Korpusi i Paqës i Shteteve të Bashkuara shënon (pak më shumë se) tre dekada të veprimtarisë së tij në Shqipëri. Me këtë rast, Gazeta Telegraf boton një njoftim të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, që ajo ka ndarë në rrjetet sociale, se Drejtuesja e Korpusit të Paqes Carol Spahn mbërriti këtë javë në Shqipëri për vizitën e saj të parë zyrtare në vend. Njoftohet se Zonja Spahn do të zhvillojë takime me Presidentin Bajram Begaj, ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu si edhe me vullnetarë dhe stafin e Korpusit të Paqes në vend. Si pjesë e vizitës së saj zyrtare, ajo do të vizitojë gjithashtu disa vendqëndrime të vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Shqipëri dhe do të hapë një sesion trajnimi për vullnetarët e sapo betuar që do të shërbejnë anë e mbanë Shqipërisë.
Me këtë rast vlen pak histori mbi këtë ent amerikan që është themeluar 64-vjet më parë. Në atë kohë, Senatori i atëherëshëm amerikan, John F. Kennedy ka mbajtur një fjalim historik gjatë fushatës së tij për president në Universitetin e Michigenit, në Tetor të vitit 1960, fjalim ky që një vit më vonë çoi në formimin e Korpusit të Paqes. Me atë rast, John F. Kennedy u drejtoi një thirrje emoocionale studentëve universitarë që të shkonin si vullnetarë për një vit ose dy, në vendet në zhvillim.
Në shkallet e Univeristetit Michigen, John F. Kennedy i sfidoi studentët amerikanë që t’i shërbenin vendit të tyre në kauzën për paqe duke jetuar dhe duke punuar në vendet në zhvillim, anë e mbanë botës. Vetëm disa javë pas fjalimit të Z. Kennedy, studentët filluan të mblidhnin firma në përkrahje të kësajë ideje dhe kështu lindi Korpusi i Paqes. Kongresi amerikan, si rrjedhim, miratoi në vitin 1961 legjislacionin duke i dhënë Korpusit të Paqes mandatin “për të promovuar paqen dhe miqësinë në botë”. Megjithëse kane kaluar 64-vjetë, kjo thirrje dëgjohet edhe sot ndërsa shumë të rinjë e të reja i përgjigjen gjithnjë apelit prej disa dekadash të Presidentit Kennedy për të shërbyer vullnetarisht anë e mbanë botës, për kauzën e paqes dhe miqësisë midis popujve.
Misioni i Korpusit Amerikan të Paqes, atëherë dhe sot është që vullnetarët e këtij enti qeveritar amerikan të ndihmojnë vendet në zhvillim, me qëllim që ato vetë të ndërmarrin programe zhvillimi; që të promovojnë një mirëkuptim më të madh për amerikanët nga ana e të huajve dhe të kontribojnë gjithashtu drejtë një mirëkuptimi më të madh të popujve anë e mbanë botës, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fillimisht, vullnetarët punonin si mësues, por më vonë puna e tyre u zgjerua edhe në fusha të tjera siç është zhvillimi ekonomik dhe programe të sektorit të mjedisit, teknologjisë, e tjera.
Është thënë se ajo që e bën edhe sot Korpusin e Paqes të mbrekullueshëm është fakti se ky ent vazhdon të shërbejë si urë që bën të mundur arritjen e sukseseve të mëdha anë e mbanë botës, nga një person në tjetrin, dhe nga një komunitet në tjetrin. Kjo “urë” e Korpusit të Paqes, në rastin e Shqiperisë nuk ekzistonte para Marsit të vitit 1991, datë kjo kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria lidhën marrëdhënjet diplomatike pas më shumë se 45 vjetësh.
Grupi i parë i vullnetarëve i përbërë prej 21 vetash, sipas Korpusit të Paqes, mbërrijti në Shqipëri në Qershor të vitit 1992 dhe menjëherë ata filluan veprimtarinë e tyre duke dhënë mësim në anglisht në shkolla te mesme dhe universitete. Ky grup u pasua nga dërgimi i 12 vullnetarëve të tjerë që morën pjesë në një projekt të zhvillimit të biznisit të vogël. Programi për Shqipërinë u zgjerua përsëri në vitin 1995 me 15 vullnetarë të tjëre, për një projekt bujqësor. Në vitin 1997, ishte në plan që programet e Korpusit të Paqes në Shqipëri të shtoheshin dhe të zgjeroheshin edhe më shumë, por tragjedia e vitit 1977 çoi në evakuimin e të gjithë vullnetarëve të Korpusit Amerikan të Paqes dhe në mbylljen e misionit të tij në Shqipëri.
Pas një mungese prej gjashtë vjetësh, vullnetarët e Korpusit të Paqes janë ri-kethyer në Shqipëri për të filluar trajnimet për një projekt, në ndihmesë të bashkive dhe për zhvillimin e projekteve për mësimin e gjuhës anglisht, si edhe për projekte të shërbimit shëndetësor, ndër të tjera. Sipas Korpusit të Paqes, vullnetarët e tij në Shqipëri punojnë dhe bashkrendojnë gjithë aktivitetin e tyre me organizma dhe ente të qeverisë shqiptare, USAID, organizata jo qeveritare shqiptare, universitete dhe me drejtorë shkollash, anë e mbanë Shqipërisë. Ata marrin pjesë në projekte siç janë planifikimi urban, zhvillimi ekonomik, zhvillimi turistik, planifikimi strategjik si edhe në promovimin e pjesëmarrjes së qytetarëve që të kenë një zë në vendimarrjen e tyre në komunitetet ku jetojnë.
Frank Shkreli
Korpusi i Paqes, gjatë dekadave, ka ndër shumë perpjekje për të ndihmuar bashkitë dhe komunat në Shqipëri duke kërkuar bashkpunim me ente të tjera që përkrahin qeveritë lokale, organizatat jo-qeveritare, si dhe grupe të ndryshme të komuniteteve, në përpjekje për realizimin e objektivave të tyre në nivelin lokal. Zhvillimi dhe përforcimi i organizatave dhe enteve vendore është me rëndësi jetësore për fshatrat dhe komunat anë e mbanë Shqipërisë, po të merret parasyshë mungesa e besimit të publikut shqiptar në politikën vendore dhe në institucionet qendrore të vendit.
Puna dhe veprimtaria e vullnetarëve të suksesshëm të Korpusit Amerikan të Paqes është një kontribut me vlerë për të dy palët, pasi ndihmon në njoftimin dhe mirë-kuptimin e përbashkët midis popujve dhe shteteve. Le të shpresojmë që në këtë më shumë se 30-vjet të lidhjes së marrëdhënjeve midis Washingtonit dhe Tiranës, vullnetarët e Korpusit të Paqes në Shqipëri, të krijojnë lidhje dhe njohuri pozitive me shqiptarë anë e mbanë vendit, sidomos në zona të izoluara, të cilët rradhë herë kanë mundësi kontaktesh me amerikanë. Duke uruar që veprimtaria e këtyre vullnetarëve amerikanë në Shqipëri të kontribojë edhe në përforcimin e marrëdhënieve, historikisht, miqësore midis dy kombeve tona.
Frank Shkreli
Drejtuesja e Korpusit Amerikan të Paqës, Znj. Carol Spahn u prit nga i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Z. David Wisner
Drejtuesja e Korpusit të Paqës, Znj. Carol Spahn në takim me Presdientin e republikës së Shqipërisë, Z. Bajram Begaj