E vetmja temë që i bën karshillëk bujës së hetimeve të SPAK-ut sot janë lajmet e panumërta për “mrekullinë” turistike, ku sipas qeverisë, vitin e kaluar na kanë nderuar plot 10.1 milionë turistë. Megjithatë, ekonomia jonë duket se nuk është në dijeni të këtij “bekimi” turistik. Në vend që të përjetojmë një bum ekonomik për shkak të këtij hovi, të dhënat zyrtare demaskojnë propagandën e qeverisë, duke demonstruar një ekonomi që mezi lëviz.
Me sa duket, qenkemi fatkeqë dhe të “huajt tinëzarë” që po na vizitojnë qenkan turistë të mistershëm, të cilët janë mjeshtra në artin e udhëtimit pa lënë asnjë gjurmë në ekonominë tonë. Kur përpiqemi të gjejmë impaktin ekonomik të këtyre miliona turistëve, me të cilët qeveria krenohet anembanë botës, është njësoj si të kërkosh ujë në shkretëtirë: nuk ka asnjë shenjë domethënëse të ndikimit të tyre.
Në vend që të sjellin begati, këta miliona turistë të padukshëm duket se kanë zgjedhur të mos shpenzojnë asgjë dhe madje të mos flenë fare. Le të zhytemi në këtë komedi të absurdit dhe të zbulojmë ku fshihet e vërteta pas këtij bumi imagjinar turistik, duke bërë një analizë hulumtuese.
Në kërkime rigoroze shkencore në përdorim triangulimin, i cili nënkupton përdorimin e metodave, burimeve të të dhënave apo teorive të ndryshme për të testuar besueshmërinë apo vlefshmërinë e rezultateve. Ashtu si një grup detektivësh që bëjnë hetimet e tyre nga kënde të ndryshme për të zgjidhur një mister, triangulimi përdor metoda dhe burime të ndryshme për të vërtetuar një tezë.
Në rastin tonë, për të shqyrtuar e vërtetuar nëse vendi ynë ka pasur apo jo me të vërtetë 10.1 milionë turistë të huaj, do ishte mirë të shikojmë disa të dhëna alternative sikurse janë pasojat e shkaktuara në ekonominë tonë, numri i fjetjeve, kapacitetet tona për të pritur gjithë këtë numër të madh si dhe vendet e origjinës nga vijnë për të dalluar turistët e vërtetë që vijnë në Shqipëri për të eksploruar e pushuar nga bashkëkombësit tanë që kanë shtetësi të huaj e kthehen në gjirin e familjes. Kur flitet për zhvillim të vrullshëm të turizmit dhe miliona turistë të huaj, mendja menjëherë të shkon tek impakti ekonomik begatues që do duhej të vinte për pasojë. Mirëpo aty INSTAT-i nxjerr të palarat duke vënë në dukje se kjo magji e turizmit shqiptar nuk ka lënë gjurmë domethënëse në ekonomi.
Sipas INSTAT-it, për vitin 2023, rritja ekonomike e vendit ishte vetëm 3.44%, pra goxha më e vogël se ajo e vitit pararendës 2022, kur patëm një rritje prej 4.84%. Këtu, është mirë të analizojmë se sipas INSTAT-it, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2022 është 7.5 milionë, duke u rritur me 32,6%, në krahasim me vitin 2021 ndërsa në 2023 shkoi 10.1 milionë ose 34% më shumë nga viti pararendës. Kryeministri Rama proklamonte triumfalisht në 2022 se atë vit turizmi përbënte 17% të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 4% që ishte para rotacionit.
Pra, nëse hipotetikisht llogarisim këtë shtim të hovshëm prej 34% të turizmit në vitin 2023 (dhe sikur të merrnim të gjitha të dhënat të tjera të pandryshuara) do duhej që rritja e PBB-së prej turizmit “të shpërthyer” të shkonte 5.78% (17% x 0.34)
Mirëpo realisht kemi pasur një rritje modeste prej vetëm 3.4% dhe ai kryesisht falë fluskës së shtuar të ndërtimeve. Kjo do të thotë se milionat e shtuar të vizitorëve të huaj i kanë parë me gjasa policët kufitarë dhe sportelistët e “Kastratit” në aeroport apo te trau i autostradës së kombit, sepse kamerierët, shitësit dhe recepsionistët e hoteleve nuk i kanë parë hiç.
