Me Rasim Gjokën kemi qenë shokë kursi përgjatë 4 viteve të studimeve në Universitetin e Tiranës. Fillimisht nuk u prezantuam në auditorët e leksioneve, por në rrethana të vështira të punës prodhuese, në Leskovik të rrethit të Kolonjës.
Si nxënës i shkollës së mesme, si student dhe si pedagog i ri kam punuar në 12 aksione kombëtare njëmujore. Ndër to aksioni në Leskovik ka qenë më i vështiri në shumëçka, gati i projektuar si eksperiment sociologjik për të testuar karakteret e studentëve të asaj kohe. Puna ishte tepër e rëndë, norma realizohej me shumë vështirësi nga djemtë më të fuqishëm fizikisht. Rasimi jo vetëm realizonte normën e vet, por ndihmonte edhe shokët e shoqet e kursit, pa i vënë në sedër ata. Ndonëse i lindur dhe i rritur në qytetin e Burrelit, Rasimi kishte të brendësuara në personalitetin e tij tiparet më fisnike të shqiptarit: shpirtin altruist për të ndihmuar të tjerët, sidomos kur ndodhen në vështirësi, vullnetin e paepur për të përballuar çdo sfidë, shpirtin empatik për ta menduar veten në statusin e tjetrit etj. Rasim Gjoka u diplomua “Punonjës i shkencave politike” në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike të Universitetit të Tiranës. Duke qenë se u diplomua me rezultate të shkëlqyera, sipas rregullave të kohës, ai u emërua në institucion qendror, korrespondent i Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Këtë status me ndikim të fuqishëm për kohën Rasim Gjoka asnjëherë nuk e përdori për të dëmtuar njerëzit, por vetëm për t’i ndihmuar, për të afirmuar vlerat e tyre profesionale dhe humane. Angazhimin e xhaxhait, Ramadan Gjoka, në çetën e Pezës dhe të disa të afërmve në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, Rasimi asnjëherë nuk e përdori për të përparuar në karrierën profesionale, politike e shoqërore, por për të ndihmuar të tjerët, sidomos, ata të karakterizuar me “njolla në biografi”, si thuhej dikur, me “biografi të keqe” etj..
Pas vitit 1990, në veprimtari të ndryshme si konferenca studimore, biseda në disa televizione, promovime librash studimorë ose artistikë etj., kam takuar edhe gazetarë, mësues, inxhinierë, mjekë etj., të cilët në vitet 1980 kishin punuar në rrethin e Matit dhe të Dibrës dhe “të skeduar me kleçka në biografinë politike”. Në bisedat për Rasimin në rolin e korrespondentit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare ata kanë theksuar me bindje këto mendime: “Në vlerësimin e punës së specialistëve Rasimi nuk ndikohej nga njollat politike në biografi të tyre”, “gazetarë të tjerë prireshin të mos i rëndonin specialistët duke vënë në dukje kleçkat në biografinë politike, por nuk kishin kurajë t’i mbronin ata, ndërsa Rasimi përballej edhe me drejtues të niveleve të larta partiake e shtetërore në rreth, deri me sekretarë të parë dhe kryetarë komitetesh ekzekutive, për të promovuar profesionalisht “të vënët nën hijen e gabimeve politike të paraardhësve të tyre” etj. Edhe vlerësime e qëndrime të tilla të para vitit 1990 ndikonin që Rasim Gjoka të ishte i respektuar dhe i nderuar në rrethin e Matit, Mirditës dhe të Dibrës nga shumica dërrmuese e njerëzve, pavarësisht nga orientimet e tyre politike në rrethanat e pluralizmit ideopolitik. Në vitin 1989 Rasim Gjoka u emërua pedagog me kohë të plotë në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike (Universiteti i Tiranës). Në vetëm 3 vite krijoi profilin e një pedagogu të aftë, mjaft korrekt dhe të një studiuesi të përkushtuar. Në vitin 1992 fakulteti u mbyll dhe Rasimi, sikurse 47 pedagogë të tjerë, doli në asistencë. Por ai nuk u shkëput nga studimet. U angazhua si ekspert sociolog për disa vite në realizimin e anketimit në shkallë kombëtare të emërtuar “Eurobarometër”, që organizohej për herë të parë në Republikën e Shqipërisë nga Instituti Amerikan “Gallup”, më i specializuar në botë për sondimin e opinionit.
Në fillim të vitit 1995, Rasim Gjoka u angazhua në themelimin e fondacionit ose më saktësisht, shoqatës “Zgjidhja e konflikteve dhe pajtimi mosmarrëveshjeve”. Kjo shoqatë kualifikonte ndërmjetës për zgjidhjen, tejkalimin e konflikteve të ndryshme me ndërmjetësim jashtë rrugës gjyqësore. Për shumë vite, Rasim Gjoka e shndërroi këtë shoqatë në “laborator” social ku kryenin praktikën profesionale sociologjike qindra studentë të Degës së Sociologjisë. Edhe si pedagog me kohë të pjesshme për disa vite pranë Departamentit të Sociologjisë të Universitetit të Tiranës, Rasim Gjoka, ka qenë model korrektësie dhe profesionalizmi. Themelimi i kësaj shoqate u parapri nga një studim-anketim në shkallë kombëtare. Ndoshta është e vetmja shoqatë jofitimprurëse, joshtetërore e themeluar në atmosferën e një konference shkencore kombëtare, me pjesë marrje edhe të studiuesve joshqiptarë, danezë, norvegjezë etj..
