“Junts per Catalunya”, partia katalunase kanë dërguar sot një propozim në Parlamentin e Spanjës ku i kërkojnë qeverisë spanjolle që ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur.
Partia katalunase e cila ka përkrahur krijimin e qeverisë së re të Pedro Sanchez, në propozimin e saj thekson se në përkrahje të përpjekjeve të bëra nga institucionet e Kosovës për të mbrojtur të drejtën për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga pozicioni refuzues dhe ta njohë menjëherë Republikën e Kosovës.
“Nga “Junts per Catalunya”, ne kemi shprehur qëndrimin tonë në favor të njohjes së nevojshme të Kosovës si shtet sovran. Ne kemi treguar gjithashtu mbështetjen tonë për rezolutat e fundit të Parlamentit Evropian, dhe konkretisht dy të fundit të vitit 2023, të cilat u bëjnë thirrje pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që ta njohin Kosovën tani dhe ta lejojnë Kosovën të përparojë në rrugën evropiane pa vonesa të mëtejshme në baza të barabarta me vendet e tjera kandidate. Dhe shfaqja e shqetësimit për faktin se disa shtete anëtare po përdorin mjete institucionale për të komplikuar procesin integrues në rajon, përfshirë atë të Kosovës.
Për këtë arsye, por edhe në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen nga institucionet dhe populli i Kosovës për të mbrojtur të drejtën e tyre për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga refuzimi i tij dhe të njohë menjëherë Republikën e Kosovës”, thuhet në dokument.
Propozimi jo legjislativ është i emëruar “Kongresi i Deputetëve i kërkon Qeverisë që ta njohë Republikën e Kosovës si shtet sovran”.
Më herët në dhjetorin e vitit 2023 kur diskutohej krijimi i Qeverisë së re të Spanjës, nga partia e liderit katalunas Carles Pudigemont kishin parlajmëruar se do të kërkonin në Parlament që Qeveria e Spanjës ta njohë Kosovën si shtet.
“Si shef i stafit të tij, mund t’ju them se ne gjithmonë e kemi ndjekur me shumë interes çështjen e Kosovës dhe gjithmonë kemi kërkuar nga qeveria spanjolle që ta njohë plotësisht Kosovën dhe një komb të pavarur. Në këtë mandat të ri parlamentar, ne do të insistojmë edhe një herë që Spanja të njohë Kosovën, por më lejoni të them se partia politike e Presidentit, Junts per Catalunya, nuk është pjesë e kabinetit spanjoll. Ne i japim mbështetje kësaj Qeverie vetëm nga jashtë dhe nuk kemi kapacitet të vendosim për çështjen e njohjes së Kosovës nga Spanja”, kishte thënë shefi i stafit të Puidgemont, Josep Alay për Gazetën Express.
Kjo kërkesë e “Junts per Catalunya” vjen pak ditë pasi Spanja e ka njohur si shtet Palestinën./GazetaExpress/