Prapë në vijim të analizës së pasojave ekonomike, me logjikën “ku ka tym ka zjarr”, pritet që shtimi masiv i disa miliona turistëve do të shtojë edhe konsumin në vend, se fundja jo të gjithë vizitorët e huaj vijnë me “bukë me vete”. Mirëpo ardhja masive e pretenduar e turistëve të huaj rezulton se nuk pati efekt të lartë tek konsumi final. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023, konsumi i popullatës u rrit zbehtë me vetëm 2.96% (nga 7.37% rritje të vitit të mëparshëm), duke shënuar nivelet më të ulëta, që nga koha e pandemisë.
Gjithashtu, gjatë vitit të kaluar, BIRN-i nxori në pah se paradoksalisht, ndërkohë që rritej numri i vizitorëve të huaj, kishte një rënie të ndjeshme të konsumit të rrymës elektrike. Në gjithë botën shtimi me miliona i numrit të turistëve do të duhej të çonte në shtim me miliona të kilovatorëve të harxhuar në vend për ajër të kondicionuar, larje, gatim etj..
Në vazhdim të qasjes së triangulimit, shohim një tjetër fakt që e nxjerr lakuriq propagandën shtetërore dhe që është raporti mes numrit të turistëve të huaj, që pretendohet se janë futur në Shqipëri dhe numrit të fjetjeve. Në Shqipëri raportohet se janë futur 10.1 milionë turistë të huaj, por janë bërë vetëm 6 milionë fjetje. Duket se turistët tanë preferojnë të flenë në qiell të hapur duke numëruar yjet, ndryshe nga ata që shkojnë në Mal të Zi dhe Kroaci, që duket se kanë nevojë për një shtrat. Institutet respektive shtetërore statistikore tregojnë se në Mal të Zi, në vitin 2023, pati 2.6 milionë mbërritje nga jashtë dhe 16.3 milionë netqëndrimi (6.2 netfjetje për vizitor) ndërsa në Kroaci pati 20.6 milionë vizitorë dhe 108 milionë netqëndrimi (5.2 natë për vizitor). Kjo dëshmon më së miri që pjesa më e madhe e atyre të raportuar me shtetësi të huaj që janë futur në Shqipëri ose kanë fjetur në shtëpitë e tyre sepse janë vendës, ose kanë kaluar transit nëpër vendin tonë brenda ditës, pa u ndalur për të fjetur.
Për të kuptuar sa farsë është historia e 10.1 milionë turistëve, mjafton të shikojmë kapacitetet akomoduese të Shqipërisë. Sipas INSTAT-it në gjithë vendin ka pasur 1580 struktura akomoduese (hotele, motele, kampe, bujtina, streha malore dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra) që vënë në dispozicion rreth 48 mijë dhoma dhe rreth 109 mijë shtretër. Platforma “AirBnb” e akomodimit familjar nuk sjell ndonjë ofertë të madhe dhe nuk bën ndonjë diferencë sepse sipas të dhënave të “AirDNA”, në Shqipëri ka 15512 prona për akomodim që kanë gjeneruar diku te 53.8 milionë USD xhiro në 2023.
Kroacia në vitin e kaluar kishte 438 mijë dhoma të disponueshme për turistët me një total prej 1.2 milionë shtretër të përhershëm. Pra, formalisht i bie të ketë 10 herë më shumë shtretër për të pritur vetëm 2 herë më shumë turistë se Shqipëria. Fryrjen e shifrave të qeverisë e tregon edhe rasti i Antalias, që është aq shumë e preferuar për udhëtarët shqiptarë. Vitin e kaluar ky rajon mesdhetar me 600 kilometra bregdet arriti rekordin e vet, duke pritur 15.5 milionë turistë (50% më shumë se shifra e Shqipërisë), ndërkohë që ka një kapacitet prej 640 mijë shtretërve (6 herë më shumë se Shqipëria), ndër të cilët 400 mijë janë në hotele me 5 yje.
