullator” dhe të përcaktojë një “udhërrëfyes” që përfshin palët në një proces paqeje. Zvicra, me të kaluarën e saj si ndërmjetëse, thjesht nuk mund të priste dhe konflikti në pragun e Evropës është ndezur tashmë prej 28 muajsh. “Ne guxojmë të flasim për paqen”, tha Ignazio Cassis në një konferencë për shtyp.
Gjatë periudhës përgatitore të konferencës, zyrtarët zviceranë ishin të përmbajtur rreth numrit të përfaqësuesve ndërkombëtarë që do t’i përgjigjeshin. Në fillim u raportua se mund të përgjigjeshin pozitivisht rreth 90 të ftuar. Më vonë u përmend shifra 90. Ndërsa në prag të konferencës u raportua se 100 përfaqësues ndërkombëtarë, midis të cilëve 57 kryetarë shtetesh, zëvendëskryeministra, ministra të Jashtëm, si dhe nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris.
Në Bürgenstock, për të përfaqësuar dy shtetet tona, ndodheshin edhe Presidentja e Kosovës zonja Vjosa Osmani dhe Presidenti i Shqipërisë zotëri Bajram Begaj. Dy shtetet tona firmosën deklaratën përfundimtare për paqen që doli nga kjo konferencë.
Rreth 4 000 anëtarë të Forcave të Armatosura të Zvicrës në detyrë për të garantuar sigurinë
Kur flet për një samit të kësaj rëndësie e të këtij niveli të lartë nuk mund të mos flasësh për masat e sigurisë, kur pjesmarrja arrin rreth 900 vetë. Forcat e Armatosura të Zvicrës mbështetën masat e sigurisë për samitin duke vendosur deri në 4 000 personel ushtarak për të ofruar shërbime ndihmëse. Ata do të mbronin infrastrukturën e rëndësishme dhe kritike, do të ofronin transport ajror, zbulim ajror, si dhe operacione ajrore, do të kryenin mbikëqyrje dhe ndërhyrje në liqen, si dhe mbështetje logjistike dhe komanduese. Shërbimet logjistike të forcave të armatosura përfshinë rreth 6.5 km gardhe dhe 8 km tela çeliku, rreth 100 automjete për policinë dhe automjete speciale shtesë për transportin e personave të mbrojtur sipas ligjit ndërkombëtar, rreth 2 km pistë dhe pajisje të ndryshme ndriçimi. Forca ajrore përforcuan shërbimin e saj të policisë ajrore dhe ofruan mbikëqyrje të avancuar ajrore dhe transport ajror për personat e mbrojtur sipas ligjit ndërkombëtar. Forcat e armatosura ngritur një heliport në Obbürgen NW për operacionet e tyre. Pesë helikopterë mund të ngriheshin dhe të uleshin këtu.
Në një lajm nga Zyra Federale për Sigurinë Kibernetike bëhet e ditur se faqet e internetit të autoriteteve dhe organizatave të përfshira në konferencë ishin shënjestruar nga hakerat pro-rusë. Të gjitha sulmet u zbrapsën në mënyrë të menjëhershme. Kjo zyrë, në funksion të konferencës së nivelit të lartë në Kantonin e Nidwalden, ishte përgatitur paraprakisht duke koordinuar rreth njëqind specialistë kombëtarë dhe kantonalë. Pak para, gjatë dhe për një periudhë të shkurtër pas samitit, disa incidente ndodhën në hapësirën kibernetike zvicerane, duke përfshirë, ndër të tjera, sulme të mbingarkesës ndaj faqeve të internetit të autoriteteve dhe organizatave të përfshira në konferencë. Është konstatuar, thuhet në deklaratë, se këto sulme janë kryer nga grupi prorus i quajtur NoName057(16). U regjistruan gjithashtu përpjekje për të hakeruar sistemet e IT-së të kantoneve Nidwalden dhe Obwalden dhe sulme phishing kundër punonjësve të qendrës së thirrjeve emergjente në Lucernë.
****
Misioni i paqësor i Bürgenstockut, këtij këndi ndoshta më paqësor në botë, megjithatë nuk ka mbaruar. Ignazio Cassis në intervistat e tij në kuadrin e konferencës foli për një konferencë të dytë, e cila, siç nënvizoi kryediplomati zviceran, do të mbahet me pjesëmarrje të plotë, çka nënkupton palën që nuk është ftuar kësaj here. Edhe presidentja Viola Amherd përsëriti gatishmërinë e Zvicrës për një konferencë tjetër, ku të marrin pjesë edhe vendet që munguan në Bürgenstock.
Ndërsa presidenti ukrainas, duke iu përgjigjur pyetjes së Wall Street Journal rreth mundësisë që Rusia të marrë pjesë në një konferencë të dytë, theksoi: “Nëse Rusia merr pjesë në një konferencë të dytë, do të thotë se ka vendosur t’i japë fund luftës ose sepse është shtrënguar ta bëjë këtë nga bota e tërë.” I pyetur rreth mungesës së Kinës, ai është përgjigjur se Ukraina ka vetëm një armik dhe ai është Rusia. Gjithashtu ka ripohuar se nuk mund të ketë paqe pa integritetin e territorit ukrainas. Zelensky ishte ideatori i parë i konferencës në Bürgenstock, ai është gjithashtu edhe ideator për konferencën tjetër dhe për këtë është sërish i mirëkuptuar nga Zvicra. Ndër problemet më të mprehta dhe më urgjente për t’u zgjidhur në kontekstin e luftës në Ukrainë janë lundrimi i lirë dhe i plotë në portet e Detit Azov dhe Detit të Zi, çka garanton sigurinë ushqimore dhe kthimin në Atdhé të 20 000 fëmijëve ukrainas të cilat janë rrëmbyer dhe dërguar në Rusi.
Mediat zvicerane, me krenari të ligjshme, sollën në kujtesë se tradita zvicerane diplomacisë së paqes mbush në tetor 99 vjet dhe hyn në vitin e 100-të. Atëbotë, prej 5 deri më 16 tetor 2025, u mbajt në Locarno (Lokarno) në Palazzo del Pretorio, Konferenca e Paqes, që u finalizua me Marrëveshjet e Lokarnos. Pas Luftës së Parë Botërore, rivendosja e paqes ishte përparësi absolute. Traktati i Paqes vuri bazat e paqes, por shumë vende nuk i pranonin. Për të ndrequr mangësitë e Versajës, do të ndodhte Lokarno, duke iu shërbyer ekuilibreve të reja, sidomos atyre mes fitueseve dhe humbësve.
Prej asaj date roli i Zvicrës në skenën e diplomacisë botërore për paqen ka njohur akte të tjera nga më shembulloret.
***
Në orën 11.00 të së dielës (16 qershor) në kantonin e Nidvaldit kanë rënë për 8 minuta rresht kambanat e paqes. Kishat kanë dashur të shprehin shqetësimin e tyre për luftën në Ukrainë dhe të kërkojnë një bashkëjetesë paqësore.