Flamuri i Bashkimit Evropian jashtë ndërtesës së Komisionit Evropian në Bruksel. (Foto: Reuters)
Është bërë gati një vit prej kur Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, por pak dihet se kush është dëmtuar më së shumti nga ky vendim.
Cilat programe, çfarë ka ndodhur me ata individë a programe që janë prekur, dhe sa ka qenë shuma e fondeve?
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pati thënë në janar të këtij viti se në rrafshin politik, masat janë të kufizuara vetëm në takimet e nivelit të lartë me përfaqësues të institucioneve të Kosovës.
“Është ndaluar vlerësimi dhe miratimi i aplikimeve të reja të Kosovës në kornizën e Ballkanit Perëndimor për investime, që do të thotë se Kosovës nuk i është ndaluar asnjë projekt, por aplikime të reja nuk janë aprovuar ende, dhe janë ndaluar prokurimet e reja të projekteve që burojnë nga IPA 2023 [Instrumentet e Para-Anëtarësimit], dhe nuk kanë filluar diskutimet për IPA 2024. Nuk janë prekur prokurimet ekzistuese”, pati thënë Bislimi.
Por Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se disa projekte janë pezulluar:
“Nuk janë anuluar, janë pezulluar, dhe së paku në një rast, Kosovës i është mohuar e drejta e aplikimit për fonde të reja në kuadër të rundit të kaluar të kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor”.
Ai e përmend edhe pezullimin e takimeve të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, paktit të parë kontraktual ndërmjet Kosovës dhe bllokut evropian.
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, për më shumë hollësi, por nuk ka marrë përgjigje.
Njëjtë edhe me Bashkimin Evropian. Zyrtarë të saj nuk kanë treguar se çka është shënjestruar.
Ajo që dihet është se vendimi për masa është marrë mbi arsyetimin se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i ulur tensionet në veri të vendit, në maj dhe qershor të vitit të kaluar.
Protestuesit serbë duke goditur pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, me shkopinj, në hyrje të ndërtesës komunale në Zveçan, komunë në veri e banuar me shumicë serbe. (Foto: Reuters)
Hollësitë mbi masat nuk janë bërë të ditura as kur janë komunikuar ato. Në fakt, diçka e tillë nuk është e zakonshme për BE-në.
Shembull, kur BE-ja ka marrë vendim për të sanksionuar Rusinë për luftën e nisur në Ukrainë, më 2022, Komisioni Evropian ka votuar për to, si dhe ka votuar, e do të votojë çdo vit, për shtyrjen e tyre.
Në vendim përmendet me emër secili individ dhe entitet i prekur rus.
Në rastin e Kosovës, për masat nuk është votuar – me arsyetimin se janë të përkohshme – vetëm është thënë se Komisioni Evropian është përgjegjës për to, dhe rrjedhimisht janë pa ndonjë afat.
| Si mund të hiqen masat?
Disa javë pas vendosjes së masave, BE-ja pati arritur marrëveshje me Kosovën për shtensionimin e situatës në veri, në këmbim të heqjes së masave.
Ndër kërkesat kryesore kanë qenë zvogëlimi i pranisë policore në dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës dhe organizimi i zgjedhjeve të reja. Autoritetet e Kosovës kanë thënë se i kanë përmbushur të dyja.
Aktualisht, kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell është duke e përpiluar një raport rreth hapave që ka marrë Kosova për t’iu hequr masat. Por, së fundmi është bërë e ditur se aty do të përfshihen edhe operacionet policore të majit të këtij viti në pjesën veriore, që kanë rezultuar me mbyllje të disa objekteve të Bankës Kursimore të Postës së Serbisë.
Si BE-ja, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, e kanë kritikuar Kosovën për këto aksione, duke i konsideruar “të pakoordinuara dhe të njëanshme”.
Për pasojë, ka zëra në BE që besojnë se tani do të vështirësohet procesi i heqjes së masave ndaj Kosovës.
Por njëkohësisht, disa burime i kanë thënë REL-it se ka edhe vende anëtare të BE-së që janë të zemëruara, pasi besojnë që masat kanë shkuar përtej asaj që është pritur.
| Çfarë thonë zyrtarë të Kosovës?
Të gjithë kërkojnë heqjen e masave.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë ditë më parë se për shkak të mungesës së fondeve të BE-së, si rezultat i masave, Kosova është detyruar të ndajë fonde shtesë për një projekt, nga i cili përfitojnë minoritetet.
Demush Shasha beson që Kosova duhet të marrë hapa për ta bindur bllokun evropian për heqje të masave, sepse nuk ka tjetër alternativë:
“Nuk besoj që duhet parë nga optika e drejtësisë apo e padrejtësisë, por duhet parë nga optika e obligimeve që ka marrë Kosova në kuadër të procesit të integrimit evropian, dhe kjo nuk është aq shumë çështje e drejtësisë”.
Klisman Kadiu, nga Zyra e zëvendëskryeministrit Bislimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata në veri është shtensionuar dhe masat nuk kanë më kuptim.
Sipas tij, çfarëdo konstatimi tjetër në raportin e Borrellit, “do të ishte i padrejtë, do të përbënte shtrembërim të zhvillimeve në terren dhe domosdoshmërisht keqpërdorim të njëanshëm dhe të pakuptimtë të masave nga ana e KE-së”.
Edhe zyrtarë të tjerë qeveritarë në Kosovë insistojnë që masat janë të padrejta.
Ata ngrenë shpesh paralele me vendosjen e masave të BE-së ndaj Kosovës dhe mosvendosjes së masave ndaj Serbisë për sulmin vdekjeprurës në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar.
Kosova e fajëson Serbinë për sulmin, të cilin e quan terrorist. Beogradi i hedh poshtë këto akuza.
Bashkimi Evropian ka thënë se është në pritje të një raporti të detajuar nga autoritetet kosovare të drejtësisë, për të marrë më pas një vendim.