PIJE DETIN KSANT !
Na ishte bere lajtmotiv ritheksimi i shprehjes goditëse te “ Dhelpra dhe rrushtë” e Ezopit të shkrimtarit brazilian Guilherme Figueiredo -vënë në skenë nga Mihal Luarasi në mesin e viteve 60 në Teatrin Popullor.
Akcentimi i përkryer nga Kadri Roshi ende më tingëllon sikur po e dëgjoj atë zë gati gati si një refren i një melodie që të shoqëron shpirtin në një meditim pa fund emocioni ndjellës .
Ishim studentë në të njejtin mjedis të teatrit dhe këtë shfaqje madhështore mund ta kemi parë mbi 50 herë.
Në atë kohë Kadri Roshi ishte në kulmin e tij aktoresk pak më vonë edhe me Arturo Ui(Bertolt Brecht ) e vendosën Kadri Roshin në majat e krijimit aktorial në Shqipëri duke pasur kokën tjetër të shqiponjës Hamletin (Shakespeare ) apo Ferdinantin “Intrigë e dashuri”( Friedrich Schiller ) të Naim Frashërit!
Vite më vonë Kadri Roshi përmes ekranit u shumëzua në Shqipëri tashmë si një ” Mesi “e aktrimit. Bëmat e tij po vinin edhe si legjendë.E kishin dënuar me “Riedukim” formula të asaj kohe (mendo dënohej Kadri Roshi për riedukim). Formulat e kohës kishin lëvizjet amatore. Ndërmarrja”Rruga ura” ku po edukohej Kadri Roshi, do të jepte shfaqje “Komandanti Rrapo” dramatizim i Dritero Agollit.
Interesimi i jashtështëzakonshëm për të parë mallin e publikut ndaj Kadri Roshit, po rikthehej në skenë magjistari, i cili u fut në teatër gati si ilegal në atë periudhë.
Lotët ishin të përligjura jo vetëm për të, ndoshta për gjithë sallën!
Mua më erdhi rasti të jem së bashku me të në filmi “ I teti në bronx” : Zamet e ke o Sali Protopapa, më puth një herë, ta kem kujtim në botën tjetër ( kujtoni se në çdo dalje të tij para publikut është një thënie që nuk harrohet, sepse ishte ai që dinte ta përcillte mes tjerave ” Gërmo o Tare, gërmo se qenin e ngordhur do gjesh” te ” Përballimi “Hani ju hani” -“Lulëkuqet mbi mur”) Thënie gati si biblike, punët tona falna sot!
Më kujtohet një herë kur të dy po rrinim nën një diell dhjetori rrezë kalasë në Libohovë, po pinim nga e njëjta faqore raki, kur Kadriu nisi të recitonte “ Këngë Pleqërishte” një magji e kënduar sipas shpirtit kur ke hedhur pak raki dhe më thotë: Ky diell kërthi dhe kjo raki e bëri kaq bukur këtë çast!
Unë i thashë këtë kërthi e përdorim edhe ne në Mallakastër , u çudit që isha nga vendi i tij.
Unë nuk e dija nga ishte. Ai aty me tha se e quante veten mallakastriot. Ishim në filmi “ Malet me blerim mbuluar”. Më pas te çasti që më qëllon me shpullë sa i hante krahu, më përkëdhelte flokët pas çdo dubli dhe më thoshte: -Më fal, sqap!
Kaluan vite dhe e mora në filmin “ Fletë të bardha” për specialistët apo kritikët e ndershëm, aty Kadri Roshi ka një krijim të një qytetari bashkëkohor shqiptar në përsosmëri. Nga gjithë bashkëpunimet e mia me të gjithë emrat e mëdhenj të artit shqiptar. Mbaj ment sjelljen prej nxënësi te fillores te Kadri Roshit, gjatë përgatitjes së xhirimit ngrinte dy gishtat dhe thoshte: Me leje regjjsor?!
Eh ç’mund të thuhet më tej, pasi këto dy ditë e kisha në ekran te “ Fletë të bardha” pas 30 vjetësh , “nxënësin” më të madh që kam njohur në jetë (me dy gishta si dikur në fillore më thoshte” me leje regjisor”) .
E konsideroj veten me fat që kam punuar me këta magjistarë të interpretimit.
U kujtova për pasionin e Kadri Roshit, peshkimin.
Nga fillimi i viteve ’70 kisha filluar të merresha me dokumentarë ne TVSH dhe me kamerën e Stefan Gajos u nisëm me një grup artistësh për peshkim në Lezhë, kuptohet natën.
Arritëm atje në mugëtirën e mëngjezit dhe sa ndaluam artistët peshkatarë u zhytyën në llucë për të gjetur krimba për karemat e peshkut.
U befasova kur shikoja Naim Frashërin, Kadri Roshin, Prokop Mimën, Piro Manin, Mentor Xhemalin, Hysen Pelinkun të përveshur me llërët në baltovina për nxjerrjen e krimbave.
Më pas u bë rituali i mëngjezit me kafe dhe ndonjë gotë raki. Prit e prit që peshqit të kapnin krimbat.
Unë u mërzita me pritje dhe e shpreha.
Kadri Roshi më tha: Duket që nuk vuan nga nervat, se po të kishe probleme do shkarkoheshe me peshkimin.
Vite më vonë kur xhironim “Fletë të bardha” i kisha premtuar se do jemi në lagunat e Divjakës.
Ishte dhjetori 1989, Kadriu me Gjergj Lucën çoheshin natën ende pa u zbardhur dhe në ngricën e dhjetorit shkonin për peshkim.
Çdo mbrëmje kënaqej kur shikonte grupin e xhirimit që pinte dhe hante nga gjuetia e tij.
Njeriu që merrte një peshk të vogël para gotës me raki ishte ai Kadri Roshi.
Na shikonte i përmalluar !
Nuk mundja ta mbaja për vete këtë ndodhi kaq fisnike të njeriut që na ka dhënë shqiptarin siç e dimë siç e duam, siç do ta kërkojmë! .
Në se do të thuash që Kadri Roshi ishte gjeni në interpretim – Thuaje, nuk je gabim!