Me pak fjalë, sikur pjesa më e madhe e 10.1 milionë shtetasve të huaj që kanë kaluar kufirin për Shqipëri vitin e huaj, të mos ishin bashkatdhetarë që ktheheshin në shtëpitë e tyre apo që tranzitojnë nëpër territorin tonë, por të ishin turistë të mirëfilltë që duan të pushojnë disa ditë tek ne, ne faktikisht nuk do të kishim kapacitete se ku t’i mbanim me akomodim këto numra kaq të mëdhenj.
Për më tepër, analiza e vendeve të origjinës së “turistëve të huaj” na e sqaron akoma më mirë se sa i vërtetë është bumi turistik shqiptar. Sikurse e vë në dukje me të drejtë studimi i UNDP-së me titull “Turizmi dhe Mikpritja në Shqipëri 2022: Një vlerësim i trendeve dhe performancës së turizmit”, më shumë se 70% e atyre “të huajve” që futen zakonisht në Shqipëri janë bashkëkombës shqiptarë, ose nga rajoni (Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës në Serbi) ose nga mërgata (Italia, Greqia, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania etj.).
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit lidhur me statistikat e turizmit tregojnë se në vendin tonë vitin e shkuar kanë hyrë rreth 4.4 milionë qytetarë të Kosovës. Kjo shifër tregon qartë jo vetëm për dominimin e turizmit patriotik dhe zotërimit të pronave në Shqipëri prej kosovarëve (të cilët i vizitojnë rregullisht nëpër fundjava), por edhe për një numër të madh udhëtarësh kosovarë transit, të cilët futen nëpër Shqipëri për të udhëtuar drejt Perëndimit, qoftë duke vijuar për Mal të Zi apo Itali me traget e qoftë duke shfrytëzuar linjat e shumta ajrore me çmime të ulëta që udhëtojnë prej Rinasit.
E njëjta mund të thuhet për një pjesë të mirë të 745 776 shtetasve të Maqedonisë së Veriut, 101 949 shtetas të Serbisë, apo 636 962 të Malit të Zi që janë raportuar se kanë hyrë vjet. Për Malin e Zi duhet bërë njëfarë diference se aty një pjesë e mirë nuk janë detyrimisht shqiptarë, por edhe të kombësive të tjera të këtij shteti që vijnë për dy arsye të tjera. Së pari, për të shfrytëzuar linjat e lira të Rinasit (fundja Rinasi është vetëm 140 km larg Podgoricës) por së dyti, është shtuar numri i malazezëve që vijnë e ikin në Shkodër e rrethina brenda ditës së diel, duke qenë se me ligj në vendin e tyre të gjitha lokalet e dyqanet janë të mbyllura të dielave.
Gjithashtu, kur shikohen vendet e tjera të origjinës, prapë duket qartë se sipas të gjitha gjasave dominojnë bashkëkombësit tanë shqiptarë që kanë shtetësi të vendeve të Evropës. Në plan të parë është Italia me 950 955 mbërritje, ndërkohë që sipas ISTAT-it italian, numri i shqiptarëve që kanë marrë shtetësi italiane në tri dekada emigracion është 230 mijë (me gjasa numri është edhe më i madh po të shtohen fëmijët e tyre që kanë lindur në Itali e janë me dyshtetësi).
Besoj se e njëjta analizë për kombësinë e vizitorëve vlen edhe për 667 565 shtetasit grekë që janë raportuar se kanë hyrë në Shqipëri më 2023. Me të njëjtën logjikë mund të identifikohen si diasporë shqiptare me origjinë nga Kosova dhe ish-republikat e tjera jugosllave edhe te qindra mijëra hyrje në territorin e Shqipërisë prej shtetasve të Gjermanisë, Zvicrës apo shteteve të Skandinavisë.
Unë besoj se kontribuuesi kryesor i shtimit të numrit të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rritja e lidhjeve ajrore të Rinasit nëpërmjet kompanive me kosto të ulët si “Wizzair”, “Ryanair”, “Eurowings” apo “Transavia”, të cilët e kanë çuar numrin e pasagjerëve të këtij aeroporti në 7.2 milionë. Rinasi sot ka mesatarisht 94 fluturime çdo ditë drejt 91 destinacioneve pa ndalesë në 25 vende, ndërkohë që në 2019 kishte vetëm 36 destinacione dhe 3.8 milionë pasagjerë. Nëse imagjinojmë një shqiptar me shtetësi të huaj nga Ulqini, Prizreni apo Struga, që ka kapur një biletë të lirë vajtje-ardhje nga Rinasi, duhet pasur parasysh që në përllogaritjet tona kufitare qeveritare, ai rezulton dy herë në regjistrin e turistëve për çdo udhëtim.
