Kur Pandeli Majkos filloi turin e tij në Perëndim, posa ishte emëruar ministër i Diasporës, më 12 Prill 2018 botova një opinionin tim tek Voal.ch dhe gazeta online Dielli, ku shprehja shqetësimin se Edvin Rama po klientelizonte diasporën. Titulli i opinionit qe “Pandeli Majko, larg duart nga diaspora”
Ky opinion është shkruar gjashtë vjet më parë.
Frikërat e mia, që kam shprehur aty, janë vërtetuar të gjitha.
Prej kur Edvin Rama krijoi ministrinë e Diasporës, u përqendrua tek burimet njerëzore militante të komunitetit shqiptar në Perëndim, duke i gratifikuar me ndere e financime me mbështetjen direkte të qeverisë, për të qenë në shërbim klientelist të kryeministrit të narkoshtetit. Kjo ministri u krijua me inisiativën e Edvin Ramës në mandatin e dytë, pra prej 2017 deri më 2021, nga ku vareshin pesë hallka: Këshilli Koordinues i Diasporës, Agjencia Kombëtare e Diasporës, Qendra e Publikimit të Diasporës, Fondi i Zhvillimit të Diasporës, Dhoma e Biznesit në Diasporë. Që do të thotë miliona Euro fonde e financime, me koperturën demagogjike ‘kujdes për diasporën’. Në fakt është mbështetje për njerëzit e Edvin Ramës në diasporë dhe luftë e kamufluar diasporës e shtypit të lirë në diasporë.
Në mandatin e tretë, po me inisiativën e Edvin Ramës, kjo ministri u suprimua, por jo hallkat që mbetën direkt në varësinë e kryeministrit. Gjithmonë flasim për fonde e financime që favorizojnë njerëzit e Edvin Ramës në diasporë nën petkun institucional, por pa asnjë lloj transparence dhe sidomos për ta çoroditur, përçarë Diasporën dhe mbyllur gojën gazetarëve profesionistë.
Kur botova shkrimin për Pandeli Majkon (dhe kam një seri shkrimesh me këtë temë), nuk kishte shpërthyer skandali McGonigal, por fenomeni ishte i qartë që, për interes të zgjatjes së pushtetit të Edvin Ramës, po personalizohej diaspora me instrumentat e favorizuar direkt nga kryeministri, nga portalet dhe TV shtetëror i Tiranës, një portavoce i regjimit – po injorohej dhe përjashtohej përfaqësimi i Diasporës reale që pastaj të penetrohej me njerëzit e Edvin Ramës në institucionet e vendeve Perëndimore. Ka investuar shumë. Për ta shkatërruar unitetin e komunitetit të Diasporës, rreth 3 milionë, tashmë qytetarë e shtetas të BE-së, SHBA-ve dhe Perëndimit me meritat e punën e vet të ndershme.
Edhe portali Diaspora Shqiptare që e drejton një ish këshilltare e Pandeli Majkos, kur ky ishte ministër i Diasporës, në këtë kuadër u krijua, që të varrosë gazetarinë e pavarur profesioniste dhe po ashtu zërin e Diasporës.
Asnjëherë gazetaria investigative e Tiranës nuk ka hyrë të shohë se si shpërndahen fondet për diasporën, se ku shkojnë fondet që ndan qeveria për Diasporën apo ato që Perëndimi i jep si mbështetje me destinacion Diasporën.
Kam shprehur publikisht përmes opinioneve se Edvin Rama po synon ta kthejë diasporën një copy paste të asaj që ka krijuar në Shqipëri! Informalitet, nepotizën, favoritizëm militant, klinetelizëm, patronazhizëm, lidhje me krimin e organizuar deri tek narkoshteti. Në objektiv ka zyrat Perëndimore në Tiranë dhe Perëndimin, përmes kompromentimit, favoritizmave për të afruar njerëz me influencë, zyrtarë të lartë dhe institucione në Perëndim.
