Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut përmbanë dispozita kushtetuese ku parashihet çështja e papajtueshmërisë së funksionit të deputetit me ushtrimin e funksioneve dhe profesioneve tjera publike (neni 63, paragrafi 5), përkatësisht, papajtueshmëria e funksionit të Kryeministrit me ushtrimin e funksioneve dhe profesioneve tjera publike (neni 89, paragrafi 5).
Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si një ndër të rrallat në botë, e njeh institutin e vetëshpërbërjes së Kuvendit (neni 93, paragrafi 5) dhe Qeveria e cila qëndron deri në formimin e
Qeverisë së re, njihet si Qeveria në detyrë.
Dispozitat kushtetuese si më sipër, janë të operacionalizuara me ligje të veçanta përkatëse, por, nuk do të ndalemi në analizimin e tyre.
Edhe pse shërbimet e Kuvendit njoftuan se Kryeministrit i ka pushuar funksioni me verifikimin e mandatit në Kuvend dhe se ai do t’i kryejë vetëm detyrat e domosdoshme deri në formimin e Qeverisë së re, nuk mjafton dhe për më tepër, nuk e lejon Kushtetuta e vendit tonë!
Ku konsiston atëherë çështja diskutabile që përflitet në opinion disa ditë me radhë me papajtueshmërinë e ushtrimit të funksionit edhe të deputetit edhe të Kryeministrit të vendit të Talat
Xhaferit dhe ministrit të shëndetësisë, Ilir Demiri, i cili është deputet i zgjedhur në Kuvend me mandat të verifikuar, por njëkohësisht edhe ministër i shëndetësisë?
Çështja konsiston te ngurtësia e Kushtetutës sonë që duke ndjekur modelin francez të papajtueshmërisë së funksionit të deputetit, përkatësisht Kryeministrit me funksione dhe profesionet e tjera publike, nuk lejon interpretim fleksibël të normave juridike sa i përket ushtrimit të dy funksioneve publike në të njëjtën kohë, siç është rasti në Britaninë e Madhe, ku Kryeministri i vendit njëkohësisht është edhe deputet në dhomat e Parlamentit.
Edhe përskaj kompleksitetit të çështjes, ku Kryeministri aktual është zgjedhur deputet në Kuvend, nuk ka tolerancë sipas Kushtetutës e cila është decide dhe me këtë rast menjëherë vjenderi te aktivizimi i normës juridike ku parashihet papajtueshmëria e ushtrimit të funksionit të deputetit me atë të Kryeministrit.
Precedenti i krijuar vite me radhë edhe pse ka ndodhur, sërish nuk do të thotë se është në pajtim me Kushtetutën, por, këtu qëndron e keqja e precedentëve juridik që vjen si pasojë e interpretimeve fleksibël të normave juridike kushtetuese nga juristë të ndryshëm. E keqja më e madhe me paraqitjen e rasteve të tilla qëndron te tendenca dhe toleranca e Kuvendit për ta arsyetuar veprimin e tillë me praktikat e mëparshme, në vend të reagimit dhe përmirësimit të gabimit të tillë që në të ardhmen të mos tolerohen veprimet e tilla që i shkelin normat juridike kushtetuese, por edhe ligjore dhe njëkohësisht të jepen udhëzime të caktuara se si duhet vepruar në situata të tilla konfliktuoze në pajtim me frymën e Kushtetutës.