Mexico City – Ish-kryebashkiakja e Mexico City vlerësohet se ka fituar 58% të votave, një diferencë e qartë ndaj rivales kryesore Xochitl Galvez, e cila mori vetëm 29%
Claudia Sheinbaum do të zgjidhej të dielën si e para femër presidente e Meksikës. Kështu treguan të dhënat, një moment historik për një vend të rrënuar nga dhuna e shfrenuar kriminale dhe me bazë gjinore.
Ish-kryebashkiakja e Mexico City, 61-vjeçarja hebreje, e cila përfaqësonte partinë në pushtet, fitoi rreth 58 për qind të votave, sipas një vlerësimi nga firma e sondazheve Enkoll.
Kjo e vendos atë lehtësisht përpara rivales së saj kryesore të opozitës Xochitl Galvez – një senatore dhe biznesmene me rrënjë indigjene – e cila mori 29 përqind.
I vetmi mashkull që kandidoi, centristi Jorge Alvarez Maynez, kishte rreth 11 përqind të votave, tha Enkoll. Edhe media të tjera e shpallën fituese znj. Sheinbaum pa specifikuar përqindjen e votave.
Sheinbaum, një fizikane e kthyer në politikane, lindi nga emigrantë hebrenj nga Lituania dhe Bullgaria, përcollën mediat izraelite. Referenca e saj më e famshme për judaizmin e saj ishte gjatë një fjalimi që ajo mbajti në një aktivitetet të komunitetit hebre si kryebashkiake e Mexico City në 2018.
Ajo nuk e përshkroi veten si hebreje, por tha se të dy prindërit e saj ishin “me origjinë hebreje”. Ashtu si shumë hebrenj meksikanë, ajo ka një qasje laike ndaj besimit të saj.
Votuesit ishin dyndur në qendrat e votimit në të gjithë vendin e Amerikës Latine, pavarësisht dhunës sporadike në zonat e terrorizuara nga kartelet ultra të dhunshme të drogës.
Mijëra trupa u vendosën për të mbrojtur votuesit, pas një procesi zgjedhor veçanërisht të përgjakshëm që ka parë të vrarë më shumë se dy duzina politikanë vendas aspirues.
Më herët, znj. Sheinbaum përshëndeti atë që ajo e quajti një ditë zgjedhjesh “historike”.
Pasi hodhi votën e saj, kandidatja kryesore presidenciale zbuloi se nuk kishte votuar për veten, por për një veterane të majtë, 93-vjeçaren Ifigenia Martinez, në nderim të luftës së saj.
“Rroftë demokracia!” deklaroi Sheinbaum.
‘Transformimi’
Gratë meksikane që shkonin në qendrat e votimit e kishin përshëndetur mundësinë që një grua të thyente tavanin më të lartë të xhamit politik në një vend ku rreth 10 gra ose vajza vriten çdo ditë.
“Një presidente do të jetë një transformim për këtë vend dhe ne shpresojmë që ajo të bëjë më shumë për gratë,” tha Clemencia Hernandez, një pastruese 55-vjeçare në Mexico City. “Shumë gra janë të nënshtruara nga partnerët e tyre. Ato nuk lejohen as të largohen nga shtëpia për të punuar, “tha ajo. sn