Prej 11 viteve regjimi i tij i narkoshtetit e ka shpopulluar Shqipërinë me 1 milionë banorë.
Tani unë po parashtroj një pyetje dramatike. Ne ikëm nga Atdheu, fëmijët i morëm të vegjël me vete dhe i lindëm në Perëndim, po tani që Edvin Rama po na ndjek me bandat e tij në diasporë, ku të shkojmë?!
Po nënvizoj diçka shumë esenciale. Si profesioniste, po fokusohem tek liria e shprehjes që është e ndaluar dhe nënkontrollin e Edvin Ramës jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë.
Edvin Rama i linçon gazetarët që e kritikojnë, e denoncojnë, që refuzojnë të bëhen vegla të tij. Nga ana tjetër përdor filtra të egra censure deri edhe në rrjetin social ku promovon e lançon njerëzit e vet, antikulturën, kulturën trash dhe amatorizmin si zhurmues për popullin e Facebook që sot, më tepër se kurrë, vuan nga apatia, indiferenca dhe konformizmi. Nga njëra anë varfëria është mjet shtypje, nga ana tjetër përfitimet e favorizimet. Jo më kot administrata publike sot ka arritur rreth 200 mijë vetë në një Shqipëri ku Edvin Rama nuk lejon publikimin e censusit, ku thuhet se popullsia sot varion nga 1.6 deri 1.9 milionë vetë.
Asnjëherë nuk pranoj të ndihem viktimë, paçka se kam 33 vjet që kërcënohem pa prâ. Kjo shkon paralelisht edhe me nivelin që ka sistemi demokratik në shtetet shqiptare. Kosova po shkon drejt forcimit të shtetit të së drejtës, ndërsa Shqipëria po forcon narkoshtetin. Edvin Rama ka një qasje të egër ndaj gazetarëve të pavarur, të cilët i lufton me të gjitha mjetet e shumta që ka në dorë, duke shpërdoruar pushtetin, sepse ai ndihet pronar i gjithë administratës, Shqipërisë, burimeve njerëzore deri edhe i diasporës.
Një mjet për t’i luftuar, kërcënuar e mbyllur gojën gazetarëve janë edhe gjyqet.
Si gazetare prej gati katër vitesh jam e akuzuar për shpifje! Pretenduesja, të cilën Edvin Rama e ka zgjedhur të përfaqësojë diasporën e Zvicrës në Këshillin Koordinues të Diasporës, që, në fakt, nuk e përfaqëson këtë diasporë, bën shpifjen më të madhe ndaj një botueseje, gazetareje, poeteshe dhe autore librash që ka mbi 33 vjet që lufton në mbrojtje të së vërtetës. Dërgimi i gazetarëve në gjyqe nën akuzën e shpifjes, sipas SLAPP, janë kërcënim ndaj lirisë së fjalës dhe në funksion të mbylljes së gojës, censurës dhe autocensurës.
Një gazetar profesionist nuk mund të shpifë. As unë nuk shpif kurrë. Kurrën e kurrës.
As si njeri, as si profesioniste!
Dhe përveç kësaj, jam besimtare e shtetit të së drejtës!
Besoj në drejtësinë e sistemit demokratik.
Nuk thotë më kot Buda se “Tri sende nuk mund të fshihen gjatë: dielli, hëna dhe e vërteta”.
Por, ndërsa i shkruaj këto rradhë, rreziku ndaj gazetarisë së pavarur është më i lartë se kurrë.
Unë po fokusohem tek gazetaria shqiptare.
Portalet që bëjnë gazetari profesioniste, të pavarur nga politika, nga oligarkët dhe mbajnë qendrime pro interesave kombëtare, pro Euro-Atlantike dhe kritikuese ndaj korrupsionit, nepotizmit, në mbrojtje të vlerave Perëndimore, janë të rrezikuar.
