Znj. Manastirliu dje na njoftoi që me anë të procesit të ndërkombëtarizimit “synojmë që deri në 2030, Shqipëria të jetë pikë reference në rajon për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”.
Ndërsa sot jemi:
1) vendi i fundit në rajon në indeksin që mat krijimin edhe shpërndarjen e dijes: Serbia është në vendin 55, Mali i Zi është në vendin 60, Maqedonia e Veriut në vendin 66, Bosnje Hercegovina në vendin 70, dhe Shqipëria në vendin e 84.
2) Ndërkohë që Universiteti i Tiranës renditet i 667-i, pra në fund të rankimit ndërkombëtar, 3 fakultetet më të mira në rajon ndodhen në Serbi,
3) Është pikërisht atrofizimi i dhimbshëm i arsimin e lartë, një nga shtysat kryesore të emigracionit të të rinjve , ku 79% e maturantëve duan të studiojnë jashtë. Që prej 2013 është dyfishuar numri i studentëve shqiptarë që kanë braktisur universitetet shqiptare.
Në katastrofën aktuale të arsimit të lartë vështirë ose thuajse e pamundur që në 2030 të ndodhë që të jemi pikë reference. Për më tepër dikush duhet t’i shpjegojë ministres që cilësia e arsimit të lartë edhe aq më tepër shëndrimi në pike reference për kërkimin shkencor nuk është çështje kurrikulash që mund të përmirësohen me anë të ndërkombëtarizimit, madje nuk do ngurroja të thoja nuk është as vetëm çështje fondesh. Kjo është një çështje me komplekse që ka lidhje me ngritjen edhe funksionimin e sistemeve kombëtare të krijimit edhe shpërndarjes së dijes.
Sisteme këto që për fatin e keq të ministres është e pamundur të importohen, apo të merren “copy paste” nga ndërkombëtarët.
Po nuk mësoi këtë ministrja e Arsimit, shqiptarëve të zënë tanimë nën thundrën e rëndë të paditurisë, është e destinuar t’ju ofrojë vetëm gënjeshtra të dobishme që qetësojnë si morfina dhimbjet e padijes.
E pra e nderuar ministre kur dëgjojmë ty lum si ne, me arsimin e lartë që kemi mjerë ne!
(BalkanWeb)