Cité radieuse, vepër e arkitektit zviceran Charles-Édouard Jeanneret-Gris, më i njohur me pseudonimin Le Corbusier (1887-1965)- wikipedia
Marseja, themeluar në vitin 600 para Krishtit, është qyteti më i lashtë i Francës, (krahas Béziers), qyteti kryesor francez buzë Mesdheut, nga Shekulli XX është i dyti për numrin e banorëve pas Parisit. Ndërkohë është porti më i madh francez, porti i dytë mesdhetar dhe porti i pestë evropian.
Është qyteti që ia dha emrin, “La Marseillaise”, himnit kombëtar të Francës. Siç dihet, kënga u shkrua më 1792 nga Claude Joseph Rouget de Lisle në Strasburg pas shpalljes së luftës nga Franca kundër Austrisë, dhe fillimisht titullohej “Chant de guerre pour l’Armée du Rhin” (“Kënga e luftës për ushtrinë e Rhine”). Konventa Kombëtare Franceze e miratoi atë si himnin e Republikës së Parë më 1795. Kënga mori emërtimin e saj Marsejezë pasi të parët e kënduan në Paris vullnetarët nga Marseja që marshonin drejt kryeqytetit. Marsejeza frymëzoi revolucionet kombëtare, frymëzoi këngë kushtruese për çlirim në vende të ndryshme të Evropës.
JANË DISA PËRMASAT ZVICERANE TË MARSEJËS
Dalja në portin e Mesdheut e ka bërë që nga gjeneza një nga qytetet më kozmopolite në Francë. Që nga Shekulli i XVII, konsiderohet “Porta e Orientit”. Burimet enciklopedike tregojnë se këtu, prej atëherë, jetojnë popullsi nga njëzet e sa vende të Evropës dhe të botës.
Ndër të përkëdhelurit e fatit, për të jetuar në këtë qytet, është edhe bashkësia zvicerane, më e madhja jashtë Zvicrës. Sot rreth 5 000 zviceranë e zvicerane marrin shërbime nga konsullata zvicerane në këtë qytet. Por vlerësohet se numri i tyre në Marsejë është tri herë më i madh.
Në faqen e internetit të Departamentit të Punëve të Jashtme të Zvicrës (EDA) lexojmë se në vitin 2022, mbi 200 000 shtetas zviceranë u regjistruan në Ambasadën dhe Konsullatat e Përgjithshme të Zvicrës në Francë. Është komuniteti më i madh zviceran jashtë vendit. Nga anja tjetër, shënohet se ka rreth 185 000 njerëz me nënshtetësi franceze që banojnë përgjithmonë në Zvicër.
Një tjetër e dhënë me shumë domethënie për marrëdhëniet midis Zvicrës dhe Francës është se, më 1798, Zvicra përuroi përfaqësinë e saj të parë jashtë vendit në Paris, së cilës së shpejti iu shtua edhe konsullata në Bordo. Ndërkohë, shënohet në faqen e DEA-s, në fund të shekullit të 19 Franca ishte i vetmi vend që kishte një përfaqësi në Zvicër, në Bernë.
Në një reportazh të shkruar me rastin e Kongresit të përvitshëm të 64-t të shoqatave zvicerane në Francë, zhvilluar më 26 dhe 27 prill në Marsejë, nga Emilie Ridiard për swissinfo.ch, theksohet se takimi është parë si rast për të kujtuar historinë e gjatë, nga fundi i Shekullit XVI deri sot, që e lidh Konfederatën me qytetin francez.
Ndryshe nga grupet e tjera të të huajve, kryesisht punëtorë krahu, zviceranët vinin si tregtarë. Ishin 171 veta me shtetësi helvete, 157 prej tyre protestantë, nga një tërësi prej 489 tregtarësh të qytetit. Më 1685 mbreti Luigji XIV e ndaloi fenë protestane në Francë, por tregtarët helvetë kishin aq rëndësi të madhe ekonomike, saqë ai i toleroi. Pati nga ata që i ndërruan emrat për të mos u vënë re, por shumica nuk ndërroi kurrë kombësi dhe mbetën zviceranë brez pas brezi.
Për shkak të rëndësisë së bashkësisë zvicerane, Konfederata hapi konsullatën në Marsejë më 1799, pak pasi e hapi në Bordo.
Diaspora zvicerane në këtë qytet la gjurmë në historinë e këtij qyteti. Një nga figurat e mëdha të Rezistencës së Marsejës është me origjinë zvicerane. Berthe Albrecht Wilde, (Marseille, 15 shkurt 1893 – Fresnes, 1943) zvicerane nga lindja, aktiviste franceze, anëtare e Rezistencës Franceze gjatë pushtimit nazist të Francës në Luftën e Dytë Botërore, është një nga gjashtë gratë e quajtura Compagnon de la Libération (Shoqëruesja e Çlirimit). Ordre de la Libération u krijua nga gjenerali de Gaulle në vitin 1940 për të shpërblyer individët ose kolektivët ushtarakë dhe civilë që u dalluan për çlirimin e Francës.