Njëherë pasi ka kaluar kufirin për të hyrë në Shqipëri dhe njëherë tjetër në Rinas pas fluturimit të kthimit. Falë numrit të madh të destinacioneve të linjave të lira, madje ka edhe një numër në rritje udhëtarësh të huaj transit që vijnë te ne fare kalimthi, sepse e kanë Rinasin si ndalesë të përkohshme të ndërmjetme të kombinuar me një fluturim drejt një destinacioni tjetër final me fluturim “low-cost”.
Faktori i dytë i shtimit të hyrjeve lidhet disi me të parin, e ka të bëjë padyshim me përmasat e alarmante që ka marrë emigracioni ynë. Sipas Eurostatit, në periudhën 2002-‘22 ka pasur 604 mijë shtetas të Shqipërisë (22% e popullsisë zyrtare që kemi sot) që janë pajisur me pasaportë të një shtetit të Bashkimit Europian. Vetëm në vitin 2022, e kanë marrë shtetësinë në një vendi të BE-së 50 mijë shtetas të Shqipërisë, duke u renditur të tretët në Europë, pas marokenëve dhe sirianëve (Italia dha 75.8 % të shtetësive, Greqia 19.2%, Suedia 1.2% etj.). Ulja e kostos së transportit falë fluturimeve të lira, por edhe falë përmirësimit të cilësisë së rrugëve, ka bërë që ata të vijnë më dendur për të takuar të afërmit që iu kanë ngelur në vendlindje.
Pa dashur të tingëlloj nihilist, më duhet ta pranoj që faktet janë kokëforta dhe se rritje graduale të numrit të pushuesve të huaj ka pasur, por rritja është e zbehtë dhe shumë larg asaj mrekullie masive që është trumbetuar gjithë pompozitet nga qeveria dhe grupet e interesit rrotull saj. Pra, rritja reale e vizitorëve që vijnë për të pushuar apo eksploruar vendin ka distancë shumë të madhe prej panoramës së lavdishme që përpiqet të pikturojë kryeministri piktor. Përtej bashkëkombësve nga trungu etnik dhe nga diaspora, që zënë pjesën dërrmuese të shtetasve të huaj që futen, Shqipëria mund të thuhet se ka përjetuar një rritje të qëndrueshme të turistëve nga Europa Lindore, si Polonia, Çekia dhe Ukraina. Së fundmi ka nisur edhe me qytetarë nga vende të tjera evropiane me të ardhura të larta, si Spanja, Belgjika, Holanda etj.. Ama këtu nuk bëhet fjalë për shtim me disa miliona, por me qindra mijëra.
Së fundmi, kjo temë padyshim meriton thellim të mëtejshëm e nuk mund të shterohet me një artikull të vetëm, sado të gjatë. Ajo që vlen të theksohet në përmbyllje është se kjo qeveri ka interes ta pompojë në maksimum idenë e “kampionit” të turizmit, si një arritje të sajën, sidomos tani që po futemi në një vit elektoral. Asaj i intereson ta ushqejë përrallën e “marshimit të turizmit” edhe për të furnizuar sektorin e ndërtimit, i cili sjell jo vetëm taksa për shtetin, por edhe përbën një burim të majmë ryshfetesh si dhe një destinacion të favorshëm për pastrimin e parave të krimit e korrupsionit. Ky “sukses” i nevojitet gjithashtu edhe për të fshehur dështimet në të gjitha sektorët e ekonomisë e shërbimeve publike, braktisjen masive të vendit dhe skandalet e panumërta. Kjo përpjekje e propagandës së qeverisë është amplifikuar akoma më shumë prej mediave të Shqipërisë, që zotërohen kryesisht nga ndërtues. Këta të fundit kuptohet që kanë natyrshëm interes që ta sheqerosin këtë iluzionin e hovit turistik të Shqipërisë sepse ashtu shesin më shumë apartamente. gsh