Rrezikojnë ekzistencën sepse nuk përfitojnë asnjë lloj mbështetje financiare, që normalisht do t’ju takonte, pasi financimet shkojnë tek klientët – por kjo është e keqja më e vogël, sepse ka gazetarë të përkushtuar që sakrifikojnë dhe japin kontributin e tyre për të mirën e përbashkët të komunitetit.
rrezikohen nga sulmet e hakerave të shtyrë nga politika që sa vijnë dhe sofistikohen;
rrezikohen nga gjoba mijra Eurosh për një foto kur cënohet e drejta e autorit, edhe kur kjo foto është marrë nga një medium e burim i fuqishëm shqiptarofon;
rrezikohen nga përjashtimi i gjuhës shqipe nga Google AdSense – Earn Money from Your Website – dmth që faqja të përfitojë nga puna që bën. Përfshirja e gjuhës shqipe në Google AdSense ishte një nga premtimet mediatike të Edvin Ramës posa mori pushtetin më 2013 – siç e shohim ishte një rrenë klluqe sepse Edvin Rama është armiku i gazetarëve;
rrezikohen nga gjyqet e instrumentalizuara nga politika e korruptuar (SLAPP). Nëse mediat e mëdha kanë zyrat ligjore që i mbrojnë gazetarët, mediat e vogla nuk kanë mundësi financiare që t’i kenë, pa marrë parasysh se cilësia e raportimit është po aq profesionale sa edhe e mediave të mëdha;
rrezikohen nga mafia dhe krimi i organizuar që po fuqizohet nga korrupsioni shtetëror, mos funksionimi i sistemit demokratik dhe mbështetja direkte e politikës.
Sapo kemi parë reportazhet investigative të gazetarit Giorgio Mottola nga Report i RAI3 dhe publikimin e Bild për narkoshtetin nën udhëheqjen e kryeministrit Edvin Rama, ka marrë kërcënime drejtori i Report Sigfrido Ranucci, i cili është nën mbrojtjen e shtetit si Roberto Saviano, prej 2021. Po ashtu kemi parë tërbimin mediatik të Edvin Ramës kundër gazetarëve, akuza, fyerje, mallkime me dorën e hekurt të shtetit duke marrë edhe mbështetjen alla Duçe të kryeministres së Italisë Georgia Meloni se gjoja Report po linçon popullin shqiptar, propagandë tipike stalinisto-fashistoide populiste.
Në fakt Report me ekpin e vet janë dritë në fund të tunelit. Reportazhet e Report i RAI 3, raportet e Bild apo raportet që po sjell tash së fundi gazetari investigativ Vudi Xhymshiti, janë shpresë dhe frymë për fuqinë që ka fjala e lirë në mbrojtje të lirisë dhe vlerave të sistemit demokratik.
Që kur Bild publikoi përgjimet për vjedhjen e votave në zgjedhjet e 2017 dhe 2019, Edvin Rama me gjithë qeveri duhej të jepte dorëheqjen, pasi në vjedhjen e votave përfshihen deri edhe organet e mbrojtjes së sigurisë së rendit kushtetues.
Pa liri të shprehjes dhe pa gazetarë trima sistemi demokratik jo vetëm në Shqipëri, që ka degjeneruar në narkoshtet, por edhe në Perëndim, sot më tepër se kurrë, është në rrezik nga liderë autokratë që me favore blejnë e rekrutojnë zyrtarë perëndimorë si McGonigal, këshilltarë apo kompromentohen sipas stilit të ish kancelarit të Gjermanisë Gerhard Schröder!
SOS për gazetarinë e pavarur nga politika, SOS për gazetarët që shqiptojnë të vërtetat duke marrë kërcënime nga të gjitha anët!
Roli i shtypit të lirë dhe gazetarëve të pavarur e profesionistë për të qenë një “mbrojtës”- “Watschdog” ndaj shkeljeve dhe abuzimeve të një qeverie apo qeveritarëve a zyrtarëve publikë është një nga komponentët themelorë të një shoqërie demokratike.
SOS sistemi demokratik dhe vlerat e Perëndimit!
Pandeli Majko larg duart nga diaspora! Nga Elida Buçpapaj