“…Shqipëria në turizëm me sezon 365 ditë në vit”, thotë ministrja Kumbaro.
Nuk jemi të qartë se nga dalin dhe se ku mbështeten këto deklarata, por e mjera Shqipëri nuk është vetëm turizëm!
Qeveria e Ramës dhe Bashkia e Veliajt vihen re si dy njësitë më të sëmura pas imazhit gjë që i ka bërë ata ndër vite të jenë edhe ndikuesit më njohur jo vetëm të lajmit të rremë dhe të mashtrimit, por edhe të shtytjes së një agjende progresiste që i ka çoroditur rregullat e lojës së demokracisë së brishtë shqiptare në emër “të shoqërisë së hapur”. Sidomos kjo mund të vërtetohet gjatë tre mandateve 2013-2025.
Kryeqyteti i kapur si i tillë është bërë shembulli për gjithë vendin se si mund të përçahet dhe manipulohet popullsia e një vendi. Materialisht Tirana nuk është vetëm ri-jetësimi i simboleve të institucioneve të diktaturës komuniste nga paratë e taksapaguesve, por bashkë me paranë e shpenzuar po synohet përqafimi i ideologjisë social-komuniste të Rilindjes Socialiste si nostalgji. Pushteti dhe paraja ishin në dorën e një grushti njerëzish që e mbajtën mbyllur Shqipërinë për gati gjysmë shekulli. Ndërsa sot po i kthehemi diktatit njëpartiak që po e kontrollon të gjithë jetën e vendit. Kemi parë të jenë hedhur miliona edhe përmes projekteve ndërkombëtare duke ribërë më parë se nevojat më jetike të qytetarëve, piramida dhe bunkerë dhe prapë vazhdojnë të hidhen miliona për fasadat, ndriçimet nga ku propaganda me shumëngjyrëshin e saj formal të gjithë përfshirjes është tonuar në ngjyrën “shpresëdhënëse”, lejlanë.
Lejlaja është shplarja e atyre Socialistëve të sigluar në Rilindje ku për çdo veprimtari, qofshin ato tubime politike, artistike, të mikpritjeve samitore apo edhe gjithfarëshe për nga tematika milionat, e hedhura pas tyre kurrë nuk janë bërë transparente. Rendja pas lejlasë është kthyer në shenjën dalluese të një force politike si të ishte një epidemi që të pështjellon neveritshëm dhe në këtë kohëzgjatje sundimi është shndërruar në traumën e ngjyrës, në porfirofobi*.
E futur dhe e trajtuar thellë, lejlaja e preku së fundmi edhe turizmin.
Këtu do të ndalemi dhe do të përpiqemi ta tregojmë se si në rastin kur një kompani si “One Albania” që përfaqësohet me ngjyrën lejla në logon e saj u lidh organikisht me politikën e turizmit të qeverisë dhe ajo merr status dhe prezantohet si sponsore, bashkëpunëtore dhe promovuese kryesore e turizmit shqiptar prej Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Këtë lajm e përcolli ATSH-ja më 15 Maj, kur hodhi sloganin e vitit turistik 2024 “Albania All Senses” (“Shqipëria me Gjithë Shqisat”), një strategji të cilën ministrja përgjegjëse Kumbaro ishte ajo që e lartësoi. Por përpara se të shkojmë tek shqisat që turistët do ta ndjenin vërtetë Shqipërinë si vizitorë dhe çfarë rëndësie ka reklama që përpiqet të bëjë qeveria, le të ndalemi së pari tek përjetimi i realitetit shqiptar.
Së pari tek pamundësia e vendasve, shqiptarëve për të zotëruar prona në peizazhin natyror, pasuruar nga puna e tyre, nga punësimi sezonal apo gjithë vjetor për të mbajtur ekonominë familjare sikurse edhe në rastin që po patën kursyer nga pamundësia e rritjes së çmimeve, shtrenjtësia e jetesës dhe detyrimi i taksave, shqiptarët të kenë mundësinë për të pushuar me dinjitet qoftë edhe disa ditë në bukuritë që i ka falur perëndia vendlindjes së tyre.
