Esat Pasha modern i Shqipërisë ishte në Prishtinë, i ftuar në një aktivitet me titull “Rugova dhe Perëndimi”, ku u bënë disa kumtesa edhe për Dr. Ibrahim Rugovën me rastin e 25-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s.
Nuk e di statusin e ftesës e tij, si piktor, si kritik arti apo si kryeministër i Shqipërisë, po të mos harrojmë se ai është edhe miku i ngushtë i zemrës së Aleksandër Vuçiçit, gjithashtu dhe kryeministri i një shteti shqiptar, që i vuri sanksione i pari Kosovës rreth një vit më parë në kundërshtim flagrant me vullnetin e popullit të tij.
Pjesëmarrja e këtij zuzari duhej të bëhej sensacion për të gjitha këto arsye, por sidomos për fjalimin e tij vlerësues për Ibrahim Rugovën.
Të fliste Edi Rama për Ibrahim Rugovën me fjalë të bukura, kur nga goja e tij kishte zbrazur vetë acid për Rugovën, kjo duhej të ishte e pamundur. Për Ibrahim Rugovën në kohën e tij, ai s’kishte pasur asgjë për të thënë përveç helmit.
Për njerëzit ai flet vetëm kur kanë lidhje me pushtetin e tij, vartësinë ose konjukturat që kanë lidhje me të.
“Ç’ekziston, ai e kthen në rrënojë – jo për hir të rrënojës, por për hir të rrugës që të çon deri atje”. A thua vërtet kjo të nis me rrugë të keqe për të menduar se si e realizoi ai progresin?!
Ai ishte më gënjeshtar se kurrë. Adhurimi dhe vlerësim për një figurë të kombit shqiptarë që kishte neveri t’ia zinte emrin në gojë?! Sepse nuk mund të prekte dot as majën e atyre që kishte parë në ëndrrat e tij prej atyre që kishte bërë Rugova.
Kjo është një pastërma që nuk vihet në gojë se të helmon.
Ia do puna sigurisht, që të përdorë fabulën e Nastradinit me bistakun e rrushit, i cili e urinoi fillimisht, pastaj iu kthye një nga një kokrrave të rrushit. Janë episode të gjirizit të tij politik.
Ai ka 30 vjet me radhë që Ibrahim Rugovën e vështronte shtrëmbër dhe me zili. Nuk foli kurrë mirë për të, jo vetëm si figurë publike, por as si kryeministër.
Rugova ishte nga ata njerëz, që për ne shqiptarët solli një diell të ri rrezatues në këto kohë moderne. Por Rugova i zinte diellin në fantazinë e egoizmit të tij të tmerrshëm.
Dikur me Hashim Thaçin dhe të tjerë donte ta zhbënte atë që kishte krijuar Rugova me Fehmi Aganin dhe luftëtarët e tjerë të UÇK- së.
Koha po e rivlerëson Rugovën dhe po e kthen tek dashuria e shqiptarëve me vizionin e madh paqësor që pati mes furtunave të përgjakshme të Milosheviçit dhe mikut të tij Aleksandër Vuçiç .
Në Prishtinë ai shkoi të thoshte disa fjalë për Rugovën. Dhe e quajti Rugovën një njeri të jashtëzakonshëm me vullnet që çante gurin.
“Hapu dhe’, të futem!” – thoshte gjyshja ime kur dëgjonte ndonjë të pathënë, si këto ndodhitë me episode kameleonësh të Edi Ramës. “Hapu dhe’, se nuk kam ku të futem!” – përsëriste gjyshja ime labe kur dëgjonte ndonjë të pabërë vaki më parë, si këto që po ndodhin me kryeministrin tonë autokrat poshtë e lart Shqipërisë, poshtë e lart Kosovës, por sidomos në Beograd e përpjetë.
Por gjyshja ime nuk ishte njëherë nga Mirdita, njëherë nga Shkodra, njëherë nga Durrësi, njëherë katolike, njëherë ortodokse etj . Ishte vetëm ajo që ishte: një grua e thjeshtë labe ga një fshat i jugut të Shqipërisë dhe kishte vetëm atë besim që ishte midis islamit dhe krishtërimit dhe atë që thoshte e thoshte vërtet dhe ato që citoj i parkasin mençurisë së saj, edhe pse jetonte ndershmërisht në anonimatin e saj.
Të rikthehesh tek Rugova me një pasion të shtirur, siç bëri Edi Rama i tridhjetë e ca viteve të duket jo vetëm e pabesueshme, por të duket se qielli kërkon të përplaset tokën.
Histori të tilla, elita intelektuale e majtë ose e djathtë, nuk i kapërcen dot.
Histori të tilla të bëjnë të ndalesh në rrugë për pabesueshmërinë e tyre të pakapërcyeshme. Por autokratit i ka ndodhur diçka në qenien e tij në raport me zullumet që ka bërë, se kjo nuk është punë reflektimi, mbasi ai ka provuar se urren çdokënd në këtë botë dhe çdo gjë që bën, mendon të ushqejë përjetësinë e pushtetit.
Të jetë kjo sjellje, një progres i piktorit, në vlerësimin si vendimmarrës autoritarist, kthimi i syve të mendjes te Dr. Ibrahim Rugova i sotëm, që në fakt nuk ekziston në mbresat dhe kujtimin e tij?
Unë jam i bindur se jo. Ai nuk është provuar kurrë në asnjë rast se ka një ndjeshmëri vlerësimi për njerëzit që punojnë, që krijojnë, që shkruajnë dhe bëjnë vepra për kombin.
Nuk e di nëse mund të ketë thënë ndonjëherë për një njeri në jetë se “ky është punëtor”. Vlerësimi për njerëzit atë e vret dhe nuk mund ta bëjë kurrë.
Vetëm kur bëhet fjalë për pushtetin ai ngrihet në këmbë dhe çfarë nuk bën. Pushteti është vrima e zezë ku ai rrotullon dhe vërtit çdo interes.
Fjalët e Edi Ramës në Prishtinë për Rugovën ishin jargë.