Berthe Albrecht Wilde, wikipedia
Një nga gjurmët e fundit zvicerane në historinë e Marsejës është Cité radieuse, prototipi i një habitati të ri shoqëror të imagjinuar nga arkitekti zviceran Charles-Édouard Jeanneret-Gris, më i njohur me pseudonimin Le Corbusier (1887-1965). Një nga ndërtimet më të diskutueshme në qytet, ajo është bërë gjithashtu një nga më emblematiket. I regjistruar si një qendër e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Cité radieuse u ndërtua midis viteve 1947 dhe 1952. Ai përmban 337 apartamente të 23 llojeve të ndryshme.
JEAN-ABRAM NOVERRAZ, ZVICERANI MË I FAMSHËM I MARSEJËS
Mathieu van Berchem ia kushton shkrimin e tij në swissinfo.ch zviceranit më të famshëm të Marsejës.
Jean-Abram Noverraz, wikipedia
Më 5 maj 1821, shkruan Van Berchem, Napoleon Bonaparte vdiq në burgun Longwood në ishullin e Shën Helenës. Pranë shtratit të vdekjes, gjatë javëve të gjata të sëmundjes, ishte amvisi i tij besnik, Jean-Abram Noverraz nga Vaud. Perandori la trashëgim në testament shumën prej 100 000 frangash për Jean-Abram Noverraz, në mënyrë që ai të mos kishte më nevojë t’i shërbente një zotërie tjetër. Një ditë pas vdekjes së tij, guvernatori anglez Hudson Lowe, marrëdhëniet e të cilit me Napoleonin ishin të tmerrshme, i detyroi banorët e ishullit të vogël të parakalonin para trupit të pajetë të ish-perandorit, në mënyrë që të mos kishte dyshim për vdekjen e tij.
Historiani Thierry Lentz, vijohet më tej në swissinfo.ch, tregon skenën në librin e tij Bonaparte n’est plus! Ndërsa vetë Noverraz në ditarin e tij Kthimi i hirit të Napoleonit, botuar në të famshmen Revue des Deux Mondes tregon se ishte amvis, korrier, gjahtar dhe madje truproje: gjatë udhëtimit për në ishullin Elba, ai përdori shpatën për të mbrojtur zotërinë e tij. Napoleoni e quajti zviceranin “Ariu Helvet”. Noverraz, pasi kthehet në Zvicër, bëhet një personazh i rëndësishëm, duke iu kushtuar legjendës së Bonapartit dhe duke i lënë trashëgimi relikte të tij kantonit të Vaud (Vo).
Në biografitë e Noverraz thuhet se nga reliktet janë tri shalë kuajsh të stilit francez në kadife të kuqërremtë, tre frerë të zbukuruar me argjend dhe katër pushkë gjuetie. Këto objekte duhej t’i jepeshin djalit të tij, mbretit të Romës. Duke qenë se nuk ishte në gjendje të përmbushte dëshirën e shprehur nga Perandori në testamentin e tij, Noverraz i vendosi këto relike të çmuara në duart e Këshillit të Shtetit të kantonit Vaud. Ato janë ekspozuar në Muzeun Kantonal të Arkeologjisë dhe Historisë të Lozanës, me objekte të tjera të ruajtura në koleksione nga Noverrazi dhe pasardhësit e tij.
Në Marsejë, shkruan në reportazhin e tij Mathieu van Berchem, në kohën e Jean-Abram Noverrazit, 300-400 zviceranë shërbenin në shtëpitë borgjeze dhe në anijet e kompanive të mëdha. “Një numër i madh i amvisëve shtëpiakë të të dy gjinive vijnë zakonisht nga Zvicra,” bënte të ditur ekonomisti Alban de Villeneuve-Bargemon në atë kohë. Ata kanë një reputacion të tillë për saktësinë dhe korrektësinë, saqë shumica e shtëpive të Marsejës i kërkojnë drejtpërdrejt në Zvicër,” shton vikonti, i cituar nga historiani Renée Lopez-Théry. Përpikërisë, korrektësisë, ndër pikat e forta që dekretuan suksesin e zviceranëve, padyshim iu shtohet edhe njohja e gjuhës gjermane, e cila ishte shumë e përhapur në Francë në atë kohë.
Vdekja e Napoleonit, në telajo me teknikë vaji nga Charles de Steuben, krijuar më 1829. Për ta realizuar tablonë e tij për vdekjen e Napoleonit, Charles de Steuben i mori në studio për të pozuar protagonistët realë, midis të cilëve edhe zvicerani i famshëm Jean-Abram Noverraz, ulur në të djathtë të ish perandorit. wikipedia