Pra përpara sloganit rilindas “Albania All Senses” (“Shqipëria me Gjithë Shqisat”), le të ndalemi tek mesazhet kontradiktore që dalin nga fjalimet dhe deklaratat në periudha të ndryshme prej kabinetit qeveritar me në krye Ramën. Në qoftë se Ministri i Brendshëm Balla flet për sigurinë dhe rendin dhe zv. kryeministrja Balluku përuron segmente të infrastrukturës dhe personalisht inspekton strukturat akomoduese turistike për cilësinë e ujit, energjisë elektrike dhe gazit, në një kohë kur në Shqipëri krimi, trafiqet, tregu informal, papunësia, shërbimi shëndetësor, transporti, aksidentet rrugore etj. dëmtimi i natyrës, ndotja e ujit dhe e ajrit, bashkë me mos përpunimin e plehrave janë pjesa më e vështirë e jetesës së një popullsie të përgjysmuar, reklama për turizmin është një fryrje e qëllimshme dhe renditje jashtë kategorisë së Evropës.
Por Kryeministri Rama e cilësoi turizmin në Shqipëri me “Champions League” në qoftë se do t’i mbajë ritmet e rritjes duke u bërë konkurrente me Italinë, Francën, Greqinë, Kroacinë, Spanjën, Slloveninë dhe këtë çdo shqiptar do ta çmonte për veten në qoftë se turizmi nuk është vetëm një fjalë në erë. Ka mbi një vit që fluksi turistik shënoi rritje dhe siç shprehet ministrja Kumbaro; “gjeneroi në vitin 2023 rreth 4,2 miliardë euro për ekonominë shqiptare”, por gjatë gjithë kësaj periudhe nuk u pa investimi dhe ngritja e një shkolle profesionale për kualifikimin për rinisë shqiptare në fushën e turizmit dhe shërbimeve. Në të kundërt, kur thuhet se rritja për 2024 ndryshe nga viti i kaluar do të jetë me 40% më shumë, pra 14 milion turistë, po kjo ministre deklaron se; “… Shqipëria është në negociata me Filipinet dhe me Indonezinë për të marrë fuqi punëtore,…”
Pyetja për publikun mbetet se çfarë po promovohet kur shqiptarët nuk përfitojnë nga politikat e qeverisë në një kohë kur ekonomia e vendit gjeneron miliarda euro?
A mbrohet natyra?
A rriten cilësitë e shërbimeve?
A ulen çmimet?
A rritet prodhimi vendas bujqësor e blegtoral?
A po e rrisim dijen, shëndetin dhe mirëqenien?
A po afrohemi më pranë me kulturën e zhvilluar evropiane duke treguar mikpritjen, apo shqiptari bëhet edhe më i varfër dhe më lehtësisht i manipulueshëm nga një elitë që di ta nxjerrë lekun dhe pasurohet?
Ja pra pse rendja pas lejlasë e kthyer në propagandë është në një porfirofobi. Kur qeveria flet për “Albania All Senses” (“Shqipëria me Gjithë Shqisat”) renditja e shqisave; shikimi, dëgjimi, nuhatja dhe shija pa i marrë atyre atë se çfarë natyra i jep Shqipërisë dhe çfarë perëndia i ka krijuar, këto shqisa janë më të dhimbshmet kur i ndesh në realitetin shqiptar sepse politika e mbrapshtë shikimin na e ka verbuar, dëgjimin na e ka shurdhuar, nuhatjen na e ka ndotur dhe shijen na e ka prishur së pari ne shqiptarëve. Ndërsa për shqisën e të prekurit, për atë që njerëzit janë bërë tashmë më të pandjeshëm prej varfërisë dhe grabitjes nga qeverisja vërteton se shqisa e të prekurit është paraja. Paraja nxit të prekurin e xhepit të qytetarëve duke u bërë thelbi i korrupsionit tashmë i shprehur me formulën e re e përfitimit, të propagandës dhe të sundimit të qeverisjes së Rilindjes Socialiste.
________
*Porfirofobia (Porphyrophobia) : Është një lloj kromofobie, e cila shpreh gjendjen frikës nga ngjyrat. Njerëzit me porfirofobi mund të përjetojnë ankth kur shohin ose përfytyrojnë ngjyrën lejla në çfarëdo forme ajo shfaqet, madje reagojnë edhe ndaj nuancave të kësaj ngjyre.
22 Maj, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)