Shoqata “Zgjidhja e konflikteve dhe pajtimi mosmarrëveshjeve” që në fillim financohej nga struktura shtetërore të Danimarkës, që ndër shumë vite është renditur e renditet në krye të listës së shteteve më pak të korruptuar në botë. Përvoja tregon se shtete të tillë kanë legjislacion disi të ngurtësuar, që synon të shmangë abuzimet e natyrave të ndryshme. Në financimet daneze ishte parashikuar një fond i vogël për publikime të veprimtarive të shoqatës. Unë i sugjerova drejtorit të saj Rasim Gjoka që me fonde të tilla të botohej një revistë. Ai e mirëpriti idenë dhe u angazhua tërësisht për realizimin e saj. Ai përballoi trysninë e një korrespondencë shkresore intensive dymujore me strukturat shtetërore daneze përkatëse. Që në fillim revista “Pajtimi” u konceptua dhe u realizua si buletin shkencor dhe u miratua si i tillë nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës të Republikës së Shqipërisë. Në këtë revistë kanë botuar shkrime dhe intervista ekskluzive personalitetet më të shquar të kulturës, të artit dhe të shkencës të Republikës së Shqipërisë si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Vath Koreshi, Akademik Alfred Uçi, Akademik Hamit Beqja, Akademik Artan Fuga, prof. dr. Mark Tirta, prof. dr. Viron Koka, prof. dr. Jakup Mato, prof. dr. Ismet Elezi, prof. dr. Ines Murzaku, prof. dr. Afërdita Onuzi, prof. dr. Agon Xhagolli etj..
Rasim Gjoka asnjëherë nuk e përdori statusin e drejtuesit kryesor të shoqatës për të ndikuar në punën e redaksisë së revistës “Pajtimi”. Krahas veprimtarive të shumta për kualifikimin e ndërmjetësve ai përkujdesej me përparësi për revistën, e konsideronte atë përparësi të përparësive. Qëndrime të tilla të tij e lehtësonin shumë punë e redaksisë së revistës dhe punën time si kryeredaktor i saj. Revista “Pajtimi” kreu disa funksione të rëndësishme në shoqërinë shqiptare të viteve 1996-2005.
Së pari, kjo është e vetmja revistë monotematike në historinë e shtypit shqiptar. Në faqet e saj janë pasqyruar me rigorozitet shkencor në shumë rrafshe sociologjike e filozofike, etnologjike e historike, fetare e artistike etj. , përvojat shqiptare dhe të disa vendeve të tjera më të urbanizuara të botës për zgjidhjen me ndërmjetësim të konflikteve të ndryshme.
Së dyti, ndërkohë në Republikën e Shqipërisë shumica e intelektualëve, dhe ata më të shquar, ishin në vështirësi ekonomike, revista “Pajtimi” ofronte honorare dinjitoze për autorët e artikujve, të cilët shprehnin vazhdimisht respekt dhe mirënjohje.
Nuk më hiqet nga kujtesa një komunikim telefonik me akademikun e shquar Alfred Uçi. Me statusin e kryeredaktorit i porosita një shkrim 10- 12 faqe të daktilografuara, sipas standardeve të revistës. Ai solli një shkrim 17 faqe, i cili ishte shumë cilësor, sikurse gjithë shkrimet e tij, në lamitë e lëvruara. Sapo u botua revista e njoftova në telefon që të tërhiqte honoraret. Pasi tërhoqi honoraret ai më mori në telefon, ndjehej jo pak i lënduar. Lëndim fin prej fisniku me gjen të tillë ndër shumë breza.
– Zyhdi – më tha – desha të largohesha pa i marrë honoraret, mu dukën shumë, por nuk më la drejtori i shoqatës Rasimi, ishte shumë dashamirës, i çiltër dhe dinjitoz në këmbënguljen e tij. Më tronditi ideja se mos ju keni krijuar përshtypjen se kam shkruar më gjatë për të marrë më shumë honorare. Unë për gazetat shkruaj gjatë, se pavarësisht nga gjatësia e shkrimit ato japin vetëm 3000 mijë lekë të vjetra honorare.
– Profesor – i përgjigjem – kurrë nuk e kam menduar këtë shqetësim tuajin. Jeni fisnik i niveleve më të larta.
Së treti, revista “Pajtimi” u shndërrua në një fokus që mblidhte mendime të tilla të shkallës më të lartë të fisnikërisë, që rrezatonte me të gjithë rastet e bashkëpunimit të personaliteteve të fushave të dijes. Dhe meritë të veçantë për këtë ka pasur Rasim Gjoka.
Të punoje me financime të strukturave shtetërore daneze për shumë vite dhe të mos bëheshe problem për korrupsion do të thotë të ishe superkorrekt, që arrin t’i shpëtosh ngasjes për të kredhur në kënetën e korrupsionit. I tillë ishte Rasim Gjoka. E vetmja “pakorrektësi” e tij ishte largimi i tij para kohe dhe papritur nga kjo jetë!